17.7 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Larg nga… politika!

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Larg nga… politika!

Tregohet se shejh Muhamed Abduh, aq shumë e kishte marrë zët politikën pasi ishte akuzuar për lidhje me revolucionin irakian në vitin 182, saqë thoshte:”Zoti më ruajt nga politika, nga fraza politikë, nga domethënia e saj, nga çdo shkronjë nga e cila formohet emri politikë, nga çdo ide që më vjen në imagjinatë rreth politikës, nga çdo rrip tokë ku flitet për politikë, nga çdo person që flet, studion, çmendet dhe jepet pas politikës, si dhe nga gjithçka që lidhjet me të, nga afër apo nga larg.”
Nuk e shoh të përshtatshme të mallkojmë politikën, e cila është pjesë e jetës tonë, për shkak të lidhjeve me mashtrimin, zhvatjen, hedhjen hi syve dhe vrasjet, të cilat janë pasojë e zhveshjes së saj nga vlerat sublime, si drejtësia, liria dhe dinjiteti. Kjo, nën hijen e mungesës së institucioneve që përfaqësojnë mbikëqyrjen reale dhe që shprehin ndërgjegjen e popujve të lirë.
Në botën perëndimore, edhe pse politika ushqeu kolonializmin, ngjyrimet e ndryshme të ndërhyrjeve pragmatiste që vazhdojnë dhe sot e kësaj dite, një lloj hipokrizie që përdor të drejtat e njeriut si mekanizëm presioni dhe dualizmin në raste të ndryshme, lidhur me popujt e vet është karakterizuar nga një nivel i latë përgjegjësie dhe kredibiliteti. Kreu i një qeverie, apo presidenti i një shteti, mund të largohet nga posti për shkak të një skandali, i cili nuk është më shumë se një bisedë telefonike për përshpejtimin e një procesi për një mik, apo mikeshë, për një mitmarrje të paligjshme, pronësinë e një stilolapsi që i është dhuruar me  cilësinë e postit që mban, shmangien e taksave apo pronësinë e një apartamenti modest.
Në lashtësi, Amr ibnul As i pati portretizuar romakët (sot perëndimorët) me fjalët:”Njerëz me imunitet të madh ndaj padrejtësive të mbretërve”, gjë e cila ceket tek koleksioni i imam Muslim-it. Por nuk kam ndërmend të flas për këtë, as për politikën dhe politikanët. Këtu dua të flas për veten.
Dinamika e popujve dhe të rinjve arabë me idetë dhe mendimet e tyre, ka krijuar tek unë një ndjesi jo të zakontë, saqë të them të drejtën kam marrë inat veten.
Vakumi, madje do thosha hendeku i thellë që ndan gjeneratat e reja me ato të vjetra, më duket sikur thellohet më shumë. Më ngjan sikur valët që transmetojnë të rinjtë, janë të pakapshme fare nga prindërit dhe mosha e rritur.
Shoh shumë prindër, etër dhe nëna, të cilët e kanë të vështirë tu përcjellin fëmijëve të tyre, djem e vajza, mesazhin që duan. Ata sikur nuk e kanë parasysh kohën, duke menduar se çdo kohë është e përshtatshme. Shumë prej nesh nuk i besojnë më pjesësës “Do të” tek e cila nuk kanë asnjë shpresë.
Më ndodh të pyes veten, tani që kam kaluar të pesëdhjetat, nëse jam i sigurt në atë që ndjejnë fëmijët e mi karshi meje. A thua vallë janë të kënaqur me performancën dhe prindërimin tim?  Vallë çfarë ndjejnë karshi meje si prind? Mos gjithçka është kompliment, heshtje dhe represion ndjenjash? Apo është justifikim dhe arsyetim se tashmë i përkas një moshe dhe kohe të ndryshme nga ajo që jetojnë? Apo mos është një përzierje arsyetimi, kënaqësie dhe qortimi?
Nëse është kjo e fundit, për mua është më e mira nga tre alternativat, pasi jam i bindur se natyra e marrëdhënieve të mia me ta, ka gjëra që meritojnë të kritikohen.
Pyes veten dhe lidhur me ata që punojnë me mua… kjo, sidomos pasi pashë me sytë e mi shembjen dhe shpërbërjen e pushtetit të diktatorëve arabë, të cilët besonin se i donin popujt e tyre dhe ishin të gatshëm të flijonin gjithçka për ta. Ata dashuronin veten e tyre dhe mendonin se edhe njerëzit kishin të njëjtat ndjenja karshi tyre.
Vallë sa i kënaqur është me mua stafi me të cilin punoj, lidhur me marrëdhëniet e mia me ta, vlerësimin tim për punën e tyre dhe respektin e statusit të tyre? Këtu s’po flas për aspektin material.
Njeriu nuk është vetëm fizik. Ndonjëherë, atë që ia jep dikujt, mund ta shohë si një “ryshfet” për ti qetësuar valën e zemërimit. Por mund t’ia japësh pa asnjë shkak, por që nuk lë rast pa ia përmendur. Thotë Zoti në Kuran:” Fjala e mirë dhe falja e gabimit janë më të vlefshme se lëmosha që përcillet me fyerje.” (Bekare, 263)
Ibnu Abas thotë:”Fjalët e mira në mungesë të vëllait tënd, lutjet, lëvdatat dhe kapërcimi i një sfide, është më e vlefshme për ty sesa një lëmoshë që i jep dhe ia mban parasysh, duke e lënduar.”
Pyes veten… vallë sa i kuptoj dhe sa pranë u qëndroj të rinjve të vendit tim, si dhe të rinjve myslimanë me të cilët më lidhin faqet sociale facebook dhe twitter, emailet, blogjet, forumet, celulari, xhamia, shtëpia dhe rruga?
A është e mjaftueshme që mesazhi im tu mbërrijë atyre, pa e dëgjuar kthimin e jehonës? Më ka tronditur mesazhi që më ka dërguar një i ri dashamirës, i cili thoshte:
Si një nxënës i shkollës së jetës, po pyes, por jo sa për të thënë! A është e drejtë e nxënësit të kontribuojë për të ardhmen e shkollës së tij, apo i duhet të ulet në bankë e të qëndrojë, siç qëndronte një arab para revolucionit tunizian, dëgjon dhe merr, i diktohet vetëm ajo që do institucioni përkatës…”
Mesazhin e përmbyll me fjalët:”Ne jemi zëri i publikut dhe vullneti i popullit! E mirëpresim çdo ide dhe kjo na lumturon. Në fund të fundit, ne nuk jemi veçse një hapësirë e ideve. A është e mundur ta lexojmë një zë individual, por të guximshëm, si zërin e një populli të caktuar? Apo mos duhet të dalim në një shesh, në një orar, të ngremë lart një pankartë, mbi të cilën është shkruar:”Nxënësit duan të ndryshojnë performancën!” Mësuesi im! Fjala është njësuar me pulsin e zemrës, nuk i ndahem dhe nuk më ndahet në asnjë moment. Të rinjtë pas revolucionit tunizian, nuk janë po ata të rinj që ishin para tij.”
Lëvizja për ndryshim e shtyn gjithë universin drejt ndryshimit. Po ti, a i besoj kësaj, apo je gati ta abortosh.
Nga ana ime pyes:”A akoma nuk ka ardhur koha ti dëgjojmë seriozisht të rinjtë tanë? Mos vallë po i ironizojmë ëndrrat e tyre, duke u krenuar me përvojat tona në jetë?
Bijtë dhe bijat e mi plot ambicie! Juve që u kam njohur nëpërmjet faqeve sociale në facebook dhe twitter! Le ti shembim barrierat mes nesh, le të jemi të hapur, le ta themi troç atë që mendojmë dhe ta respektojmë të drejtën e secilit për të qenë ndryshe, edhe pse mund të jetë më i madh në moshë. Jo çdo i madh dhe i moshuar e ka humbur busullën dhe që nuk ia vlen të bisedohet me të. Uroj, bijtë dhe bijat e mi, që të na shihni një ditë të bashkuar dhe të vendosur t’ua themi mendimin tonë, të cilin kemi besuar se kishte humbur në mes të tollovisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit