Kompania më e madhe në botë për përpunimin e mishit ishte në shënjestër të një sulmi të sofistikuar kibernetik.
Rrjetet kompjuterike në JBS u pirateruan, duke bërë që disa operacione në Australi, Kanada dhe SHBA të mbyllen përkohësisht.
Kompania beson se sulmi e ka origjinën te një grup kriminal, që ka gjasë të jetë i vendosur në Rusi, tha Shtëpia e Bardhë.
Sipas zëdhënëses Karine Jean-Pierre, Shtëpia e Bardhë “është duke u angazhuar drejtpërdrejt me Qeverinë ruse për këtë çështje”.
Ajo tha se në hetime është përfshirë Byroja Federale e Hetimeve – FBI.
JBS tha se ka bërë “përparim të rëndësishëm” në zgjidhjen e problemit dhe se shpreson se shumica dërrmuese e impianteve të tij do të jenë operacionale gjatë ditës së mërkurë.
JBS është furnizuesi më i madh në botë i mishit, me më shumë se 150 fabrika në 15 vende.
Pesë fabrikat më të mëdha të JBS janë në Shtetet e Bashkuara dhe mbylljet atje kanë ndalur një të pestën e prodhimit të mishit.
Kompania ka mbi 150,000 punëtorë në të gjithë botën.
Muajin e kaluar, karburantet në juglindje të SHBA-së kanë munguar po ashtu për disa ditë, si pasojë e një sulmi kibernetik që kishte në shënjestër tubacionin Colonial.
Hetuesit thanë se edhe ky sulm ishte i lidhur me një grup rus.