1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Te dashur “shoqëri civile” mos u merrni një herë me hoxhën- merruni me veten tuaj

Më të lexuarat

Dr. Armanda Kodra

Koment, për komentet e komentuesve profesionistë mbi 2 ngjarje të fundit në Kosovë. Sa duket mësuesit kërkojnë rroga më të mira, ndërkohë që një hoxhë me mbiemrin Kastrati, vazhdon të pajisë me shtëpi njerëz nga shtresa më e këputur e shoqërisë. Deri këtu, çdo gjë në rregull, përveç faktit që, fatkeqësisht mësuesit kanë rroga të ulta dhe që mjerimi po merr përmasa alarmante.
Dhe vijnë disa zëra nga shoqëria civile. Nga ajo pjesë e shoqërisë, që është shkolluar dhe financuar për t’u bërë zëri qytetar që proteston ndaj pushtetit, por edhe negocion me të herë pas here. Supozohet se qëllimi kryesor i saj është, të mbrojë qytetarët nga shkelja e të drejtave, mirëpo kategoria qytetar, nuk është kaq thjeshtë e strukturuar.
Kështu qytetari është edhe shitës, edhe konsumator, edhe prind fëmijësh, edhe mësues, edhe doktor, edhe pacient. Në këtë prizëm, duke zgjeruar konceptin e fuqisë dhe pushtetit sipas koncepteve të Faucault and co, shoqëria civile është në gjendje të përcaktojë se cili është qytetari me pozitë më të privilegjuar / më të pushtetshme, e cili jo. Duke injoruar faktin se brenda profesionit të caktuar secili prej nesh është mjeshtër – pra ka fuqi /pushtet, pasi do komplikohej së tepërmi formula e opozicionit dysh sundues – i sunduar, teoricienët e shoqërisë civile tashmë kanë përzgjedhur sunduesit dhe të sunduarit, apo viktimizuesit dhe viktimat, në shoqëri, që janë shumë më tepër sesa klasa politike, të cilës ata do të duhej t’i ishin opozitë e përhershme. Në këtë situatë tejet relative, sipas dëshirës, zërat nga shoqëria civile, e kanë vendosur mësuesin në pozitën e të pushtetshmit sundues e viktimizues. Ndaj nëse një mësues i kërkon rritje page qeverisë, ky, duke qenë në pozita po aq të kqia sa qeveritarët/politikanët, nuk duhet mbrojtur. Mësuesi, ky shtypës dhe shfrytëzues pa etikë, që torturon në baza sistematike me dru e sharje çdo fëmijë të Kosovës, që është injorant, i korruptuar, pa-etikë, i pa rrafinuar, i pashpirtë, etj. aspak pra nuk është më mirë se klasa politike, ndaj nuk ka surrat të kërkojë rritje rroge.
Kështu po na thonë shoqnorët civilë. Ata, që nuk guxojnë kurrsesi që me të njëjtin zell të kritikojnë donatorin potencial, apo partinë politike të radhës ku ata do të aderojnë, pasi shoqëria civile, poshtë lëkurës qingjore të kujdesit për qytetarin, synim na paskan në fakt trampolimin në politikë, pa marrë pjesë në jetën partiake (ohu rrugë e gjatë). U regjëm tashmë me shembuj pa fund në këtë drejtim.

Këta po ashtu me të njëjtin zell po mundohen ta kapin për veshi hoxhën bamirës, që çdo muaj bën me shtëpi të paktën 10 familje (po ta ndash mesatarisht gjatë vitit).
Si guxon kush t’i vjedhë kauzat shoqnisë civile, që mbijeton pikërisht prej statusit të vendeve tona si “vende në zhvillim”? E aq më shumë një hoxhë? Hoxha presupozohet të jetë aty veç për të hedhë video me mesazhe misogjene në youtube, për me u tallë shoqnorët civilë sa herë u teket. Atëherë, njësoj si me goditjen ndaj mësuesit, edhe në këtë rast përdoren si mburojë të drejtat e fëmijëve, etika, morali i të bërit bamirësi, etj. Mjaft që hoxha të shahet, nuk ka rëndësi arsyeja.
E pra mësuesit nuk janë qenie perfekte në shoqëri imperfekte. Po ashtu as hoxhët. Arsimimi dhe kualifikimi i mësuesve, si dhe sjellja e hoxhës, mund të kenë 1000 mangësi. Por nuk jeni ju të dashur shoqnorë civilë që duhet t’i shprehni ato, ose të paktën, jo në formën e këtyre sulmeve bajate. E di pse? Se ju keni bash shumë më tepër fuqi e pozitë nga mësuesi. Dhe se ju, keni falimentu me adresu dhe zgjidhë qoftë edhe 1/3 e mjerimit që ka zaptuar vendet tona.
Në emër të moralit dhe etikës që po thirreni, heshtni! Lërini mësuesit dhe fukarenjtë të vuajnë në paqe fatin e vet. Nëse nuk keni duar t’u vini në ndihmë aryre, të paktën kursejuni fjalët. Nuk ua ka kush borxh. E mbi të gjitha, nuk e kishit bërë keq me pa njëherë thellë fort brenda vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit