3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Të dhënat për varfërinë e papunësinë, të papërditësuara

Më të lexuarat

Të dhënat e fundit zyrtare për varfërinë dhe papunësinë në Kosovë nuk janë përditësuar që nga viti 2009. Përfaqësues të organizatave ekonomike në vend konsiderojnë se mungesa e të dhënave më të reja,ka pasur efekte negative edhe në ekonomi, në veçanti tek investitorët potencialë.

Sipas këtyre të dhënave të vitit 2009, 34 për qind e popullsisë konsiderohen të jenë të varfër me 1.5 euro në ditë, kurse 12 për qind në varfëri të skajshme me vetëm 1 euro në ditë. Ndërkaq, norma e papunësisë, po ashtu, sipas të dhënave të vitit 2009, është 45 për qind dhe norma e të punësuarve është jashtëzakonisht e ulët, rreth 26 për qind.
Zëvendësdrejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se mungesa e të dhënave ka pamundësuar prezantimin e saktë të shifrave të Bruto-Produktit të Brendshëm për kokë banori, e që sipas Zekës, mund të jenë më të ulëta.
“Çështja e të pasurit të të dhënave të sakta dhe shifrave të sakta është diçka që e ka preokupuar Kosovën viteve të fundit në vazhdimësi. Kjo ka qenë si rezultat i vonesës në kryerjen e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare. Unë dëshiroj të besoj që çështja e mospasjes së këtyre të dhënave që nga viti 2009, ka qenë e lidhur me procesin e këtij regjistrimi”, thotë Zeka.
Të dhënat zyrtare të papunësisë dhe varfërisë në Kosovë bëhen nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në bashkëpunim me Bankën Botërore. Përfaqësues të Agjencisë së Statistikave thonë se së shpejti do të dalin me të dhëna të reja të varfërisë. Ndërkaq, mungesën e të dhënave më të reja e arsyetojnë me atë se kjo çështje kërkon shumë punë.
Drejtori në Departamentin e Politikave Sociale në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, Bashkim Bellaqa, konfirmon se rezultatet për trendët e varfërisë ekstreme janë të vitit 2009. Këto të dhëna, sipas Bellaqës, ishin bërë në bashkëpunim me Bankën Botërore. Ai thotë se mungesa e këtyre të dhënave, ka mundur të ndikojë negativisht në procese të ndryshme.
“Kuptohet, institucionet vendimmarrëse duhet të kenë të dhëna të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Por, hulumtimet që i bëjmë ne kërkohet angazhim, fillimisht bëhet grumbullimi, analizat përpunimi dhe këto të dhëna bëhen në bashkëpunim me ekspertë të Bankës Botërore dhe e gjithë kjo nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga Banka Botërore”, thekson Bellaqa, duke shtuar se në prill të këtij viti do të dalin me të dhëna të varfërisë për vitin 2010.
Ndërkohë, organizata joqeveritare në Kosovë që merren me hulumtime të ndryshme kanë prezantuar vazhdimisht të dhëna më të reja për varfërinë dhe papunësinë.
Njëra nga këto organizata joqeveritare është Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP. Përfaqësuesit e kësaj organizate në një përgjigje përmes postës elektronike për Radion Evropa e Lirë, thonë se edhe të dhënat e vitit 2009 për varfërinë të bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, nuk mund të konsiderohen profesionale dhe të besueshme. Sipas tyre, metodologjia që ata përdorin për matjen e këtyre çështjeve, është në formë të anketës, e që nuk është aspak reale.
Sidoqoftë, përfaqësues të kësaj organizate thonë se mungesa e këtyre të dhënave ka ndikuar në ekonomi.
“Një investitor potencial zakonisht para se të hyjë në treg të ri angazhon kompani për të marrë, përveç tjerash, edhe të dhëna për papunësinë dhe kur ne këto të dhëna i kemi të vitit 2009, çfarë do të mendojë një investitor?!”, thuhet në deklaratën e Institutit për Hulumtime të Avancuara.
Në anën tjetër, sipas zëvendësdrejtorit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, të dhënat për varfërinë dhe papunësinë mund të kenë pësuar ndryshime.
“Ndoshta jo se varfëria, e cila është prezantuar më herët, mund të shënojë një ulje, jo domosdoshmërish ka pasur lëvizje apo zvogëlim të varfërisë në terren, por që numri i popullsisë ishte supozuar se është më i madh, sesa që ka dalë pas regjistrimit të përgjithshëm”,/kohaislame/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit