16.8 C
Pristina
Tuesday, May 21, 2024

IDENTITETI DHE EGOCENTRIZMI – Klementin Mile

Më të lexuarat

IDENTITETI DHE EGOCENTRIZMI

Klementin Mile

Kriza e identitetit

Problemi më i madh dhe i gjithëkohshëm i njeriut është identiteti i tij. Nuk është vdekja, pasi ajo nuk mund të formulohet si problem, por vetëm si katastrofë ose fatalitet i pashmangshëm. Për vdekjen nuk ka zgjidhje, për identitetin po. Sot, në fakt, flitet shumë për një krizë identiteti që e përjeton çdo individ njerëzor. Të jesh në krizë identiteti do të thotë të mos dish kush je, të mos dish ç’kuptim t’i japësh jetës tënde, të mos dish sa dhe për çfarë vlen ti, të mos dish vendin që të përket ekskluzivisht ty në shoqëri dhe në botë.
Po t’i referohemi Sokratit, detyra kryesore e njeriut është të njohë vetveten, pra të arrijë ta identifikojë veten. Nëse njeriu nuk e bën dot këtë, jeta e tij shkon kot, pa qëllime autentike, në tension të vazhdueshëm dhe në injorancë të plotë. Jo vetëm kaq; secili prej nesh është gjithmonë i rrezikuar të dëmtohet nga veprime të njerëzve që nuk e dinë çfarë duan, pikërisht sepse nuk e dinë kush janë.

Në këtë kuptim, problemi i identitetit është themelor, pasi moszgjidhja e tij bën të lindin probleme të tjera në raportin e njeriut me veten ose në raportet e njerëzve me njëri-tjetrin. Nga ana tjetër, ky problem është shumë i vështirë për t’u zgjidhur. Identiteti është problem personal dhe nuk mund të zgjidhet në nivel impersonal, pra prej roleve që individi luan në shoqëri. Për shembull, gjatë një dite të zakonshme unë luaj disa role: pedagog në auditor, klient në kafene, anëtar në familje, pasagjer në autobus, teleshikues para televizorit, opinionist në gazetë etj. Por, kush jam unë? A mund të barazohet qenia ime me ndonjërin prej këtyre roleve? Kjo, pavarësisht rëndësisë së ndonjërit prej roleve, do të ishte reduktuese. Unë nuk mund të jem vetëm pedagogu, ose vetëm pasagjeri, ose vetëm opinionisti. Apo unë jam shuma e këtyre roleve? Por një shumë e tillë nuk ka kuptim. Është sikur të mbledhësh 1 kungull, 1 patate dhe 1 dardhë dhe të thuash që shuma është 3(!). 3 çfarë?! Megjithatë, edhe sikur një shumë e tillë të kishte kuptim, ajo do të ndryshonte nga njëra ditë në tjetrën, pasi do të kishte ditë që nuk do ta kryeja ndonjërin prej roleve apo do t’i shtoja jetës sime një rol të ri. Unë nuk mund ta barazoj konstanten e qenies sime me një shumë që nuk është konstante, por ndryshon sipas ditëve.

Zgjidhja e krizës
Problemi i identitetit mund të zgjidhet vetëm në nivel personal. Kështu, Zygmunt Bauman, ka treguar tri zgjidhje të mundshme për të shmangur krizën e identitetit: intimiteti, tregu dhe psikanaliza. Intimiteti, marrëdhënia dashurore, shërben si zgjidhje e problemit të identitetit sepse funksioni i tij është të na konfirmojë autoportretin tonë. Secili prej nesh ka një imazh për veten, si të thuash, i bën një portret vetes; gjë që do të thotë se ka intuitën se kush është në të vërtetë dhe në dallim nga të tjerët. Por, nëse ky imazh nuk shprehet në komunikim dhe nuk konfirmohet nga tjetri, atëherë ai është po aq ireal sa dhe një ëndërr nate. Intimiteti siguron partnerin e gatshëm për komunikim personal dhe konfirmim nga ky person tjetër i rëndësishëm. Në fakt, cilësia esenciale e partnerit intim është pikërisht kjo: ai është juria e kualifikuar dhe ekskluzive për të vlerësuar autoportretin tonë. Njerëzit e tjerë nuk mund ta kryejnë këtë funksion, ne nuk besojmë se shikimi i tyre mund të depërtojë deri në thelbin e qenies sonë. Kjo do të thotë se gjykimit të partnerit ne i besojmë plotësisht dhe konfirmimi që marrim (nëse e marrim) është vërtet bindës. Partneri na thotë: “Po, ti je vërtet ky person që imagjinon se je!”

Por zgjidhja intime e problemit të identitetit mbart vështirësi të mëdha. Së pari, nuk ka ndonjë garanci që secili prej nesh do ta gjejë një partner intim – intimiteti nuk është vetëm seksualitet, por edhe relevancë psikike ndërmjet dy personave. Së dyti, marrëdhëniet intime zakonisht zgjasin pak për shkak të monotonisë dhe konfliktit edhe pse institucioni i lidhjes mund të mbijetojë. Por një lidhje jointime (vetëm seksuale ose vetëm e bazuar në shkëmbim) nuk e konfirmon më autoportretin tonë. Në këto kushte, njerëzit e pafat në dashuri, priren ta zëvendësojnë intimitetin me tregun.

Tregu, si zgjidhje e problemit të identitetit, do të thotë të shpenzosh para për mallra, produkte, shërbime dhe aktivitete, të cilat duket se përputhen me imazhin që individi ka për veten. Kështu, nëse dikush e imagjinon veten si femër klasike të viteve ’50 në Parisin e pasluftës, atëherë zgjidhja është të shkojë në treg e të blejë veshje klasike, të blejë libra që flasin për atë kohë, të paguajë për të ndjekur aktivitete të llojit të “brezit të humbur”, të konsumojë verë franceze e kështu me radhë. Por zgjidhja e krizës së identitetit përmes tregut, përveçse kushton shumë, ka edhe mangësinë që nuk arrin të na dallojë qartazi dhe bindshëm prej gjithkujt tjetër. Prandaj, si alternativë e saj është zhvilluar psikanaliza.
Psikanaliza kushton më pak dhe bind më shumë. Njeriu që shkon te psikanalisti i bën vetes një autoportret me anë të rrëfimeve të tij, ndërkohë që psikanalisti e dëgjon dhe me anë të gjesteve miratuese, inkurajimit për të vazhduar rrëfimin më tej apo edhe thjesht heshtjes që shpreh vëmendje, ia konfirmon imazhin për veten. Psikanaliza, në këtë mënyrë, është shumë e afërt me intimitetin; kjo shpjegon pse shpesh ndodh që pacientët të bien në dashuri me psikanalistin.

Në Shqipëri psikanaliza është ende shumë pak e zhvilluar jo vetëm për shkak të konvencionit social që e trajton negativisht si “të mangët nga trutë” personin që shkon në seanca psikanalitike, por edhe sepse në Shqipëri, si një vend ku ndërveprimi është disa herë më intensiv se në vendet perëndimore, funksionin e psikanalistit e kryen miku i ngushtë. Kujtoni rastet kur jeni ndier keq, të pakonfirmuar nga askush dhe asgjë, dhe e keni zgjuar nga gjumi në mes të natës mikun tuaj, vetëm për t’i rrëfyer ndonjë ngjarje që tregon se ju jeni vërtet ashtu si mendoni që jeni.

Egocentrizmi
Problemi i identitetit, megjithatë, është i zgjidhshëm brenda kuadrit të egos. Edhe pse zgjidhjet mund të mos jenë të tilla një herë e përgjithmonë, edhe pse disa prej tyre mund të kenë kosto më të lartë se të tjerat, sidoqoftë kriza e identitetit mbetet një problem i menaxhueshëm për njeriun. Dhe kjo ndodh sepse, pavarësisht faktit që kriza e identitetit shihet si problem i egos, te zgjidhja e problemit përfshihen si elementë egoistë, ashtu dhe altruistë. Me përjashtim të tregut, ku kujdesi ndaj tjetrit dhe interesave të tij është në nivel minimal, në të gjitha zgjidhjet e tjera ky kujdes ndaj tjetrit është në nivele të larta.

Përndryshe nuk do të mund të funksiononte as intimiteti, as psikanaliza, as miqësia.
Por ky problem nuk mund të menaxhohet dot më kur egoja është vendosur tërësisht në shtratin e egoizmit, pra është bërë egocentrike. Në këtë moment, njeriu e humbet aftësinë për ta kuptuar krizën e vet, pasi kjo nuk ekziston më në formën e një problemi që mund të zgjidhet, por ka marrë trajtën e katastrofës që as mund ta përballosh, as mund ta shmangësh dot, sepse njeriu, thelbësisht, e ka përgatitur vetë katastrofën e vetes.
Christopher Booker-i na flet për errësirën që pushton shpirtin e njeriut, me këtë të fundit që shndërrohet në një lloj përbindëshi moral dhe psikologjik. Ky përbindësh është i pashpirt, krejtësisht i paaftë të ndiejë për të tjerët, edhe pse shpesh mund të vendosë një maskë mashtruese sikur e kundërta të ishte e vërtetë, dhe shqetësimi i vetëm real i përbindëshit është interesi i tij, në dëm të gjithkujt tjetër në botë.
Tri janë rolet në të cilat shfaqet e përbindshmja njerëzore në rrëfenja, por edhe në jetën reale. Së pari, në rolin “aktiv” të Grabitqarit që vjen vërdallë nëpër botë duke kërkuar viktima, duke përhapur frikë dhe shkatërrim. Së dyti, në rolin “pasiv” të Gardianit që e ruan me xhelozi “thesarin” ose “princeshën”, pra gjithçka të konsideruar me vlerë në botën tonë. Së treti, në rolin e Hakmarrësit, atëherë kur ia kanë marrë gjënë e vlefshme që ruante.

Natyrisht, duke marrë parasysh fuqinë shkatërrimtare të përbindëshit (pra të njeriut të kredhur në errësirën e shpirtit të vet, të njeriut egocentrik), ne mund të presim logjikisht fitoren e tij mbi njerëzit e tjerë që kanë ego, por jo egoizëm. Pra mbi njerëzit që ende arrijnë ta shquajnë si problem identitetin e tyre dhe që përpiqen ta zgjidhin krizën e identitetit. Por, edhe pse beteja mund të jetë e gjatë, me peripeci dhe kthesa të shumta, në fund është gjithmonë përbindëshi ai që mposhtet. Me fjalë të tjera, rruga egoiste e errësirës nuk mund të fitojë mbi dritën, kur kjo e fundit është dritë e mirëfilltë apo heroike.

Booker-i thotë që edhe pse përbindëshi ka forcë të madhe dhe dinakëri të madhe, ai ka megjithatë një pikë të dobët, e cila, logjikisht, përgatit fundin e tij. Ky është disavantazhi i egocentrikut përballë altruistit: egocentriku, për të cilin ekziston vetëm ai, interesat e tij dhe asgjë tjetër në botë, e shikon botën si prej një tuneli, të formësuar nga dëshirat egocentrike. Nuk ka pse imagjinojmë patjetër përbindësha rrëfenjash për ta kuptuar këtë. Mjafton të sjellim ndërmend politikanë egocentrikë, të fuqishëm dhe dinakë, pushteti i të cilëve dukej sikur nuk do të merrte fund kurrë. E megjithatë, këta politikanë të shndërruar në tiranë, për shkak të egocentrizmit apo errësirës së shpirtit të tyre, kur janë përballur me kundërshtarë të vërtetë, heroikë për nga misioni i tyre dhe mënyra e përballimit të sfidave, janë mposhtur.

Në botën e rrëfenjave kemi rastin e Davidit që mposhti Goliatin, rastin e Tezeut që mposhti Minotaurin dhe shumë e shumë të tjerë. Në të gjitha rastet, përbindëshi është mposhtur për shkak të verbërisë së vetë, për shkak se nuk ka arritur ta kuptojë dhe shohë defektin e vet, ashtu siç nuk arrin kurrë egocentriku të dallojë krizën e vet të identitetit në errësirën ku jeton.

Në terma të tjerë, për shembull psikologjikë, përbindëshi humbet përballë heroit të vërtetë dhe altruisti fiton mbi egocentrikun sepse “vetja” e altruistit ka prioritet ndaj “unit” të egocentrikut. Në këtë diferencë midis unit dhe vetes, sipas konceptit të zhvilluar nga Carl Gustav Jung, gjendet logjika e superioritetit të altruizmit ndaj egoizmit. Kështu Jung-u shkruan që përderisa uni është veçse qendra e fushës sime të ndërgjegjes, uni nuk është identik me totalitetin e psikës sime, duke qenë thjesht një kompleks ndërmjet komplekseve të tjera. Prandaj, nënvizon Jung-u, unë e dalloj “unin” nga “vetja”, pasi uni është veçse subjekti i ndërgjegjes sime, ndërkohë që vetja është subjekti i totalitetit tim: prej kësaj rrjedh që vetja e përfshin edhe psikën e pandërgjegjshme. Në këtë sens vetja është një madhështi (ideale) që e përqafon dhe përfshin unin. Në fantazinë e pandërgjegjshme vetja shfaqet shpesh si personalitet ideal, si Fausti në raport me Goethe-n, apo si Zarathustra në raport me Nietzsche-n.

Egoizmi, ose egocentrizmi, sado i përhapur qoftë në kohën tonë, sidoqoftë është logjikisht dhe ekzistencialisht inferior ndaj altruizmit. Nëse egocentrikët vijojnë të korrin fitore dhe të jenë të sigurt në vijimësinë e suksesshme të rrugëtimit të tyre të errët, kjo nuk duhet marrë si shenjë e një bote të ndërtuar për të shpërblyer të keqen dhe ndëshkuar të mirën, por si tregues i përpjekjeve njerëzore të pamjaftueshme, në volum, intensitet dhe imagjinatë, për ta mposhtur të keqen.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit