4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Të mbahesh me miellin nga serbia: Kosova mbjell 20 mijë hektarë grurë më pak

Më të lexuarat

Kosova që nga paslufta nuk ka arritur që të plotësojë nevojat e popullatës me grurë. Rrjedhimisht në vazhdimësi është importuar grurë dhe miell nga Serbia.

Cilësia e këtij produkti është kontestuar vazhdimisht, ndërsa është raportuar se me mijëra tonelata grurë që janë importuar nga Serbia kanë qenë të dedikuar për kafshë.

Duke e marrë parasysh këtë situatë, në vend që të ketë rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë, këtë vit është mbjellë rreth 20 mijë hektarë grurë më pak.

Kjo shifër u bë e ditur në tryezën e përbashkët të Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës me Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Në këtë tryezë u tha se është koha kur duhet të fillohet me një kampanjë dhe të promovohen shembuj të cilët do të ndikonin në vetëdijesimin e qytetarëve për konsumimin e prodhimit vendas, ngase sipas tij gjatë vitit 2016 Kosova importoi para të gatshme afro 6 miliardë euro.

Nga analiza e Shoqatës së Bujqve Prodhues të Grurit të Kosovës rezulton se bujqit, prodhues të grurit në Kosovë janë gjithmonë të ekspozuar konkurrencës së padrejtë të produkteve të grurit të cilët importohen në Kosovë.

Ndërkaq, fermerët po kërkojnë që të vendosen banderolat në miell sepse përmes tyre thonë se janë në gjendje ta dinë se sa importohet dhe sa prodhohet dhe në të njëjtën kohë kontrollohet cilësia.

Duke marrë parasysh se prodhimtaria e drithërave në përgjithësi është çështje mëse strategjike për Kosovën, sepse ofron sigurinë ushqimore për të gjithë qytetarët e Kosovës, në këtë tryezë është konkluduar se duhet kushtuar vëmendje të veçantë dhe duhet t’i ofrohet përkrahje e duhur në mënyrë që të mund të zhvillohet tutje.

Ja pse u mboll më pak grurë këtë vit

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës ka thënë për tesheshi.com se në këtë zvogëlim të sipërfaqeve të mbjella me grurë ka ndikuar konkurrenca jo-lojale e importimit të grurit nga Serbia, që për çdo vit mullinjtë kosovarë po furnizohen nga rezervat shtetërore të Serbisë mu në prag të fushatave të korrje-shirjeve tona.

“Ky grurë që po na vjen nga rezervat e Serbisë e humb vlerën ushqyese dhe ata fillimisht plasohet në treg të Serbisë për ushqim të kafshëve dhe kushton shumë lirë, në këtë mënyrë pronarët e mullinjve po e rrisin konkurrencën e prodhimit vendor ashtu që e kanë kushtëzuar grumbullimin e tepricave të fermerëve tanë me çmim shumë të ultë diku rreth 10-12 centë për 1 kilogramë, me ketë çmim prodhuesit e grurit nuk kanë mundur të mbulojnë më shumë se 60% koston e prodhimit”, thotë Tahiri.

Sindikalisti Tahiri thekson se subvencionet që po i jep Ministria e Bujqësisë nuk po kanë efektet e duhura, pasi që nuk po jepen në kohën e duhur dhe rrjedhimisht ato nuk po përdorën për të rritur rendimentin e grurit.

“Subvencionet që po i jep Ministria e Bujqësisë janë simbolike në krahasim me rajonin; edhe ato pak para që po jepen po keqpërdoren duke i dhënë një muaj pas korrjes se grurit dhe ketë mënyrë ato po shkojnë huq, sepse nuk po shfrytëzohen për investim të rritjes se rendimentit të grurit, ashtu që bujqit po mbesin me rendimente të ulëta, duke mos arritur të mbulojnë koston e prodhimit. Edhe plehrat, farërat dhe pesticidet që po importohen kanë vlera shumë të ulëta por me çmime të larta. Janë këto disa probleme kryesore që i kanë detyruar shumë fermerë të heqin dorë nga kultivimi i grurit”, theksoi Tahiri.

Kosova, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, çdo vit prodhon rreth 285 mijë ton grurë. Kjo përbën plotësimin e rreth 70 për qind të nevojave të Kosovës për grurë. Duke marrë parasysh faktin se prodhuesit e grurit në Kosovë nuk janë në pozitë të mirë në raport me prodhuesit e grurit në rajon, ndodh që ata nuk mund ta shesin grurin e tyre për shkak të konkurrencës jo të drejtë që vije nga importi i grurit dhe miellit.

Për tri vite u investuan 17 milionë euro për grurë

Sipas një hulumtimi të qendrës për gazetari hulumtuese Preportr, investimet që janë bërë në grurë nuk kanë dhënë rezultatet e duhura. Në periudhën 2013-2015 janë investuar në formë të subvencioneve 17 milionë euro grurë, por sipas hulumtimit në fjalë, kjo nuk ka ndikuar që të ketë rritje të prodhimit, as rritje të eksportit, ndërkaq importi ka shënuar rritje.

Sa i përket eksportit në vitin 2013 nuk ka pasur fare eksport të grurit. Në vitet vijuese, 2014 dhe 2015 ai ishte shumë i vogël përkundër rritjes në vitin 2015. Më 2015 eksporti është rritur në 203 mijë kilogramë me vlerë prej 57 mijë e 855 euro.

Te importi gjendja qëndron ndryshe, në vitin 2013 u importuan 53.5 milionë kg në vlerë prej 11.8 milionë euro. Më 2014, pati një rënie për 13.8% . Më 2015 importi është rritur në 61.6 milionë kg, në vlerë prej 12.7 milionë euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e grurit të importuar është rritur për 15%, ndërsa gjatë kësaj kohe shpenzimet për import të grurit janë rritur për 7.6%

Dallimi në mes importit dhe eksportit të këtij produkti për tri vite është mjaft i lartë. U eksportuan 252 mijë kg grurë në vlerë 67 mijë euro. Ndërsa importi ishte 161.3 milionë kg grurë në vlerë prej 34.8 milionë euro.

Sipas të dhënave të ASK-së, nuk ka rritje as të prodhimit të grurit pavarësisht investimeve prej 17 milionë eurove në këtë periudhë kohore. Në vitin 2013 janë prodhuar 391,727 ton grurë, ndërsa në vitin 2014 ka pasur një rënie të vogël të prodhimit pasi janë prodhuar 331, 296 ton grurë.

Përveç grurit, në Kosovë për t’i mbuluar nevojat e qytetarëve u importua një sasi e madhe e miellit i cili nga viti në vit vetëm se shënoi rritje. Më 2013 u importuan 45 milionë kg në vlerë prej 11.6 milionë euro. Më 2014 importi i këtij produkti u rrit për 8.8 milionë kg. Në vitin 2015 importi u rrit edhe për 1.6 milionë kg të tjerë.

Eksporti i miellit si edhe në produktet e tjera është mjaft i ulët. Mielli në vitin 2013 u eksportua në sasi prej 1.7 milionë kg, në vlerë prej 474 mijë euro. Më 2014, eksporti ishte 966 mijë kg miell, në vlerë prej 247 mijë euro. Në vitin 2015, eksporti ishte rreth 1 milion kg, në vlerë prej afër 270 mijë euro.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit