2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

TË UDHËZOSH BOTËN

Më të lexuarat

“Muslimani nuk është krijuar që të shkojë sipas rrymës dhe të ecë nga të fryjë era, por ai është krijuar që të udhëzojë njerëz.”
– Muhammed Ikbal

Jeta jonë merr një drejtim brenda një botëkuptimi që ne e kemi pranuar si rrugën e duhur për të përmbushur fatin tonë. Në fund të fundit, të gjitha fetë kanë synuar t’i japin njeriut këtë përgjigje. Muslimani ka një vizion me anë të të cilit e orienton tërë jetën e tij. Qëllimi i jetës është përcaktuar nga shpallja hyjnore e cila i është shpallur të dërguarit, Muhamedit (a.s.). Muhamedi (a.s.) njëherësh ishte edhe njeriu i parë i cili e trupëzoi këtë shpallje, e orientoi shoqërinë e kohës së tij dhe iu qas sfidave të kohës së tij pikërisht sipas udhëzimeve të kësaj shpalljeje. Historinë, prej kësaj periudhe e përcaktuan personalitetet muslimane. Kjo pasi, të qenit musliman do të thoshte të jetoje brenda ligjeve dhe harmonisë që e udhëhiqte botën. Megjithatë, kjo vetëdije e muslimaneve dalëngadalë zuri të zbehej. Tashmë të tjera forca, botëkuptime dukej se përcaktonin fatin e historisë. Allahu në Kur’an na ka treguar se vazhdimisht ka pasur forca të tilla të cilat ndonëse kanë treguar ngritje të fuqisë materiale, përsëri atyre u janë dërguar pejgamberë në mënyrë që të paralajmërohen se vizioni i tyre mbi veten dhe botën është i gabuar. Në rast se ata do vazhdonin në këtë mënyrë, përfundimi i tyre do ishte shkatërrimi.

“Kush është më i fortë se ne?” (Fussilet, 15)

“Ne i kishim bërë ata më të fuqishëm se ju dhe u kishim dhënë atyre dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre e as zemra e tyre, nuk u sollën kurrfarë dobie, sepse mohuan shpalljet e Allahut; ata i goditi ajo me të cilën talleshin.” (Ahkaf, 26)

Shumë nga këta popuj nuk u vinin veshin udhëzimeve të pejgambereve.

“Populli i Nuhut, i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara, 105)

“Fisi Ad i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara, 123)

“Edhe fisi Themud i quante gënjeshtarë të Dërguarit.” (Shuara, 141)

Por siç na tregon edhe Kur’ani, bindjet e tyre bazoheshin në zotat që ata adhuronin. Ata mendonin si ishin në rrugë të drejtë. Ata mendonin se pushteti i tyre ishte falë rrugës që ata ndiqnin, idhujve që adhuronin, prandaj dhe Allahu në një ajet thotë:

“Idhujt, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes. (Hud, 101)

Pejgamberët janë ata të cilët kishin ardhur me misionin për të udhëzuar njerëzit, për t’u treguar mënyrën e vërtetë të të jetuarit, për t’i kuptuar siç duhet sekretet e jetës. Pushteti, fitoret e mëdha nuk ishin kritere të mjaftueshme për të menduar se ishin në rrugë të drejtë. Por çdo gjë ka kohën e vet.

Në ditët e sotme shohim se shumë muslimanë ndjehen të padobishëm përballë fuqisë që zotërojnë persona dhe shtete të ndryshme. Shpesh ky dëshpërim vjen nga pamundësia për të qenë pjesëmarrës në këtë pushtet. Forcat dhe drejtimet e ndryshme në kohën tonë janë të shumta. Ato flasin dhe e legjitimojnë veten e tyre gjithmonë në emër të së ardhmes, për të mirën e të gjithëve, gjithmonë duke na treguar se kush jemi ne.

“Por ‘e ardhmja’ është një fushë e kontestuar ku fetë e vjetra dhe të reja, ideologjitë dhe perceptimet e asaj që bota duhet të jetë dhe konceptet e asaj që është njerëzimi, janë duke u përplasur për pushtet; dhe të gjitha llojet e orvatjeve janë duke u zhvilluar për ta kolonizuar atë.”[1]

Askush s’mund ta mohojë ndikimin që kanë gjitha këto në mendjen e muslimanit. Por a janë vërtet muslimanët aq pa drejtim siç mendojnë disa? Nëse i referohemi historisë së pejgambereve dhe vetë jetës së Muhamedit (a.s.), ne muslimanët në parim kemi një mision udhëzues. Ne nuk jemi këtu vetëm për të fituar pushtet, ose për të garuar me të, por si fillim të udhëzojmë pushtetet.

“Ai u largua prej tyre dhe tha: ‘O populli im, unë ju solla shpalljet e Zotit tim e ju këshillova, prandaj pse të hidhërohem për popullin e pafe?!’” (Arafë, 93)

Allahu xh.sh. e ka vendosur vlerën e këtij umeti pikërisht në vazhdimësinë e udhëzimit të njerëzve. Muslimani nuk qëndron larg jetës, kohës dhe historisë, por ai bëhet pjesë e saj duke qenë faktor përmirësues i rrjedhave të kohës.

“Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit.” (Ali Imran, 104)

Garancia e shpëtimit varet pikërisht nga përpjekja e njerëzve të cilët përmbushin këtë mision.

“E Zoti yt nuk është që të shkatërrojë mizorisht vendet, nëse banorët e tyre janë punëmirë.” (Hud, 117)

Në shprehjen e më sipërme të Muhammed Ikbalit, por edhe duke iu referuar dijetarit turk Fethullah Gylen, është pikërisht braktisja e këtij misioni ajo që na ka poshtëruar kaq shumë. Me sa duket gjithë dyshimet tona, kontradiktat tona erdhën si rezultat i aktiviteteve tona, pa menduar aq thellë për natyrën e tyre thelbësore dhe rolin tonë të vërtetë. Një nga mendimtarët shkruan se:

“Allahu mund ta shkatërrojë një individ, shoqëri apo popull, ose mund t’i zhdukë nën dhé, ndonëse ata e përmendin Allahun, e adhurojnë Atë dhe lexojnë lutjet përgjatë natës e ditës dhe ndonëse e vizitojnë Shtëpinë e shenjtë (Qabenë) dhe bëjnë tavaf rreth saj, por përderisa individi, shoqëria apo populli janë të preokupuar me kryerjen e misionit të tyre të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja dhe brengosen për të, atëherë Allahu e garanton atë vend, dhe i mbron banorët e tij nga shkatërrimi.”[2]

Andaj edhe do ishte një kusht i domosdoshëm për ta parë veten nga ky kënd, dhe si një rast për të analizuar edhe gjendjen e çështjeve të tjera.[3] Kur’ani e prezanton njeriun fillimisht si mëkëmbës të Zotit në Tokë, khalifeh. Njeriut i janë dhënë shumë mirësi si amanete nga Zoti, që ai të kujdeset për natyrën e jetës dhe t’ua ruajë gjërave identitetin e tyre, dhe kështu, si njeriu edhe vetë bota do e përmbushin misionin e tyre si krijesa të Zotit. Por, siç e thamë më lart, kjo e vërtetë është harruar kohë pas kohe dhe njeriu është sjellë si ka dashur me mirësitë dhe dhuntitë që i janë besuar. Por muslimani e di se sjellja dhe përfitimit e tij nuk mbarojnë në këtë botë, por përfundimi i veprave të tij ka edhe një ndikim në një tjetër nivel në të cilin do shkojnë njerëzit, akhireh. Duke qenë kjo e vërtetë që Kur’ani na e prezanton si “shpërblim për çdo vepër të mirë apo të keqe”, atëherë brenga parësore e jona duhet të jetë udhëzimi, drejtësia, dhe jo fitimi i menjëhershëm i pushtetit. Epiqendër e veprimeve të një besimtari janë imani dhe thirrja. Sekreti i ekzistimit të besimtarit dhe kushti i mbijetesës së tij si besimtar i vërtetë, është që ky ta përfaqësojë të vërtetën gjatë tërë jetës së tij.

Krejt në fund duhet të kemi parasysh se “urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja” nuk janë thjeshtë si veprim me fjalë. Në hadithin e njohur të Pejgamberit (a.s.), është treguar se ky mision kryhet me dorë, gjuhë dhe zemër. E gjithë infrastruktura që kanë ndërtuar muslimanët në të kaluarën, por edhe e gjithë puna e sotme duhet të ketë në parim përmbushjen e këtij misioni. Ndërtimi i shtetit eviton disa të këqija, me anë të cilave s’mundet askush tjetër. Shkollat evitojnë disa të këqija dhe mësojnë disa gjëra të mira. Universitetet, institutet, bibliotekat, xhamitë, bankat e laboratorët, secila nga këto eviton disa të këqija, dhe na ndihmon t’i përhapim disa gjërat e mira. Prandaj, ky është një mision që na pret të gjithëve. Secili ka mundësi të largojë një të keqe, secili ka mundësi të realizojë një të mirë. Jetojmë në mbretërinë e Zotit, dhe Atij i shërbejmë ashtu siç mundemi.

Haki Sahitaj

[1] Ziauddin Sardar, Jordi Serra and Scott Jordan, Muslim Societies in Postnormal Times/Foresight for Trends, Emerging Issues and Scenarius, IIIT&CPPFS, UK, 2019, fq. XVIII.

[2]

[3] Po aty, fq. 21.

[4] Po aty, fq. 32.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit