1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Të rinjtë, ata që bëjnë ndryshimin

Më të lexuarat

Nga: Dr. Aid El-karnij

Të rinjtë, ata që bëjnë ndryshimin

Ushtria e Profetit a.s që mori pjesë në Bedër, përbëhej kryesisht nga të rinj, të cilët kishin si qëllim nxjerrjen e njerëzve nga errësira në dritë. Kështu, ata i dhanë fund idhujtarisë, luftuan bixhozin dhe hoqën qafe ligësinë. Të rinjtë e çdo populli dhe të çdo brezi, janë ata që ngjallin shpresën dhe lavdinë e premtuar.
Ajo që më frymëzoi të shkruaj për të rinjtë e Tunizisë dhe Egjiptit, është se ata bënë ndryshimin, pas një ndërthurjeje mes besimit dhe punës… besimit në Allahun si Zot, islamit si fe dhe profetit Muhamed a.s si i dërguari i tyre. Sakaq, puna ishte për një jetë dinjitoze dhe për një shoqëri të shëndetshme. Ata i kryenin pesë namazet në shesh, mbronin rendin dhe qetësinë, pastronin rrugët, mjekonin të plagosurit dhe sistemonin trafikun. Ata kishin ndërthurur etikën e xhamisë me të fabrikës, faltores me të kompanisë, Kuranit me të mejdanit. Kështu, ata e lanë pa mend botën me besimin, durimin dhe kulturën.
Para një jave, gjendesha në Indi me disa ftues saudianë, ku vizituam pesë universitete në prefekturën Kexhirat, organizatën e dijetarëve në Nju Delhi etj… Atje gjetëm shumë të rinj besimtarë, të cilët kishin ndërthurur mes studimit të koleksionit të imam Buhariut dhe facebook-ut, mes përkujtimit të Zotit dhe studimit të kimisë, mes ndjekjes së traditës profetike dhe studimit të universit. Profesori i tyre në Indi, ishte doktor Ebul Kelam, fizikani mysliman që falet dhe që zbuloi bombën atomike. Populli indian e nderoi duke e zgjedhur president. Gjatë punës në laboratorin e tij bashkë me tetëdhjetë fizikanë, sa herë që thirrej ezani, ai linte punën dhe shkonte në  xhami. Të tillë i duam dhe të rinjtë tanë.
Unë habitem me disa të rinj, të falimentuar, të demoralizuar dhe të dështuar. Ata nuk kanë shënuar ndonjë sukses as në fe dhe as një jetën e përditshme. Madje, ankohen dhe u vjen turp nga feja. Nga perëndimi nuk kanë marrë gjë tjetër veçse vozitjen e benzit dhe veshjen e xhinsit. Zemrat i kanë të boshatisura nga besimi, kurse trutë të zbrazët nga kultura dhe dijet. Ata janë të shkëlqyer për të qëndruar sa më vonë natën, mjeshtër për të vrarë kohën, për të thithur tymin e cigares, për të përjetuar ëndrra rozë dhe vesvese djallëzore.
Namazi i të premtes në Indi, rastisi ditën që u largua diktatori egjiptian. Bashkë me ne, u falën mbi njëzet mijë të rinj myslimanë, të cilët kishin studiuar sheriatin, matematikën, kiminë dhe fizikën. Të gjithë luteshim që Zoti ti japë forcë popullit egjiptian, ashtu siç e kishte ndihmuar popullin tunizian më parë. Ata bartnin mesazhin islam, i cili bashkonte të bardhin me të ziun, të kuqin me të verdhin, arabin, indianin, persin, turkun, kurdin dhe të gjithë racat njerëzore.
Ndryshimin për më mirë dhe në formën më të plotë, tek umeti mysliman, nuk mund ta bëjë tjetër kush përveç rinisë besimtare, e cila ka si orientim Qaben dhe si udhëzues Kuranin dhe sheriatin. Këta të rinj, i besojnë punës dhe menjëherë pas namazit, shpërndahen në zyrat e tyre, klinikat, fermat, repartet ushtarake, universitetet dhe tregjet, duke kontribuar në ndërtimin e jetës. Ata ndërtojnë, planifikojnë, projektojnë, punojnë dhe mbjellin tokën, shesin dhe blejnë, mbrojnë atdheun dhe i shërbejnë shoqërisë islame.
Ne nuk kemi nevojë për të rinj të shthurur që tallen me fenë, tradhtojnë amanetin dhe nuk bëhen pjesë e zhvillimit të jetës. Të rinj të tillë janë parazitë në trupin e umetit, ata janë zero pa asnjë vlerë. Vallë nga u erdhi ideja se zhvillimi është i pamundur nën hijen e fesë? Fjalë e rëndë kjo që del nga gjuhët e tyre. Ne kemi parë me sytë tanë të rinj të suksesshëm si në lindje ashtu dhe në perëndim, të rinj të diplomuar në universitetet më të mira dhe me rezultate shumë të larta. Përveç këtyre tipareve, ata falin pesë kohët e namazit. Ashtu siç kemi parë të rinj të thyer shpirtërisht, dështakë dhe të demoralizuar, të cilët paaftësitë e tyre i fshehin pas riteve fetare që kryejnë, të rinj që kanë dështuar si në studimet e tyre, profesionin dhe prodhimtarinë.
Ne duhet të bëjmë bashkimin mes fabrikës dhe xhamisë, mes universitetit dhe mejdanit, mes Kuranit dhe laboratorit, mes lavdisë së jetës dhe shpëtimit të botës tjetër. O Zot na ruaj nga mosbesimi, fukarallëku, degjenerimi dhe përtacia! Thotë Zoti në Kuran, duke i portretizuar të rinjtë besimtarë, të cilët ndryshimin e  bëjnë realitet:”Ata ishin djelmosha që besonin në Zotin e tyre dhe Ne i forcuam në rrugën e drejtë.” (Kehf, 13)
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit