-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Spitali i pediatrisë “Sheikha Fatima” ende jashtë funksionit

Më të lexuarat

Spitali pediatrik kirurgjik “Sheikha Fatima”, i cili është donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndonëse u përurua në shtator të vitit të kaluar, ende nuk është vënë në funksion.

Investimi në këtë spital, i cili do të ofrojë shërbimet më moderne për diagnostikimin e sëmundjeve te fëmijët dhe shërimin e tyre, kap shifrën e 22 milionë eurove.

E funksionalizimi i tij sipas Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) varet nga tre hapa të cilët ishin përcaktuar në takimin e fundit të Komitetit drejtues të projektit për spitalin “Sheikha Fatima”.

Në një përgjigje për Telegrafin nga MSh kanë bërë të ditur se në mesin e këtyre hapave është që SHSKUK duhet të dorëzojë aplikacione për dy leje përkatëse.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) do të dorëzojë aplikacione për dy leje përkatëse (certifikatë për përdorim spitalor dhe kërkesë për Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Bërthamore); sipas informacioneve SHSKUK ka qenë në proces të realizimit të këtyre dy kërkesave”, thuhet në përgjigjen e MSh-së.

Hap tjetër, sipas MSh-së të cilët duhet plotësuar për të filluar punën spitali pediatrik është edhe prezantimi i planit të veprimit nga ana e SHSKUK-së.

“SHSKUK të prezantojë planin e veprimit për transferimin e shërbimeve në klinikën e re (duke filluar me shërbimet ambulatore) dhe të ofrojë planin e veprimit të investimeve tjera (në shërbime jo mjekësore dhe mbështetëse që duhet të realizohen nga SHSUKU për funksionalizimin e plotë të klinikës”, thuhet në përgjigjen e MSh-së për Telegrafin.

Ministria e Shëndetësisë më tej ka theksuar se pasi të jenë përfunduar këta hapa, MSh do të krijojë komisionin për pranimin teknik të spitalit dhe fillimin e shërbimeve.

“Kjo çështje është trajtuar me prioritet nga ministri Latifi dhe palët e involvuara kanë marrë obligimet që spitali të funksionalizohet sa më shpejt”, kanë deklaruar nga Ministria Shëndetësisë.

Punimet për ndërtimin e spitalit pediatrik “Sheikha Fatima” kanë nisur në mars të vitit 2016, kurse marrëveshja për ndërtimin e tij ishte nënshkruar në prill të vitit 2015 gjatë një vizite të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në Abu Dhabi. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit