5.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

The Telegraph: Si Kosova, “Brazili i Ballkanit” ngushëlloi zhgënjimin e një populli

Më të lexuarat

Suksesi i Kosovës në futboll ka qenë temë e medieve më të mëdha botërore në javët e fundit. Fitorja nga Azerbajxhani (4-0) dhe vendi i parë në grup ka bërë që shumë mediume ta kthejnë kokën kah skuadra e Bernard Challandes.

Edhe prestigjiozja The Telegraph, ka shkruar për suksesin e Kosovës, në futboll.

“Është një vit i përvjetorëve që shkëlqejnë: Një shekull nga formimi i ish-Jugosllavisë, 20 vjet që prej se nacionalistët serb kryen krime me rrezik ekzistencial dhe një dekadë nga shpallja e pavarësisë”, kështu nis shkrimi i The Telegraph, për të treguar situatat politike dhe të vështira që ka kaluar Kosova.

“Rëndësia e vitit 2018? Ekipi i futbollit të Kosovës e ka mbyllur një viti si të pamposhtur, dhe kanë mundësi kualifikimi në Kampionatin Evropian, përmes Ligës së Kombeve, pasi e ka fituar grupin”.

“Tifozët u dynden në baret e Prishtinës pasi shteti më i ri i Evropës është dy fitore larg një turneu të madh. Maqedonia, pastaj Gjeorgjia ose Bjellorusia, qëndrojnë në rrugën e tyre drejt suksesit”.

“Burimi i lumturisë, krenarisë dhe gëzimit, e vetmja mënyrë për t’u çlodhur pas një dite të vështirë dhe pas zhgënjimeve të përditshme politike”.

Ekipi quhet ‘Brazili i Ballkanit’.

Se politika ka marr goditje të shumta tregon edhe fakti që në mëngjesin e asaj dite që u arrit fitorja ndaj Azerbajxhanit, Kosova dështoi në përpjekjen e saj të fundit për t’u bashkuar në Interpol, një goditje tjetër në luftën për njohjen ndërkombëtare.

Megjithatë, kjo nuk do t’i ndalte tifozët që festonin frytet e dy dekadave të rindërtimit dhe arritjet e ekipit të tyre të dashur të menaxhuar nga trajneri zviceran Bernard Challandes.

“Në mbrëmje, politika nuk mund të pengonte suksesin e vendit tonë”, thotë Korenica, edhe pse politikanët shpejt nxituan për të marr pjesë në këtë triumf.

Një shumicë e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara, 82 për qind e Bashkimit Evropian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e njohin Kosovën si një shtet të pavarur, por Serbia dhe aleatët e saj nuk e bëjnë.

Në korrik, lojtari legjendar dhe kreu i federatës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq nga një arrest kardiak në një palestër, 57 vjeç.

Stadiumi në Prishtinë është emëruar për nder të tij dhe ai mbahet mend si një vizionar i pakrahasueshëm.

Si çdo profesion në Kosovë dhe Shqipëri, edhe futbolli pësoi. Në Shqipëri nga komunizmi autoritar nën drejtimin e Enver Hoxhës, ndërsa në Kosovë nga regjimi serb.

Pamje nga fushat ku zhvillohej futbolli në vitet e 90-ta

Disa futbollistë u tërhoqën nga jeta sportive për t’u bashkuar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Valon Behrami ishin një brez që lindën më herët dhe nuk mundën që ta përfaqësojnë Kosovën, por Arber Zeneli i Heerenveen, Milot Rashica i Werder Bremenit dhe portieri i Manchester City, Aro Muric, janë yjet e së tashmes .

Në skuadrën që fitoi ndaj Azerbajxhanit, në fushë nuk ishte asnjë futbollistë që kishte mbi 30 vjet, duke treguar moshën mesatare prej 27.8, më e reja në Evropë.

Shumë lojtarë humbën familjarët gjatë luftës.

“Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 është një kundërpërgjigje për kërcënimet e shtetit që kryente vrasje me motive etnike. Shumë shqiptarë kosovarë quhen ‘Tonibleer’, për nder të kryeministrit anglez të asaj kohe”, mbyllet shkrimi i The Telegraph.

Disa fjalë për autorin e shkrimit

Daneil Zeqiri është gazetar i sportit në prestigjiozen britanike The Telegraph.

Ai është me prejardhje shqiptare. Gjyshi i tij ka migruar në Angli me gruan e tij italiane që ishte takuar në një kamp refugjatësh.

Ata arritën në Angli në vitin 1958. Nga atëherë familja e tij jetojnë në Angli.

Gjyshi i tij ka vdekur para se Daniel të linde dhe nuk ka arritur të mësojë më shumë për të dhe vendlindjen e tij, përveç atyre që ka dëgjuar nga pasardhësit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit