KUDS (AA) – MUSTAFA DEVECI
Forcat izraelite të sigurisë më 6 prill vranë gazetarin palestinez, Yaser Murtaja, i cili po ndiqte “Marshin e Kthimit të Madh”. Kjo vrasje ka treguar edhe një herë se gazetarët palestinezë përballen me kërcënime të mëdha në detyrë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Murtaja në kohën kur u vra, mbante një jelek anti-plumb dhe helmetë me mbishkrimin “Press”, e cila ka shkaktuar debate të mëdha rreth asaj se ushtria izraelite me qëllim hap zjarr ndaj gazetarëve palestinezë.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) në 18 vitet e fundit ushtria izraelite ka vrarë të paktën 24 gazetarë.
Ndër gazetarët e vrarë në sulmet izraelite janë 21 palestinezë dhe 3 të huaj.
Shumica e këtyre gazetarëve u vranë nga ushtarët izraelitë me plumba nga armë zjarri.
Nga data 8 korrik deri më 27 gusht 2014, forcat izraelite kryen përpjekjen për pushtimin e Gazës, ku 2.100 palestinezë dhe 73 izraelitë humbën jetën. Mes izraelitëve të vdekur 66 ishin ushtarë.
Sipas organizatës “Gazetarët pa Kufi”, në tentativën izraelite të pushtimit të Gazës u vranë të paktën 12 gazetarë, nga të cilët 11 palestinezë.
Një nga shënjestrat e sulmeve ajrore izraelite në verën e vitit 2014 ishte stacioni televiziv “Al Aksa” në Gaza. Forcat izraelite kanë pranuar se me qëllim kanë goditur ndërtesën e televizionit, të cilën e akuzonin se është e afërt me lëvizjen palestineze Hamas.
Raporti i Kombeve të Bashkuara thotë se forcat izraelite me këtë rast në Gaza shkatërruan selitë e të paktën tetë shtëpive mediale dhe shtëpitë familjare e të paktën 16 gazetarëve palestinezë.
Komiteti për mbrojtjen e gazetarëve palestinezë deklaroi se të paktën 28 gazetarë palestinezë po mbahen aktualisht në burgjet izraelite. Shumica e tyre në qelitë e burgut me muaj janë duke pritur fillimin e gjykimit.
Aktivistët e të drejtave të njeriut nga Palestina paralajmërojnë se gazetarët janë gjithnjë e më shumë viktima të sulmeve të forcave të sigurisë izraelite.
Sindikata e Gazetarëve palestineze tha se Izraeli gjatë vitit të kaluar ka shkelur të drejtat e të paktën 740 gazetarëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gazën e bllokuar.
Shkelja e të drejtave të gazetarëve ka të bëjë me arrestimin e paligjshëm, plagosjen me armë zjarri, pengimin në kryerjen e detyrave të gazetarisë dhe mbylljen e mediave.
Kjo është 33 për qind më shumë shkelje të të drejtave gazetareske se në vitin 2016.
Agjencia palestineze e lajmeve WAFA raporton se forcat izraelite gjatë marsit të kaluar kanë shkelur të drejtat e të paktën 28 gazetarëve palestinezë.