Një automjet zyrtar i Policisë së Kosovës është sulmuar me armë zjarri këtë të premte në veri të vendit, ndërkaq Policia njoftoi se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, e cila ka qenë me detyrë zyrtare në lokacionin Banjskë – Izvor të Komunës së Zveçanit.
Në njoftimin për media bëhet e ditur se nuk ka zyrtar policor të lënduar, përveç dëmeve materiale të shkaktuara në veturën zyrtare të Policisë së Kosovës, përkatësisht në dritaren/xhamin e automjetit zyrtar nga ana e majtë e vozitësit, i cili dyshohet të ketë qenë edhe cak i sulmit me armë zjarri.
“Lidhur me rastin janë ndërmarr veprimet e nevojshme operative hetimore, përfshirë edhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes, nga ku është konstatuar se vetura është goditur me një predhë të armës së zjarrit”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje, thuhet se njësitet relevante policore kanë vazhduar me hetime intensive, duke arritur të identifikojnë një veturë të dyshuar të braktisur (xhip-opel), në një rrugë malore në distancë prej rreth 250 metra largësi, e cila dyshohet se mund të jetë e përfshirë në rast.
Po ashtu në afërsi të automjetit të dyshuar janë vërejtur edhe gjurmët e personave të dyshuar të cilët kanë ikur në drejtim të panjohur.
Në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent është iniciuar rasti, vrasje në tentativë dhe sulm ndaj personit zyrtar.
E për sulmin ndaj Policisë në veri ka reaguar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai në një postim në Twitter shkruan se grupet kriminale të mbështetura nga Serbia po synojnë që të ngjallin frikë dhe pasiguri duke targetuar zbatimin e ligjit.
“Sërish patrulla e Policisë së Kosovës është qëlluar me armë zjarri. Grupet kriminale të mbështetura nga Serbia synojnë të krijojnë një atmosferë frike dhe pasigurie duke targetuar zbatimin e ligjit”, ka shkruar ai në Twitter.
Tutje, ministri ka thënë se qëllimi i tyre është që ta bëjnë veriun e Kosovës zonë të paligjshme dhe të udhëhequr nga kriminelët.
“Përpjekjet e tyre përfundimisht do të dështojnë”, ka përfunduar Sveçla.
Ndryshe, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pjesëtarët e Policisë së Kosovës, edhe në të kaluarën kanë qenë cak i sulmeve të ndryshme.
Incidenti i fundit ndodhi më 23 janar në Bistricë të Leposaviqit, kur dy serbë refuzuan që të ndaleshin në një pikë kontrolli dhe Policia shtiu me armë zjarri drejt veturës, duke plagosur një serb. Policia tha se gjatë vozitjes, kjo veturë kishte goditur një makinë policore.
Autoritetet thanë se dy të dyshuarit e këtij rasti, të identifikuar me inicialet D.S dhe M.D, kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të përfshirë në dhjetëra veprave penale dhe kundërvajtje. /Telegrafi/