15.3 C
Pristina
Sunday, May 12, 2024

Besnikëria ndaj vetes si egoizëm mohues – Brenton Kotorri

Më të lexuarat

Besnikëria ndaj vetes si egoizëm mohues

Brenton Kotorri

Egoizmi më i madh brenda njeriut, si qenie sociale, ndoshta shfaqet kur ai, në mënyrë të pavetëdijshme, pranon të sakrifikojë gjithçka vetëm për të mos e tradhtuar vetveten. Na ndodh të gjithëve, madje edhe atyre që konsiderohen si mendjet më të mëdha të njerëzimit. Edhe njerëzit e patëmetë shpesh ndodh të kritikohen për një qëndrim të hershëm të cilin nuk e ndryshuan kurrë. Virtyt, nga ana tjetër, e pse jo shenjë e altruizmit, është vetëkritika ndaj një mendimi, qëndrimi apo veprimi të gabuar që dikur mund ta kemi mbajtur si gur themeli të identitetit tonë.

Të “tradhëtosh veten tënde të mëhershme” si virtyt
Në leximet e mia filozofike ka qenë edhe Hilary Putnam, filozof të shekullit të njëzetë ky, i rëndësishëm për kontributet e tij në filozofinë e mendjes, në filozofinë e gjuhës dhe logjikën. Njëra prej kritikave kryesore që i është bërë këtij filozofi ka qenë pikërisht ajo se ai “ndryshonte mendje shumë shpesh” për gjërat. Putnam-i ishte rigoroz sa i takon bindjes se duhet ndjekur e vërteta pavarësisht se ku të shpie ajo. Për këtë arsye, edhe studimet, hulumtimet dhe metodat e veta ai i vendoste nën të njëjtën lupë dhe analizë zbërthyese shkencore siç bënte ndaj filozofëve që ai vetë kritikonte. A mund të jetë, në fakt, kritika më e madhe që i bëhet Putnam-it në të njëjtën kohë edhe një theksim i virtytit të tij të joegoizmit?

Sigurisht që Putnam-i është njëri nga mijëra shembuj; historia ka njohur mendimtarë, shkencëtarë, politikanë, gjeneralë e sidomos filozofë që kanë ndryshuar mendje në mënyrë edhe më të bujshme sesa Putnam-i. Ky është virtyti ekskluziv i atij që shkon përtej egoizmit, egocentrizmit të vet, në gjurmim të së vërtetës më të madhe që zbulon në rrugëtimin e tij.

“Të ndryshosh mendjen si virtyt” është diçka që nuk e dëgjon shpesh. Më së shumti, të ndryshosh mendje shihet si dobësi, mungesë e shtyllës kurrizore. Ndërkohë që mosndryshimi i mendjes nuk mund të jetë asgjë tjetër sesa pikërisht dobësi, fryt i krenarisë egoiste dhe jo një pasqyrim i fuqisë dhe mençurisë. Disa krenohen që nuk janë lëkundur kurrë, që janë konsistentë. Kur bëhet fjalë për besimin në parimet hyjnore, mund të ketë vend për këtë. Megjithatë, ne duhet të rishikojmë herë pas here atë që e konsiderojmë si bindje. Edhe kur nuk ndryshojmë mendje – pra të reflektojmë – një tjetër virtyt ky.

Ne kemi bindjen dhe veprojmë sipas besimit se gjërat që bëjmë janë të drejta (të paktën kështu mendon shumica prej nesh). Nëse idetë dhe veprimet tona janë të drejta për ne si individë apo për gjithë të tjerët, ky është një debat tjetër. Pikërisht këtu qëndron fija ndarëse mes egoizmit dhe altruizmit. Egoizëm është kur je i bindur se idetë dhe veprimet e tua duhet të gjithëpranohen nga të tjerët. Altruizëm është kur beson se dikush tjetër mund të paraqesë një ide apo veprim më të volitshëm apo më të drejtë.

Filozofia
Filozofët nuk kanë treguar shumë simpati për egoizmin psikologjik. Në të vërtetë, të vetmet figura kryesore në historinë e filozofisë që e miratojnë në mënyrë eksplicite pikëpamjen janë ndoshta Thomas Hobbes dhe Jeremy Bentham. Disa mund të përfshijnë edhe Aristotelin.

Problemi i altruizmit dhe egoizmit përbën një nga çështjet më të hershme të filozofisë morale. Një pjesë e madhe e mosmarrëveshjes së zgjatur ndërmjet Sokratit dhe sofistëve (të paktën siç tregohet nga Platoni), mund të karakterizohet si një përpjekje për të dhënë një përgjigje altruiste të kënaqshme ndaj egoizmit të sofistëve. Në mënyrë të ngjashme, në një periudhë shumë të mëvonshme, si egoizmi filozofik i Thomas Hobbes (1588-1678), ashtu edhe egoizmi më ‘botëror’ i Bernard Mandeville (1670-1733), i paraqitën filozofëve të gjuhës angleze të shekullit të XVIII-të një sfidë të re. Çfarë përgjigjeje duhej t’i jepej ‘shpirtit të arsyeshëm’ të Hulumtimeve të David Hume në lidhje me Parimet e Moralit, personazhit lehtësisht të imagjinueshëm që përdor mjete racionale për të përmbysur detyrimet morale?

Të veprosh në përputhje me Rregullin e Artë (Aristoni i Aristotelit) do të thotë të përshtasësh me arsyen tënde dhe interesin tënd praktik, parimet e së mirës së përgjithshme. Të mirat e përgjithshme nisin në fakt, sipas teologjisë, me zbatimin e urdhëresave të Zotit që iu dhanë Moisiut për gjithë njerëzimin e që nisin me Urdhrin e Parë: ‘Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën, shpirtin dhe mendjen tënde’. Dëshira për sintezën e arsyes (që shtyn drejt egoizmit) dhe moralit (që shtyn drejt altruizmit) ka përshkuar gjithë filozofinë moderne, tërthorazi apo drejtpërsëdrejti. Edhe vetë teologët në krishtërim ose islam janë përpjekur, përmes traktateve të tyre, të analizojnë dhe të interpretojnë pikërisht këtë sintezë, shpesh me sukses, por pa famë në epokën bashkëkohore të mbytur nga materializmi me origjinë Revolucionin Francez e që kulmon me komunizmin.

Psikologjia
Në rrafshin e psikologjisë ekzistojnë dy aspekte të rëndësishme për t’u theksuar në lidhje me mënyrën se si egoizmi psikologjik dhe altruizmi lidhen me njëri-tjetrin. Së pari, egoizmi psikologjik bën një pretendim më të fortë dhe universal se “të gjitha dëshirat tona janë egoiste, ndërsa altruizmi psikologjik thjesht bën pretendimin më të dobët se “disa nga dëshirat tona janë altruiste”. Kështu, e para është një tezë moniste, ndërsa e dyta është një tezë pluraliste. Rrjedhimisht, egoizmi psikologjik është më i lehtë për t’u hedhur poshtë sesa këndvështrimi i kundërt. Nëse dikush do të demonstronte me sukses se disa – qoftë edhe vetëm një – nga dëshirat e një personi janë altruiste, atëherë ne mund të refuzojmë me siguri egoizmin psikologjik.

Psikologjia bashkëkohore perëndimore ka një qëndrim të dyfishtë ndaj egoizmit. Çka mund të gjendet e përmbledhur në mendimin e Erich Fromm-it, i cili na thotë se kultura moderne është “e tejshpuar nga tabuja mbi egoizmin. Në të njëjtën kohë, një pikëpamje e tillë bie ndesh me përvojën e përditshme të jetës, në të cilën e drejta e personit për egoizëm konsiderohet si dëshira e tij më e fortë dhe më e arsyeshme. Kjo është arsyeja pse dëshira jonë që një person të mos jetë egoist është e paqartë: mund të nënkuptojë direktivën për të mos qenë vetvetja dhe për të mos dashur veten duke shtypur kështu zhvillimin e lirë të personalitetit” [Fromm, 1990].

Reciprociteti direkt
Në epokën postmoderne, për shkak të përcaktimit të barazisë mes idiosinkrazive si parim themelor, është zhvilluar koncepti i reciprocitetit direkt, ku unë jam egoist ndaj tjetrit kur tjetri është egoist ndaj meje dhe jam altruist ndaj tjetrit, kur ai është altruist ndaj meje. Një praktikë e cila sjell dy probleme themelore që e pamundësojnë këtë qasje të ekzistojë përveçse si fasadë: 1- Problemi i lëvizësit të parë: kush do ta bëjë hapin i pari? (arsyeja matematikore nuk lejon që njëri prej subjekteve të jetë iniciator i parë, që më pas tjetri t’i përgjigjet reciprokisht); e për rrjedhojë: 2- Problemi i çastit fundor: kush do ta mbyllë saraçineskën e altruizmit/egoizmit karshi subjektit tjetër. Fatmirësisht, kjo gjendje është vetëm sipërfaqësore, pasi sikurse na tregon historia njerëzore, në natyrën e vet, njeriu e ka të pamundur të jetojë vetëm matematikisht apo vetëm racionalisht.
Le të kthehemi tek teza jonë fillestare: A përbën besnikëria ndaj gabimeve tona një formë të qartë egoizmi? Pa dyshim, për aq kohë sa qendërzohemi tek vetja dhe nuk pranojmë se një e vërtetë më e madhe mund të na kthejë kokëposhtë.

Akademizmi dhe politika
Përveç tifozerisë në sport, dy sferat ku njeriu e ka tepër të vështirë të ndryshojë mendim për bindjet e veta të mëparshme janë: akademia dhe politika. Në akademi, rrugëtimi i studiuesit/shkollarit nis e ndërtohet gjatë viteve si student, i ndikuar prej një grupi autorësh/pedagogësh, ai i shkruan disertacionet e veta i ndikuar nga një rrymë mendimi dhe me synimin për të konfirmuar atë që ka nisur të besojë. Shkollari debaton, hulumton, ata të laboratorëve edhe eksperimentojnë, për të vërtetuar atë që besojne paraprakisht.

Është e rrallë të gjesh një mendimtar që hedh poshtë idetë e veta “të dikurshme”. Rasti i Putnam-it që sollëm në fillim është një ilustrim i vetëdijësimit për këtë “tradhëti ndaj vetes” e cila mbyt egoizmin. Një shembull i famshëm në Europë është diferenca mes dy miqve intelektualë: Raymond Aron dhe Jean-Paul Sartre. Të dy e nisën si socialistë të pas L2B. Kur u pa se çfarë ndodhi me komunizmin në Rusi, Aron ndryshoi mendim për marksizmin dhe tek vepra e tij Opiumi i intelektualëve shfaqet si një prej kritikëve në vazhdimësi të Marksit. Sartre, edhe e vizitoi Bashkimin Sovjetik dhe pa me sytë e tij mjerimin që sjell komunizmi, vijoi t’i propagandonte botës se përfundimisht materializmi do të triumfonte për të sjellë utopinë. Roger Scruton-i rrëfen për periudhën e rinisë e tij si komunist dhe se “i thirri mendjes” teksa pa histerinë e protestave anarkiste të vitit ‘68-ës në Paris. Eric Hobsbawm-i, megjithëse dëshmoi terrorin e Khmer Rouge (Kmerët e Kuq), Maos dhe Stalinit, nuk e tradhëtoi kurrë vetveten dhe Marksin, madje duke deklaruar në mënyrë të bujshme se “do të ishin të justifikuara edhe miliona vdekje të tjera” vetëm që komunizmi të përmbushej plotësisht.

Politikani e ka thuajse të pamundur të ndryshojë mendim sepse çka beson, e praktikon; kështu, në rast të ndryshimit të mendjes, do të duhej të braktiste egoizmin e tij dhe veç fjalëve të veta, të tradhëtonte edhe veprimet e tij, aksionet e tij, elektoratin e tij. Ndaj edhe elektorati, sa herë që një politikan kapërcen ylberin politik, e etiketon dhe përcakton atë menjëherë si “Tradhtar të idealeve” dhe e shenjon si njeri të interesave të ngushta, duke e arsyetuar si shenjë egoizmi këtë ndryshim, sepse ndoshta pavetëdijshëm publiku e kupton se për hir të interesave të veta (karrierës politike ose pasurimit) politikani mund të ndryshojë qëndrim. Në shumicën e rasteve elektorati e ndëshkon këtë dikur-shërbestar-të publikes, tashmë-egoistin-ambicioz-karrierist-pragmatist. Mirëpo tek politikani i shekullit XXI, edhe ndryshimi i mendjes është shenjë egoizmi. Ngase jemi në epokën postideologjike, kur populizmi ngadhënjen dhe “të thuash e bësh gjithçka që të sjell vota” është norma e re.

Virtyti
E gjithë idea se ajo që besojmë është e drejtë bazohet në informacionin apo të dhënat që kemi në dispozicion, por edhe bazuar në emocionalitetin subjektiv ndaj një ideje apo veprimi. Ndonjëherë ne përqafojmë veprimet dhe botëkuptimet sepse ato duken si të drejta. Por bashkë me këtë përqafim duhet mbajtur hapur dera për të ndryshuar mendim, ndryshe rruga drejt fanatizmit është e garantuar.
Ndryshimi i mendjes si virtyt mund të ndodhë kur kuptojmë se kemi gabuar. Është marrëzi të mbash një opinion kur e kupton se ai është i rremë. Paaftësia për të pranuar se je gabim është e prerekuizitë për vetëvrasjen mendore dhe atë shpirtërore. Të mos pranosh se je gabim apo së paku se ekziston potencialisht probabiliteti që të jesh gabim, është egoizëm edhe më ekstrem, sepse indirekt implikon një venerim për idiosinkrazinë e vetes. Është metoda e duhur (e tmerrshme) për t’i ngritur vetes një kult të cilin më pas duhet ta adhurosh si hebrenjtë që derdhën viçin e artë.

Në shkrimet e shenjta, vetëm Zoti është absolut, i pandryshueshëm sepse pandryshueshmëria e Tij është e vetëkuptueshme dhe vetëkoherente. Cilido që pretendon të qëndrojë i pandryshueshëm, rrezikon të zhytet në vetidolatrinë e të besuarit se është gati-gati Zot. Një egoizëm i tillë pa dyshim të çon në shkatërrim.

Në fakt për njeriun ka kuptim të mos ndryshojë mendim sa u takon parimeve, kur njihet me të Vërtetën. E Vërteta më sublime njihet vetëm përmes afrimit me Fjalën më sublime, që është ajo e pakontestueshmja, e që njerëzit rreken ta gjejnë tek shkrimet e shenjta ose së paku tek eksperienca njerëzore mijëravjeçare; tek fjalët e mençura të të moçmëve. Kur njerëzit besojnë tek Fjala e Zotit, ata përjetojnë kontaktin me të Vërtetën, e cila ngadhënjen mbi çdo të vërtetë parciale. Nënshtrimi ndaj së Vërtetës dhe mosndryshimi i mendjes vetëm në këtë rast nuk është egoizëm. Është në fakt çlirim nga egoizmi. Sepse vetëm tek nënshtrimi ndaj Fjalës tejkalohet egoizmi dhe altruizmi. Përmes parimeve që lindin prej së Vërtetës transhendentale, njeriu mund të ndërtojë gjithë botën. Kjo nuk jep garanci se bota e ndërtuar do të jetë aq perfekte sa e Vërteta, por jep garanci se destinacioni do të jetë i kthjellët dhe metoda e drejtë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit