5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Suedia ndalon shkollat islame

Më të lexuarat

“Mbyllja e shkollave Islame është vendim politik me motive anti-islame”, ka thënë një politikan suedez

Pavarësisht se shumë institucione akademike islame janë ndër shkollat ​​më të suksesshme në Suedi, autoritetet e vendit vazhdojnë t’i mbyllin ato në përpjekje për të nxitur “retorikën anti-islame” dhe “të ndalojnë privatizimin” në arsim, shkruan Anadolu Agency (AA).

Ish-ministrja e Arsimit e vendit nordik, Lena Axelsson Kjellblum, në fillim të këtij viti pati deklaruar se qeveria e saj kishte paraqitur një projekt-ligj që kishte për qëllim “ndalimin e krijimit të të ashtuquajturave shkolla të pavarura fetare”.

Projekt-ligji në thelb parandalon zgjerimin e shkollave duke rritur numrin e studentëve ose duke hapur degë të reja duke filluar nga viti 2024 e tutje.

Deri më tani, vetëm shkollat ​​islame janë vënë në shënjestër të ligjit, gjë që ka ngjallur zemërimin e organizatave, studiuesve dhe shkollave ​​muslimane, duke argumentuar se vendimi nuk bazohet në rezultate të dobëta akademike apo mangësi të tjera në mësimdhënie, por kishte motive politike dhe anti-islame.

Mohamed Amin Kharraki, drejtor i shkollës Islame “Framstegsskolan” në lagjen periferike Ragsved të Stokholmit, tha për AA se rreth 20 shkolla të klasifikuara si islame ose në pronësi muslimane janë duke u mbyllur, ndërsa tre të mbeturat kanë ngritur padi.

Në maj të vitit të kaluar, inspektorati shkollor i Suedisë njoftoi se po mbyllte shkollën “Framstegsskolan”. Megjithatë, shkolla fitoi apelin dhe gjykata administrative tha se vendimi nuk duhet të zbatohet në pritje të një vendimi.

Vendimet janë marrë në bazë të “pretendimeve konspirative”

Vendimi i inspektoratit për mbylljen e shkollës u bazua në një raport të shërbimit të brendshëm të sigurisë suedeze SAPO bazuar në “pretendimet konspirative” për grupin e Vëllazërisë Muslimane, programe sekrete dhe etiketime të dyshuara terroriste që kanë lënë disa studiues të hutuar.

“Po të mos kisha bagazhin kërkimor që kam, do të kisha frikë nga errësira. Do të kisha frikë nga të gjithë liderët muslimanë në Suedi. Kjo tregon më tej se ne kemi një klimë sociale ku muslimanët janë ekzotizuar dhe janë të dyshuar. Turp është që SAPO, nga të gjitha autoritetet ka rënë në këtë gropë”, citoi gazeta suedeze “Syre”, Emin Poljareviç, profesor i asociuar i teologjisë dhe filozofisë islame në Universitetin “Upsala”.

Institucionet parashkollore islame gjithashtu në shënjestër

Institucioni parashkollor “Saimagarden” në qarkun Akalla të Stokholmit, i cili gjithashtu drejtohet nga “Framstegsskolan”, duhej të mbyllej gushtin e kaluar për shkak të pretendimeve të SAPO-s se fëmijët ishin në rrezik të radikalizimit.

Gjykata, megjithatë, i hodhi poshtë këto pretendime dhe lejoi që institucioni parashkollor të mbetet i hapur deri në vendimin përfundimtar.

Drejtori i shkollës “Kharraki” vuri në dukje se SAPO nuk përmendi ndonjë pretendim konkret për ndonjë shkollë në raportin e saj dhe në vend të kësaj iu referua vetëm burimeve “sekrete”.

Ai theksoi se si i akuzuar është shumë e vështirë të mbrohesh sepse asgjë nga ajo që përmendet më sipër nuk ka ndodhur realisht.

Sipas tij, inspektorati i shkollës nuk e vizitoi kurrë “Framstegsskolan” për të parë vetë supozimet e radikalizmit duke refuzuar të vinte në dyshim raportin e SAPO-s.

Axhenda anti-muslimane

Sead Busulaxhiç, anëtar bordi i partisë politike “Nyans” dhe zyrtari më i lartë i saj në rrethin më jugor Skane, tha për AA se mbyllja e shkollave nuk është për shkak të arsimit, por për shkak të klimës politike anti-muslimane.

Ai theksoi se partitë e djathta, të cilat janë aktualisht në pushtet kanë thënë shprehimisht se nuk kanë asgjë kundër shkollave të krishtera, çifute apo të tjera.

Politikanët që, sipas tij, normalizojnë islamofobinë dhe ua vështirësojnë jetën pakicave, vetëm theksuan problemet me shkollat ​​islame, për të “ndalur radikalizimin”. Me këtë, siç tha ai, “ato ndikojnë në opinionin e përgjithshëm dhe në mënyrën se si shihen muslimanët”.

Busulaxhiç shpjegoi se fillimisht kjo temë është iniciuar nga socialdemokratët, sepse ata janë “kundër të gjitha shkollave private” dhe janë mbështetës të asaj që shteti duhet të drejtojë të gjitha institucionet arsimore.

Megjithatë, në praktikë vetëm shkollat ​​islame mbajtën barrën më të rëndë, madje edhe të politikave socialdemokrate, pavarësisht nga kundërshtimi i tyre i përgjithshëm i supozuar ndaj arsimit privat.

Në zgjedhjet e kaluara, në vend që të fokusoheshin në çështje si ekonomia dhe papunësia e lartë, politikanët ushqeheshin me ndjenja anti-muslimane, tha ai, duke vënë në dukje se mbyllja e shkollave ishte një reflektim i kësaj.

Kur qeveria suedeze prezantoi për herë të parë ligjin, fillimisht pretendohej se të gjitha shkollat ​​fetare do të mbuloheshin në bazë të vendimit. Megjithatë, në praktikë nuk doli kështu, pasi nuk u mbyll asnjë shkollë tjetër fetare përveç atyre muslimane.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit