Duke shpërfillur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Rripit të Gazës së rrethuar, ku që nga 7 tetori janë vrarë të paktën 34.049 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 76.901 të tjerë janë plagosur
Ministria e Shëndetësisë me bazë në Rripin e Gazës ka bërë të ditur se të paktën 37 palestinezë u vranë dhe 68 të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit si pasojë e sulmeve të vazhdueshme izraelite në enklavën e rrethuar, transmeton Anadolu.
“Forcat okupuese izraelite kryen katër masakra kundër familjeve në Rripin e Gazës, duke lënë 37 martirë dhe 68 të plagosur gjatë 24 orëve të fundit. Shumë njerëz ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë pasi shpëtimtarët nuk janë në gjendje t’i arrijnë ata”, njoftoi ministria.
Duke shpërfillur vendimin e përkohshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Izraeli vazhdon sulmet ndaj Rripit të Gazës së rrethuar, ku që nga 7 tetori janë vrarë të paktën 34.049 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe 76.901 të tjerë janë plagosur.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së territorit palestinez mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.
Armiqësitë kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë, megjithatë edhe dërgesat e ndihmave mbetet mjerisht të pamjaftueshme për të trajtuar katastrofën humanitare në Gaza.
/AA/