14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Serbia, Austria dhe Hungaria do ta luftojnë bashkërisht imigracionin e paligjshëm

Më të lexuarat

Nën organizimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe me pjesëmarrjen e kryeministrit austriak Karl Nehammer dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, në Beograd u diskutua çështja e luftimit të imigracionit të paligjshëm

Serbia, Austria dhe Hungaria nënshkruan një memorandum mirëkuptimi pas marrjes së një vendimi për të luftuar së bashku kundër fluksit në rritje të emigrantëve të parregullt kohët e fundit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nën organizimin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe me pjesëmarrjen e kryeministrit austriak Karl Nehammer dhe kryeministrit hungarez Viktor Orban, në Beograd u diskutua çështja e luftimit të imigracionit të paligjshëm.

Pas samitit dyorësh, liderët, të cilët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për luftën kundër imigracionit të paligjshëm, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Vuçiq tha se numri i migrantëve të parregullt është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar.

“Ne filluam të hedhim hapat e parë. Kemi hequr kalimin pa viza me Tunizinë dhe Burundin. Kësaj do t’i shtohen edhe dy vende të tjera në të ardhmen e afërt. Ne do të zbatojmë sistemin e vizave të vlefshme në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Vuçiq.

Duke vënë në dukje se migrantët e parregullt vijnë në Serbi kryesisht përmes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Vuçiq tha: “Me mbështetjen e Austrisë dhe Hungarisë, ne do të mundësojmë automjete dhe pajisje me kamera termike në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Serbia nuk dëshiron të jetë një ‘vend parkimi’ për migrantët e parregullt”.

Vuçiq tha se me memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar sot, ata do të “kalojnë në veprim” në fund të vitit.

Ndërkaq, kryeministri austriak Nehammer falënderoi Serbinë për mirëkuptimin e shqetësimeve të Austrisë dhe tha se vendi i tij do të ofrojë ndihmë policore dhe pajisje për Serbinë.

Duke thënë se kanë vendosur të zbatojnë projektin e deportimit të imigrantëve që gjenden ilegalisht në Serbi, Nehammer shprehu kënaqësinë e tij për veprimin e përbashkët të tri vendeve për mbrojtjen e kufijve.

Kryeministri hungarez Orban tha se vendi i tij po përballet me dy presione të veçanta, me luftën në Ukrainë dhe migrantët e parregullt nga Serbia.

“Ne e mbështesim plotësisht Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Derisa të ndodhë kjo, ne duhet t’i tërheqim kufijtë tanë sa më larg që të jetë e mundur në jug. Ky problem do të jetë një problem afatgjatë”, tha Orban.

Më herët, ministrat e Jashtëm të tri vendeve mbajtën një takim në Beograd në tetor dhe deklaruan se Austria dhe Hungaria do ta ndihmojnë Serbinë kundër fluksit të migrantëve të parregullt.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit