E dashura nënë,
Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ty!
Erdha prapë tek varri yt, nuk mund të rrija pa ardhur. Fotografia jote më endej para syve. I përlotur kujtoja ditët që ishim bashkë. E di, shpeshherë kam qenë i keq me ty, por jam penduar. Jam penduar atëherë ndërsa tani qaj e nuk ndalem fare. Do të doja të më ishe pranë, të të ledhatoja shumë, të të përqafoja, të t’i puthja duart dhe këmbët…
E dashura nënë,
Pa ty sikur botës fundi i ka ardhur, sikur asgjëje më kuptim nuk i ka mbetur. Ndihem i vetmuar, jetim. Më mungojnë përkëdhelja dhe fjalët tua ndërsa malli më djeg. Natën, nuk më zë gjumi, rrotullohem herë në krah të djathtë e herë në të majtë, të parafytyroj ndërsa lutem të më vish në gjumë, të me ledhatosh prapë, të të kam afër prapë, ta ndiej ngrohtësinë prindërore, ta përjetoj dashurinë e nënës, lutem e lutem derisa gjumi më zë. Kështu bëj çdo ditë dhe natë. Mungesa jote nuk po u kompensuaka me asgjë.
Ndonjëherë malli për ty më pushton edhe kur eci rrugëve vetëm. Lotët më rrjedhin ndërsa kam frikë njerëzit të më marrin për budalla. Por, le të thonë ç’të duan, se kush pëson më shumë se ai që ka humbur nënën?!!
Ndiej vetminë edhe kur të tjerët më rrethojnë. Ndiej një boshllëk që nuk mbushet dot me asgjë. Askush nuk qenka sikur nëna.
E dashura nënë,
Më vijnë njerëz për ngushëllime por malli për ty nuk shuhet dot, iu them se po mbahem por brendësinë e kam të dërrmuar. I shikoj ndërsa nga malli për ty ndonjëherë as fjalët e tyre nuk i kuptoj. Shoh lëvizjen e buzëve të tyre dhe atë disi të mjegulluar sepse lotët të ndalur nuk dinë. Të mjerët, sikur ta ngushëllonin veten e tyre që tani, sepse fjala nuk po shëruaka shpirtin e lënduar nga humbja e nënës. Po të mos kisha besim në Zot dhe shpresën se do të të takojë në Xhennet, do isha çmendur.
E dashura nënë,
Dje takova në rrugë një mikeshë tënde dhe gati sa nuk rashë përtokë. Desha ta ndërroja kahen e rrugës por nuk më punonin këmbët. U shtanga në vend. Mezi ecte nga pleqëria dhe deri mu afrua nuk më dalloi. Rrudhat ia mbulonin sytë. “Oh, ti qenke” –më tha ndërsa buza i dridhej nga vaji. Qamë të dy. Më dukej sikur po të shoh me të. Përkujtova për një çast ditët kur na vizitonte ndërsa ti ishe gjallë. Sa shumë na gëzonte. Ishte përplot gaz e humor. Tani, thuajse të gjitha dertet e dynjasë i kishin rënë në shpinë. Ishte krejtësisht tjetër. “Hë, mua vdekja më ka harruar”- më tha ndërsa buzëqeshja i përzihej me vajin përplot lot. Më dhimbsej, mosha i reflektonte në rrudha të ballit. U mundova ta ngushëlloj por nuk më dilte fjalë nga goja. U ndamë ndërsa ajo vazhdoi rrugën kurse unë me lot përcillja hapat e saj. E luta Allahun për të dhe shëndetin e saj.
E dashura nënë,
Sot, pasi fala sabahun u ktheva në shtëpi. Vajza ime, posa u zgjua nga gjumi, më përqafoi fort dhe më tha: “Babi, mësuesja në shkollë na ka thënë të shkruajmë nga një tregim për nënën ndërsa unë dua ta shkruaj tregimin për gjyshen time.” Seç më mbërtheu një vaj. Nuk të ka harruar. Të kujton shpesh. Sikur me kujtimet e saja dëshiron të më ngushëllojë. Më afrohet, më ledhaton, më puth, “Babi, ç’ke, përse rri kështu i mërzitur, gjyshja do të kthehet prapë!” –më thotë. Pastaj, merr librat në dorë, lexon e reciton, duke u munduar të bëjë një atmosferë në shtëpi.
E dashura nënë,
Kam ardhur tek varri yt, sepse sado pak dhimbja po më lehtësohet. Barin që ka filluar të mbijë mbi varrin tënd dua ta rregulloj. Ke qenë lule, ke dhuruar lule, ke mbushur jetën time me lule, ke lënë kujtime përplot lule, dhe dua që varri yt të jetë lule plot.
Do të lutem vazhdimisht për ty, në namaz, në namaz nate, do të jap sadaka, e do të vi prapë tek varri yt.
Lamtumirë, nënë e dashur.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi ty!
Wes selamu alejkum!
Hoxhë Sedat Islami