4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Surja Asr, një këshillë e shkurtër kuranore

Më të lexuarat

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

  1. Pasha kohën!
  2. Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurt.
  3. Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, që porositen njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

 

Ka zbritur në Mekë dhe përbëhet nga tri ajete.

Kjo sure, edhe pse e shkurtër, përmbledh pothuajse të gjitha këshillat që ndodhen në suret e tjera të Kuranit. Në sure shpjegohet se të gjithë njerëzit janë në humbje dhe se lumturia dhe shpëtimi mund të fitohet vetëm duke përqafuar besimin, duke bërë punë të mira e të dobishme e duke këshilluar njëri-tjetrin në të drejtë dhe në durim.

Imam Shafiu thotë: “Edhe sikur të mos kishte zbritur asnjë sure tjetër prej Kuranit veç kësaj sureje të shkurtër, ajo do të mjaftonte për t’i dërguar njerëzit drejt lumturisë së kësaj bote dhe të botës së përtejme…”[1]

Komentimi

  1. “Pasha Kohën!”

Fjala “Asr” kryesisht ka kuptimin kohë dhe, për më tepër, kohën në të cilën ndodhemi. Komentuesit e Kuranit i japin kësaj fjale edhe kuptime të tjera si: namazi i ikindisë, koha e ikindisë, koha e fundit para se të vijë kiameti (e shkatërrimit të kësaj bote), dhe veçanërisht shekulli në të cilin u dërgua profeti Muhamed a.s.

Ndërsa Ibn Xheriri thotë: “Fjala “Asr” ka kuptimin e kohës, një prej orëve të drekës dhe koha e ikindisë. Mendimi më i saktë në lidhje me këtë temë është: Allahu është betuar mbi kohën. “Asr” është emri i kohës, koha e ikindisë, është nata dhe dita. Allahu nuk e ka treguar qartazi se çfarë kuptimi ka kjo fjalë. Prandaj, cilido kuptim i kësaj fjale përfshihet në betimin e Allahut mbi fjalën “Asr””.

  1. “Nuk ka dyshim se njeriu është në humbje të sigurt.”

Pra, me përjashtim të atyre që veçohen në ajetin e tretë, të gjithë njerëzit e çdo kohe në të cilën kanë jetuar janë në humbje, sepse thesari më i vyer i njeriut është koha. Sa herë që njeriu merr frymë, në çdo rrahje akrepi dhe në çdo hapje e mbyllje të syve, ndjen se ky thesar po harxhohet duke shkuar drejt përfundimit. Kalimi i kohës nuk është në dorën e njeriut dhe ai nuk mund ta ndalojë apo ta shpejtojë atë. Prandaj atij i mbetet në dorë vetëm menaxhimi i saktë dhe mirëpërdorimi i saj. Allahu ia ka dhënë njeriut kohën jo që ta harxhojë në punë dhe vepra që e shpien në humbje dhe fatalitet, por që ta shfrytëzojë në maksimum për kryerjen e punëve të dobishme, të mira dhe të klasifikuara ndër veprat e pëlqyera tek Allahu.

  1. “Me përjashtim të atyre që besuan, bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”

Në këtë ajet radhiten katër veçoritë e njerëzve të fituar:

Ata që besuan. Ata të cilët besuan Allahun, atë që u është zbritur prej Tij dhe që iu nënshtruan urdhrave të tij me sinqeritet dhe këmbëngulje.

Bënë vepra të mira. Pra besimi i tyre, nuk mbeti vetëm në zemrat  dhe fjalët e tyre, por reflektoi në punët, në marrëdhëniet me familjen dhe me të gjithë njerëzit e tjerë. Njeriu i mençur dhe mendjemprehtë, kontrollon çdo punë të tij me anë të besimit, që të jetë në përputhje me ligjet dhe kënaqësinë e Allahut. Sipas Kuranit, asnjë punë nuk është e pranuar tek Allahu nëse nuk i ka rrënjët në besim. Allahu i Plotfuqishëm, punën e pranuar e përmend në çdo rast bashkë me besimin dhe asnjëherë nuk e sjell atë vetëm.

Që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës. Besimi, veprat dhe fjalët e njeriut janë të orientuara drejt të vërtetës. Njerëzit kujdesen që të mos shkelin të drejtën e të tjerëve, të vërtetën dhe këtë ia këshillojnë njëri-tjetrit. Ata këshillojnë në të mirë dhe largojnë njerëzit nga e gabuara. Kështu që veprat dhe fuqia e tyre mblidhen gjithmonë në rrugën e drejtë dhe të pëlqyer nga i Plotfuqishmi (xh.sh.).

Këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. Ata këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm në rrugën e drejtë dhe të veprave të mira. Pra të bëjnë durim ndaj vështirësive, fatkeqësive, mundimeve dhe dëmeve që do t’u bëhen në rrugën për të mbrojtur besimin e tyre, të drejtën, moralin dhe çdo gjë që Allahu e ka bërë të paprekshme për njeriun. Allahu e ka shpjeguar durimin në Kuran, si një ndër dyert e shpëtimit të njeriut duke thënë: “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me namaz! Në të vërtetë Allahu është me durimtarët.”[2]

Lauren Luli

 

[1] İbni Kethir, Tefsir, IV, 547.

[2] Bekare,153

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit