Nga: Shejh Ali Tantavi
Të lumtur, por nuk e dini!
Dy burra të fuqishëm mbajnë të njëjtën peshë, njëri shfryn e lodhet sikur po e mban i vetëm, kurse tjetri qesh dhe këndon, sikur nuk po mban asgjë.
Dy persona të sëmurë me të njëjtën sëmundje dhe në të njëjtën gradë, njërin e ka kapluar frika dhe e sheh vdekjen para syve duke e rënduar kështu sëmundjen, kurse tjetri është optimist, shërimi i qëndron para syve dhe për rrjedhojë, shëndeti i tij përmirësohet.
Dy burra dënohen me vdekje, njëri mbërthehet nga dëshpërimi dhe zia, duke vdekur një mijë herë para se ti vijë çasti vendimtar, kurse tjetri manifeston maturi dhe reflektim, nëse nuk i shpëton dot vdekjes, të paktën ajo nuk e vret pa i ardhur çasti.
Bismarku, njihet si gjakësor, burrë lufte dhe paqeje, një gjeni i rrallë. E kishte të pamundur të qëndrojë pa duhan qoftë dhe një minutë. Pa mbaruar njërën cigare, ndizte tjetrën. Nëse i mungonte cigarja, e kishte të pamundur të mendonte në mënyrë të kthjelltë. Gjatë një beteje, pa që i kishte mbetur vetëm një cigare, të cilën e ruajti për në çastin kur pa duhan e humbiste toruan. Qëndroi një javë pa duhan, me shpresë se së shpejti do e ndizte. Me ta gjetur, hoqi dorë përgjithmonë prej tij, pasi iu duk se e gjithë lumturia e vet personale varej nga një copë letre që mbështillte pak duhan.
Shejh Khudarij, një historian i njohur, nga fundi i jetës së tij, u fiksua se në zorrë i kishte hyrë një gjarpër. Ai nuk la doktor pa u vizituar. Të gjithë ngërdhesheshin dhe i pohonin se në zorrë mund të ketë askaride, por jo gjarpërinj dhe nepërka. Megjithatë, ai nuk besonte askënd. Kjo gjendje vazhdoi derisa arriti tek një doktor finok, i cili me ta dëgjuar, i dha një ilaç laksativ dhe e vendosi në regjim shtrati. Në enën përkatëse, doktori kishte vënë një gjarpër dhe më pas, ia tregoi të sëmurit, i cili me ta parë, u çel në fytyrë dhe iu kthye energjia. Nëse në spital kishte hyrë me karrocë të sëmurësh, ai doli në këmbë duke kërcyer. Që atë ditë, nuk u sëmur asnjëherë. Ajo që e shëroi shejhun nuk ishte gjarpri që i doli nga barku, por gjarpri që i doli nga koka. Atij sapo i ishin zgjuar energjitë e brendshme të cilat gjer atëherë kishin qenë të fjetura. Në brendësi, njeriu ka energji dhe forca të cilat nëse i shfrytëzon në dobi të tij, bën mrekulli.
Këto energji qëndrojnë të fjetura, derisa ti zgjojë frika ose gëzimi. Secili nga ne është sëmurë, e ka mbërthyer plogështia, ka humbur vendosmërinë dhe mezi lëviz këmbët nga rraskapitja. Por, me ti dalë përballë një gjarpër, ai shndërrohet në luan, sikur të mos kishte asnjë problem dhe sikur të mos kishte përjetuar lodhje. Ku vajti sëmundja dhe plogështia? Mund të jemi të rraskapitur për vdekje dhe mezi presim të mbërrijmë në shtëpi për tu shtrirë të çlodhemi, por atje na pret një telegram nga një mik që është nisur drejt nesh dhe kërkon ta presim në stacion; mund të jetë dhe një letër nga një ministër i cili na ka ofruar një detyrë të rëndësishme. Në atë çast, e gjithë lodhja dhe demoralizimi sikur të hiqen me dorë, uria të shuhet dhe rruga për tek destincacioni përkatës përshkohet pa e ndier.
Këto energji janë burimi i vërtetë i lumturisë, e cila shpërthen siç shpërthen uji i burimit nga shkëmbinjtë, i pastër dhe i freskët.
Lexues i dashur!
Ju jeni të pasur, por nuk e dini sasinë e pasurive që posedoni, nuk ua dini as vlerën, për të mos thënë që i shpërfillni. Dikush prej jush sëmuret, i dhemb koka, barku apo dhëmbi dhe e sheh të gjithë jetën të zezë e të errët. Përse vallë nuk e shihte të bardhë dhe plot dritë më parë? Nëse i nënshtrohet një diete dhe privohet nga kafshata e bukës, ka zili këdo që sheh duke ngrënë për qejf. Përse nuk ia ndiente lezetin para se të privohej? Përse nuk i vlerësoni të mirat, veçse pasi ti keni humbur? Përse i moshuari qan pleqërinë dhe nuk i gëzohej rinisë? Përse nuk e ndjen rehatinë dhe lumturinë veçse kur privohet prej saj? Përse e shohim lumturinë vetëm në errësirën e të shkuarës, apo në mjegullën e të ardhmes?
Të gjithë qajnë e vajtojnë të shkuarën, duke injoruar të tashmen para se të shndërohet në të shkuar.
Zonja dhe zotërinj!
Ne konsiderojmë pasuri, vetëm shumat monetare. A e dini historinë e mbretit të sëmurë, të cilit i sillnin ushqime nga më të shijshmet, e atij nuk i shijonte asgjë? Një ditë, ky mbret shikon nga penxherja kopshtarin e tij, i cili ishte ulur dhe po hante bukë të thekur me vaj ulliri. Njërën kafshatë e kishte në gojë, të dytën në dorë dhe të tretën e rrokte me syrin e tij të uritur.
Teksa e shihte, mbreti uronte që edhe ai të ketë një oreks të ngjashëm me të kopshtarit. Përse nuk e vlerësoni shëndetin? Po, a ka shëndeti vlerë?
Kush prej jush është gati të heqë dorë nga shikimi, kundrejt 100 mijë dollarëve?
Dikur, një burrë humbi rrugën në shkretëtirë. Ushqimi dhe uji i kishin mbaruar dhe gati po jepte shpirt nga uria dhe etja. Pas disa sorollatjeve, sytë i zunë një oazë me ujë, e përbri burimit gjeti një torbë. Pasi piu ujë, mori torbën me shpresë se do të gjente brenda ushqim. Por kur e hapi, pa që ishte plot me florinj. Nga dëshpërimi i ra torba përtokë, e më pas, i ra të fikët nga lodhja dhe uria.
Një tjetër, kishte adhuruar Zotin natën e Kadrit dhe i ishte lutur që gjithçka që i prekin duart, të shndërrohet në flori. Mesa duket, Zoti ia kishte pranuar lutjen për hir të kësaj nate të madhe. Kështu, me të prekur gurin e parë, ai u shndërrua në flori. Kur e pa këtë mrekulli, gati sa nuk i iku mendja nga gëzimi. Zoti sapo ia kishte pranuar lutjen. Me vrap u nis për në shtëpi duke fluturuar nga gëzimi. Shkon të hajë diçka, por me ta prekur ushqimin u shndërrua në flori, kështu filloi ta marrë uria. Shkoi e bija ta ngushëllojë dhe me ta përqafuar, u shndërrua dhe ajo në flori. Atëherë shpërtheu në të qara dhe filloi të lutej që ti kthehej e bija dhe ushqimi, duke ia hequr qafe floririn.
Rothshild hyri në depozitat e thesareve të veta, ku në një çast i ishte mbyllur dera dhe vdes në një det floriri dhe diamantesh.
Zotërinj të nderuar!
Përse kërkoni floririn, ndërkohë që notoni në flori?! A nuk është flori shikimi, shëndeti dhe koha? Përse nuk e shfrytëzojmë siç duhet kohën tonë? Përse nuk e vlerësojmë atë? Koha, shëndeti, mendja dhe shumë të tjera janë pasuri dhe shkaqe që na bëjnë të ndihemi të lumtur, sigurisht për ata që duan të jenë të tillë.
Pasuria më e madhe dhe më e vyer mbetet besimi, i cili ngop të uriturin, ngroh atë që mërdhin, pasuron fukaranë, gëzon të mërziturin, forcon të ligshtin, bujaron koprracin, ngushëllon të vetmuarin dhe i jep shpresë të demoralizuarit.
Veç kësaj, shih dhe ata që janë poshtë teje, sepse sado keq të jesh, do të shohësh me mijëra të tjerë që janë në kushte më të rënda, më pak të arsimuar, më pak të ditur, më të varfër…
Madje, do të thosha që ti je në kushte më të mira se shumë mbretër të botës. Ti je më mirë se kalifi Abdul Melik ibnu Mervan dhe Harun Reshid, dy kalifët që udhëhiqnin pjesën më të madhe të botës. Abdul Melik ibnu Mervan, vuante nga një dhëmballë e cila nuk e lejonte të mbyllë sytë natën. Ai nuk gjente një doktor për t’ia mjekuar dhe mbushur, edhe pse kishte kushedi sa tonelata flori. Ndërkohë që ti me të ndjerë pak dhimbje, gëzon shërbimin e dentistit.
Harun Reshid kishte qirinjtë për ndriçim nate dhe udhëtonte me kuaj, kurse ti ke korrentin dhe udhëton me makina. Ai e përshkonte rrugën nga Damasku për në Mekë, për një muaj, kurse ti e përshkon brenda një dite.
Lexues të nderuar!
Ju jeni të lumtur, por nuk e kuptoni. Jeni të lumtur nëse ndërgjegjësoheni për të mirat e shumta që u rrethojnë; jeni të lumtur nëse njihni veten tuaj dhe i shfrytëzoni energjitë vetjake; jeni të lumtur nëse lumturinë e kërkoni nga vetja dhe jo nga ata që u rrethojnë; jeni të lumtur nëse mendimet i keni të lidhura me Zotin, i jeni mirënjohës për mirësitë dhe bëni durim ndaj sprovave. Kështu, jeni të fituar në të dy situatat.
Përktheu: Elmaz Fida
…