0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Sprovë apo dënim

Më të lexuarat

Nga: Dr. Selman Aude

Sprovë apo dënim

Kur ime bijë më kërkoi t`i flas rreth sprovës, pyetja e saj më befasoi. Ajo më kujtoi se ishte hera e parë që po përpiqesha të sjell ndërmend diçka rreth kësaj çështjeje në jetën time. Po, kam folur rreth disa gjërave, që kanë të bëjnë me sprovën gjatë emisioneve të shumta televizive, por kurrë nuk më kujtohet t`i jem qasur temës në thelb dhe me detaje.
Së pari, duhet ta dimë se jeta që gufon brenda në trupin tonë është sprovë, ashtu siç është sprovë vdekja, e cila nga ndan nga kjo botë. Zoti thotë në Kuran: ”Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh.” (Mulk: 2)
Në këtë rast, sprova është kolektive dhe fton për konkurrencë dhe rivalitet mes popujve dhe grupimeve. Megjithatë, përgjegjësia e individit nuk është shfuqizuar dhe anashkaluar, pasi edhe ai është subjekt sprove. “Për sa i përket njeriut, kur Zoti i tij e sprovon atë, duke e ngritur lart dhe duke i dhënë mirësi, ai thotë: “Zoti im më ka nderuar”. Por, kur e sprovon atë, duke ia ngushtuar mjetet e jetesës, ai thotë: “Zoti im më ka poshtëruar”. (Fexhr: 15-16)
Vlerësimi dhe mirësia janë sprova, ashtu siç janë sprova fukarallëku dhe jetesa e vështirë. Jo gjithmonë standardet e njerëzve janë të pjekura dhe të drejta. Ata e konsiderojnë rizkun si tregues të kënaqësisë së Zotit, sakaq privimin e konsiderojnë tregues zemërimi dhe poshtërimi.
Hidhi një sy vetes dhe njerëzve që të rrethojnë! Të gjithë kështu mendojnë dhe gjykojnë, kur nuk u realizohet ajo që dëshirojnë dhe për të cilën kanë planifikuar. Ata e shohin dështimin gjithmonë si ndëshkim, si pakënaqësi nga ana e Zotit. Nga ana tjetër, ata që jetojnë në luks dhe bëjnë jetë qejfi, nuk i kaplon frika se kjo mund të jetë ndëshkim.
Së dyti, ndërveprimi pozitiv me sprovën është sekreti i suksesit. Kjo arrihet, duke ndërvepruar me të mundshmen dhe jo të pamundshmen. Ka njerëz, që u shkon jeta duke ëndërruar rreth të pamundshmes, në vend që të mendojë dhe të punojë për realizimin e të mundshmes. Në radhë të parë, duhet të bësh durim ndaj asaj që urren në univers. “Kush e ushtron durimin, Zoti e pajis me durim”. Sakaq, të manifestosh kënaqësi, është një gradë më e lartë. Kurse grada më e lartë është mirënjohja dhe falënderimi, e cila qëndron mbi sabrin (durimin) dhe të qenit i kënaqur. Megjithatë, të qenit i kënaqur (razi) është pjesë e falënderimit (shukr), pasi nuk mund të imagjinohet falënderimi pa qenë i kënaqur. Besimi ndahet në dy pjesë: falënderim dhe durim.
Durimi i mirë forcohet me përpjekje, derisa arrin kënaqësinë, ndërsa kjo e fundit zhvillohet dhe forcohet derisa arrin falënderimin.
Vartësia nga ankesat shkatërruese për psikologjinë e të riut, apo të resë, vrazhdësia në sjellje dhe kërkimi i keqardhjes, janë cilësi negative, që nuk i shkojnë për shtat një krijese të pajisur me mekanizmat mbrojtës, aftësitë për tu përshtatur dhe për të ngjitur shkallët e besimit dhe mbështetjes.
Së treti, gjuha është pjesë e pandashme e njeriut. Poeti i madh arab, Zuhejr ka thënë:
Gjysmë është gjuha, gjysmë është zemra e tij
S`të mbeti gjë tjetër, veç pamjes, mishit dhe gjakut o njeri
 
Prandaj, njeriu është një kompleks fjalësh, shkronjash dhe fjalish, me të cilat shprehet gjatë jetës. Edhe vetë memeci ka fjalët e tij, pozitive apo negative qofshin, veçse ai nuk mund t`i shprehë.. Ato tregojnë personalitetin e tij, humorin dhe gjendjen psikologjike.
Të gjithë projektet dhe idetë gjeniale, që prodhuan vepra madhështore, para se të shohin dritën e diellit, nuk ishin gjë tjetër veçse disa fjalë që shkëmbeheshin mes individëve dhe që ishin objekt studimi. Prandaj, si Ali ibnu Ebi Talib, ashtu dhe Sokrati thoshin:”Fol që të të shoh!”
 “Rekib” dhe “Atid” janë dy engjëj, që nuk i shqiten njeriut për asnjë sekondë, pasi shënojnë fjalët dhe veprat e njeriut. Meqë shënojnë fjalët e njeriut, kjo do të thotë se ndodhen pranë zonës së gojës, me qëllim që të shënojnë çdo fjalë dhe shkronjë që del prej andej. Përderisa ato nuk kanë dalë dhe janë kufizuar në një ide kalimtare, dy engjëjt nuk e shënojnë.
Prandaj, ata që veç mallkojnë fatin e tyre të keq, dështimin që nuk u ndahet dhe personalitetin e shpartalluar, nuk bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë mure njëri pas tjetrit, të cilët e bëjnë shpëtimin më të vështirë, përderisa nuk kanë hequr dorë nga kjo metodë e ndëshkimit të vetes.
Ime bijë: Mos po thua që të aktrojmë dhe të themi atë që nuk është?!
Po. Thuaj atë që nuk është reale, atë që nuk je mësuar ta shohësh dhe konstatosh! Krijo një aktualitet tjetër përbri ekzistuesit! Vepro sipas filozofisë së Umerit (r.a), që thoshte: ”Ik nga caktimi i Zotit, tek caktimi i Zotit!” Thënë ndryshe, krijo një rreze shprese, e cila mund të realizohet nëse dëshiron. Kurani e lidh të mirën me të keqen, besimin me ateizmin dhe të gjithë veprat e njeriut, me vullnetin dhe dëshirën. Lexo aspektin pozitiv dhe rrezatues edhe tek privimi, sëmundja, e keqja dhe fatkeqësia.
Ajo që ti sot e quan aktrim, përgjatë rrugëtimit të praktikës dhe ushtrimit, do të shndërrohet në ves dhe zakon të mirë. Fjalën që do të shqiptojë goja, do e dëgjojnë veshët, do e memorizojë mendja dhe do ia diktojë gjymtyrëve.
Edhe në momente humori, ne duhet t`i shmangim shprehjet negative. Një i sëmurë që beson fort se sëmundja nuk do i shqitet, e ekspozon veten ndaj një sëmundjeje akoma ë të rëndë dhe të dhimbshme. Një student që e sheh veten gjithmonë si “shofer autobusi” çon e merr njerëz, pa lëvizur vetë nga vendi, nuk do të bëjë asnjëherë ndonjë gjë të hajrit. Një vajzë që sheh ëndrra, të cilat i interpreton si martesë për shoqet, thotë: ”Detyra ime është të shoh ëndrra, kurse e juaja të martoheni!”
Një shakaxhi i cili vë në lojë prindërit e tij, por edhe të moshuarit e tjerë, duke u thënë se janë buzë varrit, duhet të heqë dorë nga kjo metodë komunikimi, pasi është negative. Kurrë mos mendo se të qeshurat e njerëzve përreth, nënkuptojnë se pajtohen me gjithçka që thua. Po, mund t’ju pëlqejë humori yt dhe barsoletat që tregon, por nga brenda vihen n siklet. Këtë gjë mund ta pikasësh kollaj, po të kesh pak intuitë.
Së katërti, sprova mund të jetë e mirë, por mund të jetë edhe diçka e keqe. “Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni”. (Enbija: 35)
Kjo do të thotë, që dija e Zotit të manifestohet tek robi. Kështu, kjo dije kalon nga bota e mistershme (gajb) në atë prezente dhe dëshmitare (shehade), të cilën e shohin njerëzit dhe diskutojnë rreth saj. Prandaj, Umer ibnul Hattabi thoshte: ”Pasuria dhe fukarallëku janë mjete udhëtimi. Për Zotin nuk dua t’ia di, në cilën prej tyre do të hip”.
Kjo thënie e frymëzuar nga Umeri (r.a), vlen dhe për shëndetin dhe sëmundjen, famën dhe të kundërtën.
Ibnul Kajjim pati hapur një debat rreth superioritetit mes të pasurit mirënjohës dhe fukarait durimtar. Ai e mbylli debatin me mendimin se superiori mes të dyve është i devotshmi, i cili i sheh të dyja me të njëjtin sy.
Ata Hurasani i përshkruan dhomat, ku jetonin gratë e Profetit a.s, me fjalët: ”Dhomat e grave të Profetit a.s ishin ndërtuar me degë dhe gjethe palmash, kurse dyert përbëheshin nga pëlhura leshi me ngjyrë të zezë. Unë isha prezent, kur mbërriti letra e Velid ibnu Abdul Melik, i cili urdhëronte që dhomat e grave të Profetit a.s të bëheshin pjesë e xhamisë. Për Zotin nuk kam parë njeri të qajë më shumë se ai atë ditë. Send ibnu Musejjib tha: ”Pasha Zotin do të doja t`i kishin lënë siç ishin, me qëllim që banorët e Medines të shihnin jetesën e të dërguarit të Zotit. Po ashtu, udhëtarët që vijnë nga skajet më të largëta, të konstatonin me sytë e tyre jetën e thjeshtë të të dërguarit të Zotit. Kjo do i shtynte që të distancoheshin nga luksi i tepërt dhe mburrja me të.
Atë ditë, Ebu Umame pati thënë: ”Ah sa dëshiroja të ishin lënë ashtu siç ishin, të mos ishin shembur. Njerëzit do të kufizoheshin ndaj ndërtesave të larta, kur të shihnin me sytë e tyre jetesën e thjeshtë të profetit të Zotit, edhe pse Zoti i kishte garantuar thesaret e kësaj bote”.
Nafi ibnu Abdil Harith transmeton, se Profeti (a.s) ka thënë: ”Lumturia e njeriut në këtë botë është tek një komshi i mirë, një mjet udhëtimi i rehatshëm dhe një banesë e gjerë”. (Buhari)
Profeti Ejub a.s zuri shtratin për njëzet vite me radhë. Zoti thotë për të: ”Ne e gjetëm atë të durueshëm”. (Sad, 44)
Për shkak se ai u shndërrua në model lidhur me durimin, në bisedat tona rreth të njëjtës temë, shpesh herë citojmë: ”Si durimi i Ejubit a.s”. Atij i vuante trupi nga sëmundja, sakaq shpirti përjetonte momentet më të mira të  shëndetit. Shpirti i tij rrezatonte dritën hyjnore të Zotit.
Vlera e vërtetë e njeriut qëndron në karakterin dhe mallin që përfaqëson, jo tek sendet që posedon. Sendet, ashtu siç vijnë dhe shkojnë, të jepen dhe të mohohen. “Allahu ndërron ditën dhe natën. Me të vërtetë, në këto (dukuri natyrore) ka mësime për ata që kanë mend”. (Nur: 44).
 
Përktheu: Elmaz Fida

Rating: 3.7 of 5. 3 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit