-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Tifozi më i veçantë i futbollit kosovar

Më të lexuarat

Nuk e njeh asnjë lojtar. Mirëpo, pa marrë parasysh vendin se ku luajnë Trepça ose Trepça ‘89, ai shihet në stadium. Fjala është për Hasan Llaushën nga Mitrovica. Edhe pse 82-vjeçar, ai gjithnjë është pranë skuadrave mitrovicase. Thotë se prej vitit 2010 kur ‘xehetarët’ e fituan titullin, nuk e ka lëshuar pa e parë nga afër asnjë takim të këtij ekipi. Në një rrëfim për gazetën, tifozi special flet edhe për namazin që e bën gjatë ndeshjeve.

Të gjithë e keni parë një person në moshë të shtyrë e me ‘terleme’ (kapelë e bardhë fetare) në kokë që nuk lenë ndeshje të ekipeve nga Mitrovica pa i përcjellë. E keni parë edhe duke bërë namaz, teksa loja zhvillohet. Ky është haxhiu nga Mitrovica, Hasan Llausha, mbase edhe tifozi më i vjetër i futbollit kosovar me 82 vjet. Mirëpo, pavarësisht moshës së shtyrë, Llausha nuk mungon në asnjë ndeshje të Trepçës ose Trepçës ‘89. Thotë se ndjehet i rinuar kur shikon nga afër duelet e ekipeve të qytetit të tij.

“Unë jam Hasan Llausha nga Mitrovica. I kam 82 vjet, por Zoti ma ka dhënë shëndetin dhe mund të lëvizi lirshëm”, prezantohet Llausha, për të nisur rrëfimin e tij lidhur me ndeshjet.

“Asnjëherë në jetën time nuk jam marr me futboll. Bile, as dikush nga familja ime e gjerë nuk është merr me futboll. Mirëpo, unë kam shumë dëshirë t’i shikoj ndeshjet e ekipeve të Mitrovicës”, tregon Llausha për ‘Sport Plus’. Ai nuk e ka problem që edhe në të nxehtë apo të ftohtë të jetë në ndonjë stadium, dike mos pasur frikë se mund ta rrezikojë shëndetin. Primare për të është të shikojë futboll, pasi vetëm kështu ndihet mirë.

Nuk e njeh asnjë futbollist

Problemi i vetëm i Hasan Llaushës është se nuk njeh asnjë futbollist të dy ekipeve nga Mitrovica, pavarësisht faktit se i përcjell gjithmonë. “Me emra nuk e njoh asnjë lojtar. I njoh vetëm trajnerët”, pohoi Llausha. Ndryshe nga lojtarët aktualë, plaku nga Mitrovica i njeh shumë mirë gjeneratat e paraluftës të skuadrave të këtij vendi. “Ata i njoh shumë mirë”, tha ai.

Gjithsesi, 82-vjeçari deri në vitin 2010 ishte jo edhe shumë i rregullt nëpër stadiume, mirëpo titulli i Trepçës i fituar në edicionin 2009/2010 ia ka ‘shishmuar’ Llaushës edhe më shumë stadiumet. “Prej kur Trepça e ka fituar titullin, unë gjithmonë i kam përcjell ndeshjet e këtij ekipi dhe të Trepçës ‘89. Kur luajnë të dyja për një ditë, shkoj atje ku njëri ekip ka nevojë më të madhe për pikë”. Mirëpo, edhe atëherë kur ekipet nga Mitrovica nuk kanë ndeshje, shkon në ndonjë qytet tjetër për të parë futboll. Për këtë ai nuk ka veturë të veten, por udhëton me autobusë e rrallëherë edhe me futbollistët.

Bën namaz në stadium

Hasan Llausha prej vitesh është haxhi dhe njihet si praktikues i madh i fesë islame. Prandaj, jo shpesh shihet nëpër stadiume duke bërë namaz. “Shpesh më bie të bëjë namaz nëpër stadiume. Shembull, kur është koha e ikindisë dhe nuk kam ku të falem, e përgatis një vend diku dhe kryej namazin. Kjo nuk më pengon kurrë. E rëndësishme është se namazin nuk e lë anash edhe kur jam në ndeshje”, theksoi Llausha. Ai njoftoi se është tifoz i madh edhe i Përfaqësueses së Kosovës dhe beson se shpejt t’i shohë djelmoshat e përzgjedhësit Albert Bunjaki duke marrë pjesë në kualifikime për Kampionat Evropian apo edhe Botëror.

Dëshira e Llaushës

Hasan Llausha ka një dëshirë. Ajo është që njëra prej ekipeve të Mitrovicës ta fitojë titullin. “Dëshira ime më e madhe është që ekipet e Mitrovicës ta fitojnë titullin sa më shpejt”, tha Llausha.

Nuk e pengojnë sharjet

Nëpër stadiumet kosovare sharjet nga tifozët janë të mëdha. Dhe, rëndomë, për një haxhi ato janë të papranuara. Mirëpo, në rastin e Llaushës, ato nuk çojnë shumë peshë. “Nuk më interesojnë çka thonë shikuesit. Bile, unë kam pak problem me dëgjimin dhe nuk i dëgjoj mirë”, pohoi Llausha. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit