4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

THEMELI I ISLAMIT ËSHTË KUPTIM DHE BESIM

Më të lexuarat

sithouette of masjid dome (mosque) on red sky background

Islam do të thotë dorëzim i robit te Allahu, ndjekje e urdhrave të Tij, hyrja në një rrugë të qetë, në paqe e siguri dhe ecje drejt suksesit e shpëtimit. Islam është emri i fesë së zbritur nga Zoti me bazat e mbështetura në mesazhet e Allahut, të kumtuar e të përfaqësuar si dhe të jetuar vetë e të mundësuar edhe për të tjerët për t’u jetuar, nga profeti Muhamed (a.s.). Feja islame përbëhet nga konkluzionet besimore – itikadi (bazat e besimit), praktika-ameli (adhurimet, marrëdhëniet civile, penaliteti), morali-ahlaku (morali-etika).

Themeli dhe kreu i Islamit është besimi dhe kuptimi. Pra, besimi në të vërtetën hyjnore në mënyrë të palëkundur, pa i dhënë mundësi të kundërtës dhe lidhja e zemrës pas së vërtetës, Zotit. Kurse maja, është zbatimi i përgjegjësive me ndjeshmërinë më të lartë sikur ta shohësh Zotin para, ta shohësh Atë sikurse Ai të vrojton ty, që sipas terminologjisë quhet ihsan, mirësi, si dhe kryerja e çdo akti me bosht fitimin e miratimit dhe pëlqimit të Zotit, që terminologjia e definon si ihlas, principialitet dhe sinqeritet.

Me institucionin e fesë kuptojmë vënien në jetë dhe praktikimin e besimit fetar, pra përfaqësimin dinjitoz dhe zbatimin në jetë e urdhrave të Zotit. Personi që i beson Islamit quhet musliman, që nënkupton dorëzimin dhe nënshtrimin e njeriut ndaj mesazheve të Zotit, e cila përfaqëson qetësinë, paqen, suksesin dhe shpëtimin. Këtë emërtim, besimtarit ia ka dhënë Allahu i lartë në Kuran: “Është Ai i cili jua ka dhënë këtë emër edhe më parë, edhe në Kuran”. (22/78)

Fjala mu’min (besimtar) do të thotë njeri i besueshëm, me personalitet të shëndoshë, që jep siguri, që i beson Allahut dhe e vërteton Atë, që e pohon besimin me ndërgjegje dhe e ndjen me zemër. Me kuptimin e vet të posaçëm, është njeriu që i beson mesazhit që kumtoi profeti Muhamed (a.s.). Megjithëse emërtimet mu’min dhe muslim kanë dallim nuancash kuptimore mes tyre, përdoren në vend të njëri-tjetrit. Po qe se i shtjellojmë pak këto përkufizime, mu’mini ose besimtari, për nga këndvështrimi i faktit që me arsyen e shëndoshë dhe mirëkuptimin, me zgjuarsinë dhe aftësinë parashikuese, me mendjen e pastër e të kthjellët të ndriçuar nga revelata hyjnore, me botëkuptimin e gjerë dhe objektiv, me vështrimin e shëndoshë dhe gjithëpërfshirës, me ndjeshmëri dhe korrektesën në përgjithësitë, me vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë kundër të këqijave, gjatë gjithë jetës është në ndjekje të virtytit dhe punëve të larta e sublime.

Me natyrën, ndjenjën, vetëdijen dhe vullnetin që e karakterizon, besimtari mundohet ta mbajë të gjallë dëshirën për të arritur kompetencën, thelbin dhe kuptimin e thellë të ngjarjeve dhe dukurive në jetën e tij. Ai i bindet Allahut, ka siguri te Ai, dhe mes njerëzve njihet si njeri i besueshëm, që e dëshmon të Vërtetën (Zotin) dhe i mbetet gjithmonë besnik, që njihet si njeri besnik ndaj amanetit dhe kujtohet si njeri të cilit mund t’i drejtohesh gjithmonë për ndihmë, që njihet dhe pranohet si i tillë nga ndërgjegjja publike, që bëhet pretekst kudo që ndodhet e dëgjohet për përmendjen e të Vërtetës dhe që i orienton me fjalët dhe qëndrimet e veta për tek e Vërteta të gjithë ata, që i gjenden pranë ose shoqërohen me të. Për nga këndvështrimi i këtyre fakteve, besimtari, mbështetur në parimin e “përkushtimin gjer në vetëmohim ndaj përkryerjes së fjalës absolute”, është një hero i vërtetë i vërtetimit, shpjegimit dhe përfaqësimit të besimit.

Fetar, njeri fetar, është personi që e beson dhe e përfaqëson fenë islame me të gjitha elementet e saj të besimit, veprimit dhe moralit. Akti (adhurimor ose civil) pa besim është hipokrizi, kurse besimi pa akt është defekt (mangësi gjer në mëkat). Ndërsa hipokrizia është një mohim (kufr) i fshehtë me pamundësi faljeje. Ndryshe nga hipokrizia, defekti dhe mëkati e kanë gjithmonë të hapur mundësinë e faljes me anë të pendimit dhe rikthimit kah Zoti. Nisur nga kjo, po qe se dikush, edhe pse nuk i kryen detyrat fetare, pra nuk e vë fenë në jetë, por nuk e nënvleftëson atë, për këtë person duhet menduar gjithmonë pozitivisht dhe nuk duhet nxituar për të konkluduar si mohim (kufr) për të. Përkundrazi, po qe se dikush jo vetëm që nuk i kryen detyrat fetare, por edhe i nënvleftëson dhe i përbuz myslimanët ngaqë janë myslimanë, sigurisht që për të është e pamundur që të mendohen të njëjtat gjëra pozitive!

Allahu ia ka favorizuar njerëzimit një udhëzues që do ta çonte njeriun në këtë botë dhe në jetën e pasme në qetësinë e përhershme me kënaqësinë pa dhimbje, me anë të kuptimit dhe përfaqësimit të Profetit Muhamed (a.s.). Islami është emri i këtij favori dhe e kësaj mirësie të pashoqe. Në këtë fe, sipas arsyes së shëndoshë dhe mendimeve të drejta, jo vetëm nuk ka ndonjë boshllëk lidhur me kërkesat e njeriut, por as gjendet ndonjë kundërthënie në urdhrat e krijimit dhe në interpretimin e tyre. Veçanërisht krahas të gjitha këtyre, me premtimet për lumturinë shpirtërore, pëlqimin e Zotit dhe mundësinë për ta parë Atë, Islami është dhe mbetet një sistem hyjnor i zgjedhur, i planifikuar sipas karaktereve, kapaciteteve, qëllimeve dhe prirjeve njerëzore.

H. Bujar Spahiu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit