3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Të rinjtë, shpresa e të ardhmes

Më të lexuarat

Nga: Dr Muhamed Ratib Nabulsij

Të rinjtë, shpresa e të ardhmes

Vëllezër të dashur! Pleqtë e çdo vendi, përbëjnë të shkuarën e tij, mosa e mesme përbëjnë të tashmen, kurse rinia të ardhmen. Nëse je i ri apo e re, dije se ti je e ardhmja. Ju i përkisni umetit më të mirë që ka njohur njerëzimi, atij umeti që shkëlqeu në histori dhe që e komunikoi mesazhin e fundit hyjnor në të katër anët e botës. Pas periudhës së kolapsit që ka pllakosur umetin islam, të rinjtë janë shpresa e tij. 
Një herë, hazreti Omeri ishte duke ecur rrugëve të Medines. Me ta vënë re disa djelmosha, ia dhanë vrapit nga frika, përveç njërit prej tyre. Omeri, iu afrua dhe e pyeti:”Po ti, përse nuk u frikësove dhe të largohesh si të tjerët?!” Djali iu përgjigj:”O Prijës i Besimtarëve! Nuk të njoh për zullumqar e ti ruhem zullumit tënd, as nuk kam bërë ndonjë ligësi, që ti frikësohem ndëshkimit tënd. Gjithashtu, rruga është e gjerë dhe të nxë ty edhe mua.” Ky ishte një model.
Një delegacion, hyri tek kalifi omejad Abdul Melik ibnu Mervan, për ta uruar për një rast. Bashkë me ta, kishte hyrë dhe një djalosh i imët. Kalifi u zemërua me rojet e tij, kur pa që ai djalosh i mjerë kishte hyrë në kuvendin e tij. Duke iu drejtuar komandantit të rojeve të tij personalë, i tha:”Sa mirë! Kushdo mund të hyjë në kuvendin e kalifit, madje edhe kalamajtë!” Menjëherë djaloshi iu afrua dhe i foli kalifit të myslimanëve, i cili kishte nën pushtetin e tij 2/3 e tokës, me këto fjalë:”O Prijës i Besimtarëve! Hyrja ime në kuvendin tënd, nuk e pakëson statusin dhe pozitën tënde, kurse mua më nderon dhe më lartëson. Tek ne ka pllakosur një vit zie, i cili na e treti çdo fije dhjami dhe mishi, madje, u kanoset dhe eshtrave. Sakaq, ju keni pasuri pafund. Nëse këto pasuri janë të Zotit, ne jemi robërit e Zotit. Nëse këto pasuri janë tuajat, atëherë tregohuni pak zemërgjerë me ne të varfrit! E nëse janë pasuritë e popullit, përse na privoni prej tyre?!’
Kalifi, i zënë ngushtë, u drejtua nga të pranishmit dhe u tha:”Na e mbylli gojën ky buzëqumësht!”
Një delegacion tjetër, pati ardhur të takojë Omer ibnu Abdul Azizin, kalifin e pestë të drejtë dhe të ndershëm. Delegacionit i paraprinte një djalë, të cilit kalifi i thotë:”Ulu o djalosh, le të dalë para dikush që është më i madh se ti!” Por djaloshi ia ktheu pa iu dridhur qerpiku:”Zoti të drejtoftë o Prijës i Besimtarëve! Njeriu merr vlerë nga zemra dhe gjuha e tij, jo nga mosha. E nëse Zoti i fal robit të Tij një gjuhë të mprehtë dhe një zemër të dëlirë, e meriton ti jepet dhe ti dëgjohet fjala. Nëse do të ishte ashtu siç mendon ti, fronin ku je ulur do e mbante dikush tjetër më i vjetër dhe më i meritueshëm se ti.”
Pra, këtu bëhet fjalë për dije dhe urtësi, për gojëtari dhe guxim, jo për moshë, thinja e rrudha.
Në historinë tonë islame, gjejmë një pafundësi heroizmash nga të rinjtë myslimanë. E kush e beson se në një ushtri ku është Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu etj… të jetë komandant Osame ibnu Zejd, i cili nuk i kalonte të shtatëmbëdhjetat? Ai udhëtonte i hipur në deve, kurse kalifi Ebu Bekri ecte në këmbë. Në një moment, Osame i thotë:”O kalif i myslimanëve! Ti do të hipësh në deve, kurse unë do të eci në këmbë!” Por Ebu Bekri ia ktheu:”Jo pasha Zotin, as nuk do të zbresësh dhe as nuk do të hipi. E ç’do të më gjejë nëse eci në këmbë dhe të pluhurosem në rrugë të Zotit!”
Një shtatëmbëdhjetë vjeçar, komandon një ushtri ku është Omer ibnul Hattabi, Ebu Bekri, Othmani dhe figurat më të larta të sahabëve. E tillë është historia jonë, histori heroizmash. Pak më lart, thashë që ne i përkasim umetit më të mirë të dalë nga mesi i njerëzimit, umet që shekujt e fundit e humbi lavdinë e tij. Prandaj dhe ky umet ka nevojë sot për energjinë e rinisë, ka nevojë për dijet e saj, sinqeritetin, besnikërinë dhe përkatësinë e saj. Prandaj dhe Osame ibnu Zejd arriti të bëhej komandant i ushtrisë.
Një nga fëmijëve të Medines, i vritet i ati në betejën e Uhudit. E ëma, martohet me xhaxhanë e djalit të saj, një nga pasanikët e Medines, i cili nuk kursehet për djalin e të vëllait, e donte dhe shpenzonte shumë për të. Vetë djali u lidh shumë me xhaxhanë dhe njëkohësisht njerkun e tij. Në një nga betejat, myslimanët u përgatitën si asnjëherë më parë. Xhaxhai i tij nuk dha kontribut siç dha Othmani, Abdurrahman ibnu Auf dhe shumë pasanikë të tjerë myslimanë, të cilët kontribuan financiarisht për këtë betejë. Sakaq, xhaxhai i tij nuk lëvizte fare. Djali i foli dhe u mundua ta motivojë, duke i përmendur kontributin e myslimanëve të tjerë. Në një moment, xhaxhai i tij, thotë një fjalë tepër të rëndë. Ai thotë:”Pasha Zotin, nëse Muhamedi do të thoshte të vërtetën, atëherë jemi më keq se devetë.” Kjo është një fjalë shumë e rëndë, e cila të nxjerr nga feja. Ndërkohë, djali i përgjigjet:”O xhaxha! Pasha Zotin nuk ka njeri mbi faqen e tokës, të cilin e dua më shumë, pas të dërguarit të Zotit, sesa ti. Por tani që ke thënë këtë fjalë kaq të rëndë, nëse ua them njerëzve do të demaskohesh, e nëse mbyll gojën kam tradhtuar besën që i kam dhënë Zotit dhe profetit Muhamed a.s. Prandaj, po shkoj tek profeti Muhamed a.s që ti tregoj dhe le të bëhet ç’të bëhet.”
Fëmija vajti tek i dërguari i Zotit a.s dhe i tregoi çfarë kishte dëgjuar nga goja e xhaxhait të tij. Menjëherë Profeti a.s e thirri dhe e pyeti:”Çfarë ke thënë?” Ai i tha:”Pasha Zotin nuk kam thënë asgjë, ai është gënjeshtar.” Tani e akuzoi dhe për gënjeshtër, ndërkohë që ky fëmijë i pafajshëm dhe i dëlirë ishte i sinqertë dhe u skuq ngaqë i erdhi zor. Menjëherë ngritu duart lart dhe u lut:”O Zot! Zbriti profetit Tënd një shpallje, që të merret vesh e vërteta!” Pa kaluar shumë kohë, profetit Muhamed a.s i vjen Xhibrili a.s dhe i shpallet ajeti:
“Hipokritët betohen për Allahun se nuk thanë asgjë (të keqe). Por, në të vërtetë, ata thanë fjalën e mosbesimit, mohuan pas (pranimit të) Islamit dhe synuan të bënin gjëra të paarritshme. Ata u bënë keqdashës, vetëm sepse Allahu dhe i Dërguari i Tij u kishin dhënë (besimtarëve) nga të mirat e Tij. Nëse pendohen, do të jetë më mirë për ta; por, nëse kthejnë shpinën, Allahu do t’i ndëshkojë me dënim të rëndë në këtë jetë dhe në tjetrën dhe ata nuk do të kenë kurrfarë mbrojtësi apo ndihmësi në Tokë.” (Teube, 74)
Xhaxhai i djalit tha:”Do të pendohem o i dërguar i Allahut. Po, e thashë atë fjalë dhe kërkoj falje për të.” Profeti a.s e kapi djaloshin për veshi, në shenjë përkëdheljeje dhe i tha:”Fjalën tënde e miratoi vetë Zoti mbi shtatë qiejt.”
Kështu, shohim që ky djalosh u bë shkak për pendimin e xhaxhait të tij të pasur. Ajo që është më e çuditshme, është se pas kësaj ngjarjeje, xhaxhai e vlerësoi dhe e shpërbleu nipin e tij, më shumë se më parë, pasi u bë shkak për pendimin dhe udhëzimin e tij.
 Ti mund të radhitesh në mesin e këtyre miliona njerëzve që e shijojnë jetën, mund të ushqehesh me ushqimet më të mira dhe të shijshme, mund të pish pijet më të ëmbla dhe të dobishme, të banosh në shtëpi luksi, të udhëtosh me makinat më të shtrenjta. Në fund të fundit, ti do të mbetesh një nga këta milionë. Por nëse mendon dhe vendos ti kthesh lavdinë popullit tënd, kjo bën diferencën. Një herë, u thashë studentëve të mi:”Më thoni emrin e një të pasuri, i cili ka jetuar në viti 1867 në Damask dhe unë, në këmbim, do i jap një notë të lartë. Të gjithë studentët u zhytën në mendime, por asnjëri nuk solli ndonjë emër. Unë u thashë:”Keni të drejtë, as unë nuk kam ndonjë emër në mendje. Por, a më thoni, kush prej jush nuk e njeh Omer ibnul Hattabin, Othman ibnu Affan, Ali ibnu Ebi Talib dhe Salahudin Ejubi, të cilët i ngritën kokën këtij umeti? Këta janë heronj të cilët i përjetësoi historia. Ju të rinj, e keni në dorë të radhiteni tek milionat e tjerë që hanë e pinë dhe e shijojnë maksimalisht jetën derisa tu vijë vdekja, e cila do u marrë nga kjo jetë dhe njerëzit do e harrojnë se keni jetuar. Ose, do të zgjidhni të jeni një hero i cili do ti sjellë popullit dhe umetit lavdinë e humbur, ose me dijet dhe arsimin tënd, ose me moralet, ose me arritjet. Mos pranoni të hyni tek njerëzit e rëndomtë dhe të plogësht!
Thotë Ali ibnu Ebi Talib:”Njerëzit janë tre kategori: Një i ditur që i vë në praktikë dijet e tij, një student që nxë dije në kërkim të shpëtimit dhe masa të rëndomta që rendin pas çdo britme. Këta të fundit nuk përfitojnë nga nuri i dijes dhe nuk gjejnë shpëtim nën strehën e tij. Kujdes mos jesh prej tyre!”
Mund të hysh në linjën e gjerë të shoqërisë, tek ata miliona të cilët Ditën e Kiametit nuk do të kenë asnjë peshë, do të jenë të vegjël para Zotit, e neglizhuan dhe injoruan Zotin në jetën e tyre dhe atë ditë do të injorohen. Thotë Zoti në Kuran:” Pa dyshim, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu do t’i shpjerë në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ndërsa ata që nuk besojnë dhe kënaqen e hanë ashtu siç gëlltisin bagëtia, do të kenë Zjarrin si vendbanim!” (Muhamed, 12)
“Kur Ibrahimi u lut: “Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në jetën tjetër!” – Allahu tha: “Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.” Eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (Bekare, 126)
“Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim.” (En’am, 44)
Për ata që kërkojnë kënaqësitë e kësaj bote, të gjitha dyert i kanë të hapura, gjithçka mund të gjendet lehtësisht, gjithçka që të jep kënaqësi, por… heroizmin shumë pak e kërkojnë, ndër një mijë veta, vetëm një mund të gjesh.
Nëse ndjen se i përkët një umeti, lavdia e të cilit shtrihet nga lashtësia, një umeti me histori plot heroizma dhe një umeti lavdia e të cilit këto kohë është venitur, mos u dëshpëro. Mund të të përdorë ty Zoti për zhvillimin dhe ngritjen e këtij umeti sërish, me duart e tua, dijet, arritjet dhe suksesin tënd. Në të kundërt, do të radhitesh tek masat e gjera të njerëzve, të cilët lindin, jetojnë dhe vdesin, pa e marrë vesh kush.
Secili prej nesh ka dy ekzistenca, njerëzore dhe kafshërore, secili prej nesh ka dy lloj nevojash, sublime dhe të rëndomta si ngrënia, pirja, riprodhimi, banesa, shëtitjet, arroganca me njerëzit, mburrja për arritjet, shtëpinë dhe pasuritë. Ekzistenca sublime me të cilën duhet të identifikohemi, është ajo njerëzore, ajo që përmbush nevojat e tij të larta dhe të fisme, ajo që përmbush njohjen e vërtetë, njohjen e Zotit, njohjen e Kuranit me të cilin na nderoi Zoti.
“Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fronin hyjnor (që mbisundon gjithësinë). Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!” (Araf, 54)
“Çdo lavd dhe falënderim i përket Allahut, i Cili i shpalli robit të Vet (Muhamedit) një Libër të dëlirë nga çdo shtrembërim” (Kehf, 1)
Në një hadith, tregohet se vetë Zoti mburret para melekëve me një të ri besimtar dhe u thotë: Shiheni robin Tim, i cili ka hequr dorë nga epshet për hatrin tim.”
Por i riu mund të bjerë edhe pre e pasioneve të tij, siç bëjnë me miliona njerëz të tjerë. Veçse duhet ditur, se këta miliona njerëz, nuk peshojnë tek Zoti as sa fleta e një mushkonje
Vëllezër të dashur!
Njeriu ka instinktin e ushqimit, i cili i përmbush nevojën për të jetuar. Ai ka instinktin e riprodhimit, i cili i përmbush nevojën për tu shtuar. Ai ka instinktin e emrit të mirë, gjë e cila i përmbush nevojën për më shumë sukses. Ai ka nevojë për tu vetaktualizuar, gjë e cila i garanton se emri i tij nuk do të harrohet, por do të përjetësohet në histori. Njeriu përbëhet nga ditët, çdo ditë që kalon, ka humbur nga vetja e tij. Këtë e ka thënë imam Hasen Basrij.
Në çdo ditë që lind dielli, dita thotë:”O bir i Ademit! Unë jam një krijesë e re dhe do të dëshmoj për veprat e tua. Më shfrytëzo për punë të mira, se nuk kthehem më gjer derisa të vijë Kiameti.”
Feja jonë është fe madhështore dhe aktuale. Në islam nuk ka privim, ashtu siç mendojnë disa. Jo, islami ka organizim dhe disiplinim. Çdo instinkti njerëzor, islami i ofron mundësinë e përmbushjes në mënyrë të ligjshme. Kështu, nëse njeriu e zbaton ligjin e Zotit, do të bëjë jetë të lumtur në këtë botë.
“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.” (Fussilet, 30)
Kjo do të thotë që nëse e njihni Zoti, njiheni edhe me rrugën e Tij, do të kërkoni të fitoni botën tjetër, për rrjedhojë do të fitoni edhe këtë botë. Kush e shet ahiretin për dynjanë, i humbet të dyja dhe kush shet dynjanë për të fituar ahiretin, i fiton të dyja.
Gjëja e parë me të cilën dua tu këshilloj, është që të studioni shkencat e fesë, sheriatin. Shkencat dhe dijet e kësaj bote, sigurisht që janë të çmuara dhe të vlefshme, por nuk e kalojnë kufirin e një zanati dhe profesioni. Nëse merr diplomat më të larta, thjesht do të fitosh rizk dhe do të bësh karrierë. Ndërkohë që me dijet fetare, ti përmbush ekzistencën tënde njerëzore. Çdo dije të fal kënaqësi dhe të sjell të ardhura. Kurse dijet fetare, të japin kënaqësi, janë të dobishme dhe të lumturojnë si në këtë botë ashtu dhe në tjetrën. Prandaj, ajo që e uroj për ju, është që të jeni të rrethuar nga atmosfera shkencore, me qëllim që ta zbuloni të vërtetën vetë, me dorën tuaj. Dashuria për veten, për shëndetin dhe vazhdimësinë e jetës, është një motiv shumë i fortë për të adhuruar dhe për t’iu bindur Zotit. Është e pamundur që njeriu të fitojë duke shkelur ligjet dhe dispozitat hyjnore, është e pamundur që ai ti bindet Zotit dhe të humbasë. Thotë Zoti në Kuran:” Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.” (Ahzab, 71)
Dijet që përfton për të marrë një profesion, të bëjnë të zgjuar dhe inteligjent, por jo të mençur. Për tu bërë i mençur, duhet të studiosh dijet e sheriatit, pasi ato të mundësojnë të njohësh realitetin absolut, të njihesh me shkakun e krijimit dhe të ekzistencës tënde.
Nëse prindërit do të të çonin në një vend të caktuar dhe të nesërmen zgjohesh nga gjumi, pyetja e parë që të vjen ndërmend është:” Ku jam këtu dhe për çfarë kam ardhur?”
Gjëja e parë dhe më e rëndësishme në këtë botë, është të kuptojmë përse ekzistojmë dhe përse jemi këtu. Përgjigjen e vetme e gjejmë vetëm në Kuran; Këtu kemi ardhur të njohim dhe adhurojmë Zotin e lartësuar.
“Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)
Nëse do të shkoje në një vend të huaj për studime, duhet ta kesh qartësuar me veten se çfarë dëshiron të studiosh. Kështu, nëse kërkon të njohësh Zotin dhe dispozitat e Tij, duhet ti japësh kohën e duhur këtij qëllimi duke dëgjuar një ligjëratë, duke lexuar një libër, lexim Kurani etj…. “Allahu u ka premtuar atyre prej jush, që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira, se do t’i bëjë mëkëmbës në Tokë, ashtu si i ka bërë ata para tyre dhe që do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që frikën do t’ua shndërrojë në siguri. Le të më adhurojnë Mua e të mos Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që, pas kësaj, mohojnë (besimin), pikërisht ata janë të mbrapshtët.” (Nur, 55)
Nëse lexojmë jetëshkrimin e dijetarëve më të mëdhenj, do të zbulojmë se ata gjetën besimin tek Zoti, duke studiuar universin, i cili është një faqe e librit hyjnor. Ai na tregon se Krijuesi i tij është vetë Zoti i madhëruar.
“Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. Ai do të thotë: “O Zoti im, përse më ringjalle të verbër, kur unë kisha shikuar më parë?” (Taha, 124)
Kështu, nëse jeton me Zotin pranë dhe duke ndjekur rrugën e Tij, të pret një jetë e mirë dhe e qetë, në të kundërt, të pret një jetë e vështirë dhe plot probleme.
“Vallë! A është besimtari njësoj si keqbërësi? Jo, ata nuk janë të barabartë.” (Sexhde, 18)
“Si mund të jetë i njëjtë ai, që i kemi premtuar shpërblim të mirë, të cilin do ta arrijë dhe ai që i kemi dhënë kënaqësi në jetën e kësaj bote, ndërkohë që në Ditën e Kiametit, do të hidhet në zjarr?” (Kasas, 61)
“A mos mendojnë ata që bëjnë vepra të këqija, se Ne do t’i bëjmë të njëjtë me ata që kanë besuar dhe që kanë bërë vepra të mira, se jeta dhe vdekja e tyre do të jetë e njëjtë? Sa keq që gjykojnë ata!” (Xhathije, 21)
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit