-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Sulejman Kadiu (1883 – 1958)

Më të lexuarat

Në përkujtim të klerikut të shquar tiranas Sulejman Kadiu

Pjesa më e madhe e hoxhallarëve shqiptarë kanë predikuar fenë dhe, me mësimet, predikimet e tyre, janë bërë shembull dhe kanë lënë kujtime të mira te besimtarët. Nëse do të bënim ndonjë vërejtje për ta, ajo do të ishte se nuk kanë lënë gjë me shkrim dhe, me kalimin e viteve, me ndërrimin e brezave, kujtimet për ta, në mungesë të bashkëkohësve, sa vjen e zbehen apo pakësohen. Por për rastin konkret, ende ka njerëz që jetojnë, megjithëse të pakët, që e kanë arritur, e kanë njohur dhe mund të flasin për të nderuarin Sulejman Kadiu.

Sulejman Ramazan Kadiu i përket asaj plejade klerikësh muslimanë, të cilët fenë islame e studiuan dhe e propaganduan jo për të siguruar jetesën, pra ekonominë, por për t’u bërë misionarë vullnetarë të saj në vendin tonë, për t’i shërbyer fesë vetëm për riza të Zotit. Nuk është e vështirë të konstatosh se klerikët myslimanë tiranas kanë një karakteristikë të përbashkët – të sinqertë, të urtë, të dashur, si mbarë populli nga gjiri i të cilit kishin dalë dhe i shërbenin. Për gjithçka që u predikonin dhe u thoshin të tjerëve përpiqeshin të jepnin shembullin vetë të parët.

Në pamundësi për t’ i përmendur të gjithë, unë do të përmend kalimthi 3-4 prej tyre, për të evidentuar veprimtaritë e tyre në fusha të ndryshme të fesë islame. Kështu do të përmendja myderrizin e vjetër, Mulla Hysen Shehrin, “Profesorin e profesorëve të Medresesë”, “hoxhën që mësoi hoxhallarët e Tiranës”, siç e kanë thirrur, i cili ka qenë myderriz apo profesor i shumicës se hoxhallarëve të Tiranës të shekullit XX, përfshirë edhe ata që jepnin mësim në Medresenë e Përgjithshme. Do të vazhdoj me Haxhi Ali Derhemin, hoxhë i dekoruar me medaljen më të naltë nga mbreti Zog, i shquar në themelimin e Komunitetit Mysliman, i cili ka kryer radhazi detyrën e zëv/kryemyftiut, të zëv/anëtarit të Këshillit të Naltë të Sheriatit, të zëv/drejtorit të Medresesë së Naltë, të menaxherit apo kujdestarit të pronave të vakfit të Tiranës, etj. Haxhi Ali Derhemi qe edhe bamirës i madh. Kur vinte muaji i madhnueshëm i Ramazanit, kontrollonte xhamitë dhe me shpenzimet e veta, pa u ndier, ua plotësonte xhamive gjërat që mungonin. Ai shumë herë familjeve të varfra tiranase u thoshte të shkonin në Komunitet e të kërkonin nga arka të holla për llogari të rrogës së tij. Kur ndërroi jetë, Këshilli i Përhershëm kërkoi nga arka të dinte se ç’rroga kishte marrë ai nga viti 1923 deri në 1938 dhe, pasi të bënte llogarinë, reston që kishte mbetur pa marrë t’ua jepte familjarëve.

Kur bie fjala për klerin musliman të Tiranës, të shkon mendja te i mirënjohuri Hafiz Ibrahim Dalliu, i cili, siç dihet, gjithë jetën e vet ia kushtoi atdheut e fesë dhe në kohën e krizës që kishte pllakosur Komunitetin e gjithë vendin gjatë viteve ‘30-të, i paraqiti Komunitetit një projekt që ta lejonte ta vazhdonte ai vetë shtypjen e përkthimit të Kuranit dhe si garant i linte dy shtëpitë e veta që kishin 1000 metra katror oborr, e gjendeshin në rrugën e Dibrës, por, kur ndërroi jetë, i ndjeri Hafiz Ibrahim nuk iu gjetën të holla as për ta varrosur, ndërsa shtëpitë ia kishte sekuestruar regjimi komunist. Për kontributin që kishte dhënë gjatë gjithë jetës së tij për fenë islame, Hafiz Ibrahimin e varrosi Komuniteti Musliman me nderimet që mund t’i bëheshin në ato kohë të vështira.

Lista do të bëhej e gjatë, por unë do ta shkurtoj duke e përfunduar, por, sigurisht, jo të fundit për nga rëndësia, do të doja të fusja në këtë listë Sulejman Kadiun, të birin e Ramazanit ish-myftiu i Tiranës.

Të ndjerin Sulejman Kadiun e kam pasur profesor në Medresenë e Tiranës; na jepte historinë islame. Lëndën që jepte e zotëronte dhe mësimin na e bënte interesant, jo vetëm se e zotëronte lëndën, por çdo teme që shpjegonte i bënte edhe analizën kritike me vlerësimet përkatëse duke u munduar të gjente lidhje me aktualitetin. Ishte i ditur jo vetëm në dijet fetare. Ai, siç më kujtohet, shpeshherë e ilustronte mësimin me shembuj anekdotash nga klasikët grekë – prej tij e kam dëgjuar për herë të parë atë anekdotën për Diogjenin që doli në mes të ditës në pazar me fener të ndezur “për të kërkuar njerëz”; apo atë panairin e mendjeve që i kishin nxjerrë për t’i shitur dhe në darkë, kur u mbyll, secili u kthye në shtëpi me mendjen e vet.

Për herë të parë në dokumentacion emrin e Sulejman Kadiut e kam hasur në vendimin nr. 37 datë 25.11.1924 të Këshillit të Naltë të Sheriatit, i cili mori në shqyrtim listën e mësimdhënësve — trupit mësimor të Medresesë së Naltë që dëshiron të japë mësim në Medrese. Ai trup mësimor, që në atë kohë u tregua i gatshëm të jepte mësime gratis në Medresenë e Naltë përbëhej nga: Hafiz Ali Korça -arabisht; Sulejman Kadiu -Kuran, fikh dhe gjuhë shqipe; Major Rexhep Berati – aritmetikë, gjeometri; Kapiten Musa Puka – gjimnastikë; Haki Tefiku – histori, gjeografi; Pertef Pogoni – frëngjisht; Lotar Qemali – higjienë (shëndetësi); Qamil Bala deputet – shkencë; Vehbi Libohova (Gani Strazimiri) vizatim; Doktor Sabriu – vizita të përjavshme shëndetësore nxënësve. Për të gjithë të sipërpërmendurit, Këshilli i Naltë i Sheriatit, pasi i konstatoi se janë të aftë për lëndët që dëshirojnë të japin mësim, vendosi dekretimin dhe falënderimin e tyre për gjestin bujar.

Por shumë shpejt Sulejman efendi Kadiun e priste një detyrë tjetër edhe më e rëndësishme në Komunitetin Mysliman të sapokrijuar. Ai merr nga Myftiu i Përgjithshëm, i ndjeri Vehbi Dibra këtë dekret:

Z. Sulejman Kadiu Tiranë!

Në bazë të vendimit nr. 111 datë 1 .VIII. 1924 të Këshillit të Naltë të Sheriatit dhe me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Vakfeve në Tiranë, dekretojmë emrimin tuaj Mytevel ‘li i Vakfeve në Tiranë. Zotnia Juaj keni për barrë me marshtrue pasuritë e vakfit sipas rregulloreve e ligjeve në veprim, d.m.th. të jepni pohim shitjeje e blerjeje, në rast të autorizimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Vakfeve dhe të shfaqni vetë ose me përfaqësues nëpër gjyqe e zyra qeveritare me cilësinat si ta lypë nevoja për të mbrojtun të drejtat e vakfit si dhe të kryeni urdhërat e zyrave më të larta. Pra, presim prej jush aktivitete me ndërgjegje të pastër, duke u ruajtur nga të gjitha veprimet që i sjellin dëme vakfit.. . “Myfti i Përgjithshëm: Vehbi Dibra.

Sulejman Kadiu më datë 23.VIII.1929 ka qenë nëpunës i Vakfit të Tiranës, të cilin si tiranas që ishte e njihte shumë mirë dhe është kujdesur shumë në mirëadministrimin e tij. Ai përpiqej që çdo gjë që kishte lidhje me detyrën e tij ta kryente në mënyrën më të përsosur; kështu evidencat dhe raportimet që ka bërë në lidhje me të ardhurat e objekteve të vakfit të asaj periudhe, janë shembull i një nëpunësi që i ka bërë shërbimet e duhura detyrës që i është ngarkuar.

Më 9 maj të vitit 1935 Sulejman Kadiu emërohet vaiz shëtitës gratis, detyrë që e kreu në mënyrë shembullore. Si vaiz – predikues i fesë islame, apo misionar i saj, ai, siç do ta shikojmë edhe më poshtë ka shkëlqyer. Ai përpiqej që predikimet e veta t’i lidhte me aktualitetin. Kështu bënte në të gjitha temat fetare që predikonte dhe si i tillë u afirmua shpejt ndër shokët e tij. Predikimet e tij bëheshin jo vetëm në qytete, por edhe në fshatrat e Tiranës. Komuniteti Mysliman qysh para themelimit të tij në shkurt-mars të vitit 1923, kishte caktuar rregull që vaizët e qyteteve të paktën një herë në muaj të shkonin e të predikonin edhe në fshatrat e rretheve të tyre. Madje A. Zogu në kohën kur qe ministër i Brendshëm dhe Kryemyftinia varej nga Ministria e P. të Brendshme, e ka inkurajuar këtë veprim dhe ka porositur Kryemyftiun që të njoftojë për ata vaizë që nuk e zbatojnë këtë urdhër me qëllim që ndaj tyre të merren masa.

Kështu, nëpër fshatra shkonin të gjithë vaizët e qyteteve dhe kur ktheheshin raportonin për realizimin e misionit dhe për nevojat fetare që kishin konstatuar se duheshin realizuar në fshat. Këtu po përmend një rast kur Këshilli vendosi të shkojnë nëpër katunde si vaizë shëtitës 1) Në komunën Vorë: Muharrem Vora; 2) Në Priskë të Madhe: Haxhi Tahir Hallulli; 3) Në Zall-Herr: Ali Kazazi; 4) Në Petrelë: Hasan Bakalli, ndihmës myfti i Tiranës; dhe 5) Në Bastar: Sulejman Kadiu.

Në një listë të firmosur nga kryetari i Komunitetit Musliman dhe kryemyftiu i Tiranës janë 27 emra klerikësh myslimanë në Tiranë, që lejohen të mbajnë uniformë fetare. Me shkresën nr. 45/111 dt. 17.VII.1937 në listë shtohen edhe Sulejman Kadiu, së bashku me dy të tjerë, pra gjithsej bëhen 30 vetë në Tiranë që kanë pasur të drejtë të mbajnë uniformë fetare, këtu përfshihen duke filluar nga kryetari i Komunitetit Mysliman, kryemyftiu i Tiranës, imamë, vaizë, myezinë dhe myderrizë të Medresesë, pra të gjithë funksionarët e Komunitetit Mysliman.

Ministria e Drejtësisë me shkresën e vet nr. 2372 a/I dt. 27 korrik 1939 përcjell në Komunitetin Mysliman lutjen në formë peticioni të parisë myslimane të Tiranës që kërkojnë emërimin e Sulejman Kadiut kryemyfti të Tiranës.

Në dhjetor të vitit 1940, Sulejman Kadiu ngarkohet nga Kryesia të mbajë vazë në Elbasan dhe në Lezhë. Sipas rregullit, ai përgatit një informacion për predikimet që ka bërë në Elbasan dhe në Lezhë, ku ishte dërguar nga Komuniteti Musliman me kërkesën e autoriteteve qeveritare të kohës. Predikimet e tij janë përqendruar kundra propagandave të armikut që inkurajojnë vëllavrasjen duke dëmtuar kombin; ai predikoi për vlerën e punës sipas fesë, zhdukjen e zakoneve prapanike etj. Në konferencat që ka mbajtur ka pasur një pjesëmarrje të madhe nga populli, por, sikurse e thamë, morën pjesë edhe autoritete fetare, civile e ushtarake dhe temat e zhvilluara janë pritur mirë. Në informacionin që i jep Komunitetit Musliman në lidhje me predikimet që ka mbajtur në këto vende ai vetë shkruan: “Në mbështetje të urdhrit të Asaj kryesie, i nënshkruemi ka nderin me raportue se kam shkue në prefekturën e Elbasanit dhe në nënprefekturën e Lezhës për me dhanë predikimet fetare kundra çdo propagande të armikut që lufton kundra shtetit e atdheut. Ndër këto predikime janë ndodh një shumicë e madhe nga populli si dhe gjithë autoritetet e shtetit civil e ushtarak dhe i kanë prit me përshtypje të thellë. Shtojmë se ndër këto vise pamë e konstatuem se populli asht i qetë, i bindun ndaj urdhrave shtetnore për disiplinë etj., për pa u shfaq asnjë konflikt. Me nderime, vaizi i Tiranës: Sulejman Kadiu. Tiranë më 31 dhjetor 1940.

Më datë 9.VI.1942 me dekret mbretëror emërohet Këshilli i Ylemave të Komunitetit Mysliman të Mbretërisë Shqiptare. Këshilli përbëhej prej Hafiz Sherif Lëngut — kryetar, Hafiz Ali Korçës, nënkryetar, Sheh Qazim Hoxhës, nënkryetar dhe Myderriz Sulejman Kadiut e Hafiz Bedri Hamitit, këshilltarë.

Ky Këshill zhvilloi një veprimtari të gjerë në të gjitha fushat. Ishte koha kur myslimanët si brenda dhe jashtë kufijve shtetëror kërkonin materiale fetare, këshilla për qëndrimet që duheshin mbajtur në ato kohë të vështira, ku të imponoheshin edhe qëndrimet që binin në kundërshtim me mësimet e fesë islame. Por edhe këtë detyrë Sulejman Kadiu e kreu me faqe të bardhë.

Këshilli i Ylemave formoi një komision për të shqyrtuar artikujt që do të botohen në revistën “Kultura Islame”. Kryetar i komisionit është Sulejman Kadiu, anëtarë: Haki Sharofi, Vexhi Demiraj etj. Si kryetar i këtij komisioni S. Kadiu ka treguar njohuri dhe pjekuri, sepse ishte një periudhë provokimesh fetare nga njerëzit e pushtuesit. Mjafton të kujtojmë për kryqet dhe kartolinat me përmbajtje anti-islame që u hodhën nëpër xhamitë e Tiranës apo artikujt provokativë që botoheshin në ato kohë. Komisioni nën drejtimin e Sulejman Kadiut, mbajti një qëndrim dinjitoz, duke dhënë përgjigje me kulturë, të urta e të matura, por pavarësisht tolerancës e kulturës që tregohej në to, aty nuk kishte lëshime në fushën e parimeve të fesë. Nuk duhet harruar se këta artikuj shkruheshin në gjendje kur vendi ishte i pushtuar.

Mbas çlirimit të vendit, me rithemelimin e Komunitetit Mysliman dhe rihapjen e

Medresesë së Përgjithshme, më datë 23 prill 1945 emërohen disa profesorë në Medrese, ndërmjet tyre në vendim përmenden: 1) Për gjuhën arabe — Sulejman Kadiu, 2) Për besim Haxhi Mahmud Dashi; 3) Për mësime filozofike, prof. Vexhi Demiraj; 4) Për mësimin e gjuhës angleze Ihsan Qereshniku etj.

Në fenë islame ekziston një dispozitë sipas së cilës njeriut që vdes, i shkëputen veprat e kryera gjatë jetës, përveç disave, si: kur ka jetuar nëse ka bërë një vepër të mirë nga e cila vazhdon të përfitojë njerëzia si p.sh. ndonjë xhami, institucion arsimor, bibliotekë, ujësjellës etj., shfrytëzimi i të cilave i sjell dobi shoqërisë. Mendoj që i ndjeri S. Kadiu ka lënë pas mjaft vepra të cilat dëshmojnë për të dhe kontributin e tij fisnik. Zoti ia shkroftë për sevap dhe ia shpërbleftë atij me xhenetin firdeus. Amin!

Ali Musa Basha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit