9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Të flas ty, apo flas me ty? – Agim Baçi

Më të lexuarat

Të flas ty, apo flas me ty?

Agim Baçi

Ai që intrigë thur,
qëllimin e vet thyen;
Kush në dorë diç rreket të shtjerë,
veç për ta humbur ka.
I urti, intrigë nuk thur që ngadhënjyer të dalë,
ndaj dhe i pathyer është
– Në dorë diç të shtjerë nuk rreket,
dhe të humbasë, pra, s’ka pse.
Tao Te Ching

Sokrati, filozofi i lashtë grek, njihet si njeriu që ia dedikoi jetën kërkimit të së vërtetës dhe edukimit të bashkëqytetarëve të tij, por përfundoi në sallën e gjyqit nën akuzë për krime ndaj qytet-shtetit të Athinës, vendlindjes së tij. Akuzuesit thuhet se gjatë procesit i dhanë disa mundësi në mënyrë që Sokrati të tërhiqej nga qëndrimet e tij e të kërkonte ndjesë. Por ai e pa gjyqin krejt ndryshe dhe u mbështet tek ajo që kish deklaruar gjithmonë, se ishte i gatshëm të mbronte vetveten. Njohësit e filozofisë bashkohen me mendimin se ishte pikërisht vendimi për të pranuar fatin e vet, pra shpërfillja ndaj vdekjes fizike, që e bëri Sokratin të njihet si njeriu që kapërceu publikisht frikën e tmerrshme prej vdekatari duke refuzuar kryerjen e veprimeve për leverdi.

Por, a flirtoi Sokrati me të ardhmen, duke besuar se do të ishin pikërisht pasojat e atij vendimi që nga vdekatar do ta bënin të pavdekshëm? A e imagjinoi ai në atë çast mohimi teksa shkonte drejt vdekjes se priftëresha e Orakullit të Delfit, e nisur pikërisht nga mënyra se si vlerësonte bashkëbisedimin e Sokratit me veten, shkroi fjalinë monumentale “Njih veten!”.

Padyshim, nëse ndjekim rrjedhën se si ka ardhur te ne Sokrati si filozof, do ta kishim të pamundur të rroknim urtësinë pa këtë veprim. Por kur vjen çështja se çfarë jemi gati ne të sakrifikojmë pa kërkuar asgjë në këmbim në këtë botë, apo nëse do të guxonim të sakrifikonim atë që kemi në këmbim të zhdukjes së jetës prej frikacaku, nis e bëhet disi e rrëshqitshme natyra e përgjigjeve, edhe pse në ëndërrimin e tij më të thellë, gjithkush mund të dëshirojë të mbahet mend si njeriu që refuzoi favoret dhe pranoi të jetonte nën lëkurën prej vdekatari të frikësuar.

Por a është e natyrshme, pra e lindur, dëshira jonë për të shkuar drejt së mirës, apo vetëm e ëndërrojmë atë në çaste deliri, kur fusim veten në një imagjinatë duartrokitjesh për shkak të asaj që dhamë, që sakrifikuam, që mbrojtëm, pa i kërkuar askujt të na e këmbejë me diçka në këtë jetë këtë veprim?

Në një përshkrim të natyrës njerëzore, filozofi skocez i ekonomisë Adam Smith, shprehej se, pavarësisht se sa egoist mund të duket një person, disa ligje përcaktohen qartë në natyrën e tij, duke e detyruar atë të interesohet për fatin e të tjerëve dhe të konsiderojë lumturinë e tyre si të nevojshme për veten e tij, megjithëse ai vetë nuk merr asgjë nga kjo, përveç kënaqësisë për të parë këtë lumturi. Pra, Smith-i shkon drejt idesë se dëshira për të sakrifikuar është e natyrshme dhe jo e atypëratyshme, e çastit dhe pa kuptim për qenien njerëzore.

Por a mundet që një njeri të ndihmojmë dikë tjetër pa patur pritshmëri për reciproritet apo mirënjohje? A mundej që dikush të bëjë veprime të tilla nëse mendon se i vetmi realitet, i vetmi dimension i të menduarit dhe të jetuarit, është ky realitet që shohim e jetojmë në tokë?

Ndarja mes asaj që mendojmë për botët që na rrethojnë, pranimi ose jo i jetës së përtejme, mund të jetë vendimtar për atë që dëshiron të ketë një ndarje sa më të besueshme për veten e tij mes egoizmit dhe altruizmit. Ndryshe, nëse kemi vetëm njëmendësinë, botën e këtushme, atëherë ndarja mes egoizmit dhe altruizmit do të ishte thuajse e pamundur. Ose, përmes një hetimi të thjeshtë, mund që ta kuptonim se altruizmi mund të ishte streha ku egoizmi ndërton folenë, duke vëzhguar më pas duartrokitjet ndaj tij, dhe në pritje të një shpërblimi, ç’ka do t’i humbte gjithë fuqinë asaj që njeriu ëndërron – të jetë heroi pa pasur nevojë që dikush ta njohë!

Fjala dhe imagjinata morale
Karakteri, personaliteti, mëshira, dashuria, ndëshkimi, madhështia, inteligjenca – këto nuk janë thjesht fjalë, por janë një motor i jashtëzakonshëm. Por, si i vëmë në lëvizje? Dhe për më tepër, a mund të kenë të njëjtin kuptim për gjithsecilin nga ne nëse vetë nuk kemi përcaktuar nëse besojmë në Zot, besojmë tek Atdheu, te Tjetri, apo tek e Ardhmja?
Në një botë skeptike, ku Zoti dhe tradita janë në periferi të përditshmërisë, atëherë si do të komunikojmë? A kemi të njëjtin kuptim me brezat e tjerë për të njëjtat fjalë? Imam Gazaliu thoshte se “kur inati dhe pasioni sundojnë logjikën, shkatërrimi shpirtëror është i sigurt. Kur njeriu lejon që ndjenjat e ulëta të mbizotërojnë mbi ndjenjat e larta, atëherë kemi një derë të hapur për ligësinë dhe të keqen”. Thuajse në të njëjtën linjë, por edhe më i drejtpërdrejtë, është filozofi kanadez, debatuesi i çështjeve sociale, Jordan Peterson, i cili thekson se “E keqja ia shumëfishon përmasat katastrofës së jetës, duke e rritur dramatikisht motivimin tonë për të marrë kënaqësi të atypëratyshme që, tekembramja, e kemi të ngërthyer brenda vetes, për shkak të tragjedisë thelbësore të Qenies”.
Për ironinë tonë, e keqja përdor vetëdijen tonë për t’u bërë e fortë. Me sa duket ne nuk bëjmë dot të njëjtën pyetje që bënin gjyshërit tanë me shumë lehtësi – A bën dobi ushqimi dhe veshja për dikë që ka tradhtuar shpirtin e vet? Sepse përgjigjet janë shtyrë në një kufi të pabesueshëm morali, ku njeriu nuk e fsheh më aftësinë për të bërë keq, por krenohet me këtë aftësi. “Mendjemadhësia bie në dashuri me krijimet e veta dhe mëton t’i bëjë ato absolute”, shprehet filozofi Jordan Peterson në librin e tij “ 12 rregulla për jetën – një antidot ndaj kaosit”.

Sfida me egoizmin dhe altruizmin në punën tonë
Shpesh në punët tona, kudo që jemi, mund të ndjehemi të sfiduar. Dikush kërkon të ketë më shumë pushtet dhe gjen rastin të të kërkojë diçka përmes një rregulli kundërprodhues dhe në mënyrë irituese. Dhe shumëkush mund të jetë vënë në dilemë: t’ia bëjë të ditur, apo ta lërë të shkojë sikur nuk ka ndodhur gjë! Besoj se kjo dilemë mund të rrokë edhe atë më të zhurmshmin në cilëndo punë. Çështja më pas është te përsëritja e kësaj skeme. I pasfiduari ndihet pak më i fortë dhe, për më tepër, mund të ndjejë se ka të drejtë të sillet ashtu. Ndërsa ai që nuk e kundërshtoi, rrezikon të lejojë t’i ndodhin gjëra edhe më të mëdha, pasi i ka hapur udhë korruptimit të marrëdhënies. Korruptimi moral i kësaj marrëdhënieje është moskundërshtimi i duhur për gjërat që janë kërkuar gabim, se dikush ka vepruar vetëm e vetëm për pak më shumë pushtet, krijon pikërisht atë korruptim burokratik të institucionit ku punon.

Gjithkush me të drejtë thotë se, shpesh, heshtja vjen për shkak të altruizmit të brendshëm, për të toleruar ose për shkak të egoizmit për të mospranuar të merresh me dikë që e nënvlerëson. Ky është një shqetësim për shumëkënd, pasi ky konformizëm, kjo rënie dakord me humbjen e zërit për të thënë të vërtetat është baza ku diktaturat apo autokracitë shtrojnë jetëgjatësinë e tyre, pasi ekzistenca e ngritur mbi mashtrim është dera e autoritarizmit.

Psikiatri dhe mbijetuesi i kampit të përqendrimit nazist, Viktor Franklin, në librin e tij “Njeriu në kërkim të kuptimit” shkruante: “ekzistenca individuale, e ngritur mbi mashtrim dhe individualitet të munguar, i paraprin totalitarizmit social”. Frojdi, Jungu e Adler, që janë marrë pikërisht me problemet e pacientëve, bashkoheshin në të njëjtin mendim se shumica e problemeve vinin nga falsifikimi i realitetit që kishin pranuar në jetët e tyre. Ata besonin se gënjeshtra kalb strukturën e qenies njerëzore. Sipas tyre, totalitari dhe autoritaristi mohojnë në thelb nevojën që individi të marrë përgjegjësinë për përmirësimin e vetvetes. Dhe mosshënjimi ynë në shenjë në të tashmen mund të përshpejtojë të tatëpjetën.
Por përmirësimi vetes dhe shënjimi për të tashmen vjen me refuzimin ndaj falsifikimit që i bëhet realitet rreth nesh. Filozofët janë në një mendje se vetëm filozofia më cinike dhe më e pashpresë ngulmon që realiteti mund të përmirësohet me anë të falsifikimit.
Teksa shkruan për rëndësinë e shmangies së kaosit në jetët tona, Peterson thotë se ka dy mënyra të thjeshta, por që e dallojnë njeriun se si reagon përballë falsifikimit të realitetit: i pari, që është autentik, mendon se mosarritja e dëshirave mund të ketë pasur qasje të gabuar për ta arritur, ndaj dhe mësimi në këtë rast është leximi i rrethanave. Në rastin e dytë, ai që gënjen veten, mendon se bota është e padrejtë, se njerëzit janë ziliqarë, të trashë, që nuk marrin vesh.
Nga mënyra se si zgjedhim të reagojmë, sipas mënyrës së parë, apo së dytës, vendos edhe për mundësinë që kemi apo nuk kemi për të dalë nga kjo situatë, dhe për nëse do vëmë në funksion mekanizimin e altruizmit përballë realitetit apo atë të egoizmit.

Historia si leksion
Historia e Horusit, birit të Osirisit, që ndeshet me Sethin, xhaxhain e tij, pasi i ka copëtuar babanë, është në thelb historia e përballjes së gjithkujt që ka ardhur në këtë botë me të vërtetën dhe të shkuarën. Osirisi ishte për egjiptianët perëndia e traditës dhe që njihet si themeluesi mitologjik i shtetit. Por si në rastin e njohur të Abelit me Kainin, edhe Osirisi ka vëllain e tij, Sethin, që është i lig dhe intrigant, dhe që në një moment pabesie ndaj vëllait e copëton Osirisin dhe e shpërndan në të gjitha hapësirat e perandorisë.
Krejt ndryshe nga Osirisi, i biri i tij, Horusi, është “perëndia e vëmendjes”. Ai është i mprehtë dhe vëmendja e bën që në ndjeshjen me Sethin të triumfojë. Por gjatë përleshjes Sethi arrin t’i nxjerrë një sy, të cilin Horusi ja rrëmben sërish ndër duarsh dhe më pas zbret në botën e nëndheshme për t’ia dhënë të atit.

Kjo histori e Sethit që i dërgon syrin të atit në botën e nëndheshme, nuk është veçse paradigma e mundësisë që brezi që vjen, ta ripërtërijë të shkuarën, traditën për të mbajtur ndezur atë zjarr që ka ndriçuar brezat. Për të arritur këtë mbrojtje duhet të një betejë, e cila mund të jetë edhe me pasoja, edhe e llahtarshme, por e vetmja që ia vlen.
Pikërisht në këtë betejë vlejnë pikëpyetjet tona, nëse do të jemi egoistë, të mendojmë për vetveten, apo do të arrijmë të prodhojmë edhe përmes altruizmit dhe të ofrojmë një ndihmë pa pasur nevojë për lavdërime, dekorata, emisione televizive që do na kushtohen neve? Fundja ky është edhe ndryshimi thelbësor midis një altruisti dhe një egoisti: një person altruist, ndërsa ofron ndihmë, nuk ka nevojë dhe nuk pret lavdërim, mirënjohje ose shërbim reciprok në këmbim, madje nuk lejon as mendimin se tani i detyrohet diçka. Ai është i neveritur nga vetë mendimi se me ndihmën e tij ai e vendos një person në një pozitë të varur nga vetja e tij dhe mund të presë ndihmë ose shërbim në këmbim, në përputhje me përpjekjet dhe paratë e shpenzuara. Një altruist i vërtetë ndihmon pa interes. Ky duhet të jetë gëzimi dhe qëllimi i tij kryesor. Ai nuk i konsideron veprimet e tij si një “investim” në të ardhmen, nuk nënkupton që ajo do t’i kthehet, ai thjesht jep, pa pritur asgjë në këmbim.

Të të flas ty apo të flas me ty?
Altruizmit dhe egoizmi padyshim që prek edhe mënyrën se si ne jemi përballë tjetrit apo të tjerëve. Në bashkëbisedim padyshim ndodh që njerëzit për një çast të bëjnë pyetje: po unë ku qëndroj në këtë mes? Ndoshta sheh se tjetri është duke folur vetëm për vete pa të përfshirë. Ndoshta tjetri po bën prova se kur mund të flasë për ato që thotë. Atëherë, a rrezikojmë ne që nga egoizmi të mos marrim më pjesë në bisedë, apo nga altruizmi, të lëmë mënjanë gjithçka që kemi dhe vetëm të dëgjojmë?
Në fakt, problem i të dëgjuarit të tjetrit, apo mënyra se si i drejtohemi dikujt – pra nëse e mendojmë veten superiorë apo inferiorë ndaj atij që flet – vendos shumë në atë çfarë mendojmë ne për një bisedë, për një bashkëbisedim me të tjerët. Por, nëse biseda nis me qëllimin për të mundur dikë, për ta vënë në pozitë, atëherë nuk kemi të bëjmë aspak me një bashkëbisedim, por me një duel që në fund do të shkatërrojë një marrëdhënie.

Shkrimtari polak Vitold Gombroviç shprehej në librin e tij “Ditarët” se “Njeriu është një aktor i përjetshëm, por një aktor i natyrshëm përderisa artificialitetin e ka të lindur…- të jesh njeri do të thotë të shtiresh si njeri… pas kësaj maske nuk ka asnjë fytyrë – mund të mëtojmë vetëm që njeriu të ndërgjegjësohet për artificialitetin e vet dhe ta pranojë ekzistencën e vet”.
I ndershëm apo…?

Sa herë fletët e lemerisë së ngjarjeve na përfshijnë edhe ne, duke qenë dëshmitarë padrejtësish apo kurthesh të të pandershmëve, ne nisim të mendojmë se të ndershmit janë viktima të përhershme. Kjo e shkuar na bën të rimendojmë për fatin tonë, për atë që themi. Por shpesh, heshtja jonë – kjo heshtje në emër të shpëtimit të vetvetes,- është pikërisht ajo që kanë shpjeguar shumica e filozofëve – shtrimi i rrugës për ardhjen e autokracive dhe diktaturave. E kur ato nisin të funksionojnë, zëri ynë është i pavlefshëm.

Pikërisht në këtë panoramë njerëzore, të betejës së brendshme mes fuqisë për të thënë të vërtetën dhe për të mos parë nëse do të shpëtosh ti apo jo, shndrit ai moment i Sokratit, i qetë dhe i qartë, se duhej ta tejkalonte vdekatarin.

Hitleri, në veprën e tij Mein Kampf shkruante: “korruptimi i masave të gjera të një kombi ndodh gjithnjë më lehtë kur zë fill prej thellësive të natyrës emocionale, sesa kur i qasesh mes rrafshit të arsyes dhe vullnetit të lirë; kësisoj, falë mefshtësisë primitive të mendjeve të tyre, ata më kollaj bëhen viktima të gënjeshtrës së madhe se sa të gënjeshtrës së vogël, duke qenë se vetë ata s’e kanë për gjë të shtien në punë gënjeshtra të vogla për gjithfarë gjërash. Por të merreshin me falsitetet të përmasave të mëdha do t’u vinte turp. Kurrë atyre s’do t’u shkonte ndër mend të fabrikonin të pavërteta kolosale”.

Pra, gënjeshtrat e vogla janë grepi për të shkuar të gënjeshtrat e mëdha, fiks si peshkatari që fut në grep një peshk të vogël për të joshur peshkun e madh. Në fakt, kuptimi i gënjeshtrës vjen shumë vonë, atëherë kur marrëdhëniet mes individëve mes njëri-tjetrit, por edhe mes individit dhe shtetit e realiteti janë drejt fundosjes.

Parë kështu, mes të kuptuarit të botës, të kuptuarit të Tjetrit, të kuptuarit të Vetes dhe, për me tepër, të pranuarit apo jo të Zotit, vijojnë të kemi shumë nga përgjigjet lidhur me atë çfarë do të nënkuptojë gjithsecili prej nesh lidhur me egoizmin apo altruizmin.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit