Marrëveshja e vitit 2013 midis Kosovës dhe NATO-s – në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it – është ende e vlefshme dhe e duhur, tha të enjten në Kosovë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Para se t’u drejtohej mediave, Stoltenberg takoi në Prishtinë udhëhehqësit politikë të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Ai tha se çështja e vendosjes së FSK-së në veri ka qenë temë e bisedimeve me Kurtin, i cili marrëveshjen për të e sheh si të dëmshme.
Kurti ka konfirmuar në muajin maj se e ka dërguar këtë marrëveshje – të nënshkruar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefi i atëhershëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen – në prokurori.
Në letër-këmbimin e vitit 2013, Thaçi e ka siguruar Rasmussenin se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it” – mision ky paqeruajtës i NATO-s.
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate, që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike, dhe të çdo gjëje, që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Stoltenberg në konferencën për media, të mbajtur në aeroportin ushtarak të KFOR-it në Sllatinë.
“Kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon [edhe] kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e Kurtit për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Stoltenberg po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, që nënkupton kohën përpara vendimit të autoriteteve të Kosovës për ta shndërruar atë në ushtri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Stoltenberg.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në vitin 2018 ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në forcë të armatosur.
Është paraparë që procesi i transformimit të zgjasë dhjetë vjet.
Stoltenberg nuk pranoi të komentojë planin për ndërtimin e një poligoni të FSK-së në Mitrovicë të Jugut, duke thënë se “këto janë çështje të ndjeshme, që nxjerrin në pah rëndësinë e respektimit të faktit se ka pikëpamje të ndryshme”.
Andaj, theksoi ai, nuk duhet bërë asgjë që minon përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe për të bërë përparim në dialogun Prishtinë-Beograd.
Duke folur për rrugën e Kosovës në NATO, Stoltenberg tha se katër vendet aleate të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, “pasqyrojnë realitetin politik”.
“Anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet në dialogun me Serbinë.
“…sepse, në një fazë, ju duhet të shihni normalizim. Kjo do të jetë e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por do të jetë gjithashtu e rëndësishme kur të bëhet fjalë për marrëdhëniet e Kosovës me të gjitha institucionet ndërkombëtare, përfshirë NATO-n”, theksoi Stoltenberg.