9 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Të pathënat e votës shqiptare “antiamerikane” për Jerusalemin dhe sa i vërtetë është lobimi i Presidentit Erdogan

Më të lexuarat

Nga Ylli Pata

Kalimi i rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Palestinën po përdoret nga opozita në Shqipëri si një kauzë e re për të luftuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar atë se po i ngul “thikën pas shpine” SHBA-së, apo Donald Trump-it, për t’i bërë qejfin Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Duket se u harrua “shkelja e Kushtetutës” për Kryeprokurorin e Përkohshëm dhe po ndiqet një shteg i ri, pikërisht për të marrë flamurin e proamerikanizmit, ndërkohë që SHBA nëpërmjet ambasadës akuzoi fort opozitën pas përdorimit të dhunës në Kuvend.

Po si është e vërteta dhe realiteti faktik i votës shqiptare në OKB, pro një rezolute që kërkon të mos prishen ekuilibrat e derisotme për Jerusalemin dhe Palestinën?

Siç mësohet nga burime diplomatike, SHBA nuk ka lobuar nëpërmjet linjave të Departamentit të Shtetit për të marrë një votë të caktuar në OKB, apo që Shqipëria të votojë kundër. Uashingtoni këtë qëndrim nuk e ka bërë as me aleatët e tjerë. Gjithashtu, edhe vendet e BE-së nuk kanë kryer një lobim diplomatik për këtë votë në Tiranë apo kryeqytete të tjera të Ballkanit. Ndërkaq, një nga vendet kryesore që ka lobuar për rezolutën që fitoi në OKB, mësohet se ka qenë Ankaraja.

Diplomacia turke, menjëherë sapo Egjipti mori iniciativën e hartimit të një rezolute, ka kryer kontakte intensive jo vetëm në Tiranë apo me Tiranën, por me të gjitha vendet e rajonit dhe Bashkimit Europian.

Madje mësohet se këtë lobim Turqia e ka bërë edhe me një nga vendet me më shumë probleme me të siç është Greqia. Dhe nuk është rastësi që edhe Athina, edhe Ankaraja kanë votuar njësoj në mbledhjen e mbrëmshme të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kjo rezolutë ka qenë iniciativë diplomatike e Presidentit Erdogan, i cili e shpalli qëndrimin publik në samitin e vendeve të Organizatës Islamike që u zhvillua para disa ditësh në Stamboll. Dhe si iniciativë diplomatike, ajo është lobuar por edhe konsultuar me të gjithë anëtarët e OKB-së.

Ndërkaq, mësohet se SHBA nga ana e saj, edhe pse ka qenë kundër kësaj rezolute, dhe e ka shprehur qëndrimin e saj me votë, nuk ka lobuar me aleatët e saj për të pasur një votë të tillë. Vërtet ambasadorja amerikane në OKB tha se “do të mbahen shënim vendet që do të votojnë pro rezolutës”, por një burim diplomatik bëri të ditur se “nëse SHBA do të donte që rezoluta të hidhej poshtë, mund t’ja kishte arritur qëllimit”.

Burimi i tha tesheshi.com se “qëndrimi i Presidentit Trump për çështjen e Jerusalemit është më shumë problem i politikës së brendshme amerikane, sesa një shtyllë e diplomacisë amerikane”.

Kjo sepse SHBA, që me rastin e marrëveshjes së famshme të “Camp David”-it është investuar për një paqe në Lindjen e Mesme mes Palestinës dhe Izraelit. Kulmi arriti në marrëveshjen e famshme që Presidenti Bill Clinton arriti po në “Camp David” me ish-kryeministrin e Izraelit Jitzhak Rabin dhe ish-kreun e Autoritetit Palestinez, Jaser Arafat.

SHBA, nëpërmjet Presidentit Donald Trump, edhe pse aktualisht ka qëndrime të përafërta me kryeministrin izraelit Beniamin Netanjahu, gjithsesi nuk mund të shkatërrojë atë që ka ndërtuar në më shumë se 40 vjet; që do të thotë se qëndrimi aktual i Trump për Jerusalemin është një mbajtje pezull i problemit palestinez dhe jo rikthim në pikën zero të situatës.

Por që prej mbrëmë, në qarqet opozitare të Tiranës po flitet për tradhëti dhe “prerje në besë” të SHBA nga Edi Rama, kur në fakt çështja është krejt ndryshe.

Qeveria e Edi Ramës, ndryshe nga ajo e parardhësit të tij Sali Berisha, në vitin 2014 votoi në OKB një rezolutë që njeh shtetin e Palestinës. SHBA në atë kohë votoi kundër rezolutës dhe president ishte jo Trump por Barack Obama.

Asnjë ndëshkim apo pasojë të ngjashme nuk i erdhi Shqipërisë nga Uashingtoni; përkundrazi, ka mbështetur dhe vazhduar linjën e saj në Ballkan dhe Shqipëri. Ajo rezolutë që njihte Palestinën-shtet  ishte lobuar nga Erdogan dhe arriti të fitojë, duke i dhënë natyrisht presidentit të Turqisë një peshë specifike në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2012, Erdogan që atëherë ishte kryeministër i Turqisë, paraqiti për herë të parë rezolutën që njeh Palestinën-shtet por ajo u rrëzua. Shqipëria që drejtohej nga Kryeministri Sali Berisha, i premtoi se do të votonte pro, por në fund abstenoi. Pikërisht kjo votë vulosi përfundimisht ndarjen ndërmjet Berishës dhe Erdogan, dhe këtë presidenti turk e tha publikisht.

Dhe që prej asaj kohe, ka pasur një sulm të vazhdueshëm nga qarqet pranë Berishës drejt qeverisë së Turqisë dhe në mënyrë të posaçme ndaj Presidentit Erdogan. Madje Berisha deklaroi në Parlament se ka qenë Turqia që ka ndikuar në rrëzimin e Marrëveshjes së Ujrave me Greqinë.

Faktikisht, që prej largimit të qeverisë së Berishës, marrëdhëniet e Tiranës me Ankaranë kanë qenë të afërta dhe kjo u përcoll edhe në relacionet njerëzore mes Rexhep Tajip Erdoganit dhe Edi Ramës. Po si ka kundësi që Erdogan, një musliman të ketë marrëdhënie me Edi Ramën që është katolik?

Ka mundësi sepse bëhet fjalë për marrëdhënie mes shtetesh për interesa strategjike të vendeve dhe jo për humore personale. Kjo në fakt është thelbi i politikës dhe diplomacisë si koncept. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit