11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Sistemoje jetën tënde 3

Më të lexuarat

Sistemoje jetën tënde 3

42 pyetjet sistemuese të jetës tënde
Nga: dok. Tarik Suejden
(pjesa e tretë)
16. Kur kanë qenë momentet më të bukura të jetës tënde?
Koment:
Mendo mbi jetën tënde. Nuk ka dyshim, se ti ke përjetuar çaste lumturie të jashtëzakonshme. Këtu nuk e kemi fjalën për gëzimin normal, por e kemi fjalën për kënaqësi dhe emocion të një natyre të veçantë, të një niveli të lartë. Ndoshta një gëzim dhe lumturi të tillë e ke provuar me shokët, ndoshta kur u bëre me fëmijë, ndoshta kur u diplomove, ndoshta kur mbarove një projekt, për të cilin punove vite të tëra, derisa e realizove dhe në momentet e mbarimit të këtij projekti, ti jetove një ndër çastet më të lumtura të jetës tënde.
Sill ndërmend ekspozenë e historisë së jetës tënde, shfaqe këtë film, qëndro dhe shiko se sa fragmente të tij kanë qenë shumë të lumtura, pastaj nga këto fragmente zgjidh një të vetëm, të cilin duhet ta konsiderosh si më të lumturin dhe duke u bazuar në të duhet t’i përgjigjesh pyetjes së parashtruar.
17. Cili është shkaku që këto momente ishin të lumtura?
Koment:
Përse ti i konsiderove këto çaste si çastet më të lumtura të jetës tënde? Cilat janë shkaqet, që i bënë këto çaste të jenë kaq të lumtura? Çfarë arrite të realizosh në to dhe cili ishte realiteti i tyre që të lumturoi?
Mendoni për shembull se përse momenti i lindjes së fëmijës, sidomos të parit prej tyre, ishte momenti më i lumtur? Përse momenti kur e mbarove shkollën dhe u diplomove ishte më i lumturi? Mendo dhe thellohu në mendim, merr kohë të mjaftueshme për këtë. Sa më tepër që njeriu të mësojë se çfarë do dhe çfarë e lumturon atë, aq më tepër aftësohet në përcaktimin e profilit apo lëmit të punës së tij dhe prioriteteve të jetës së tij në të ardhmen.
Ne po pyesim për të shkuarën, sepse e shkuara do të përcaktojë të ardhmen tonë dhe do na zbulojë se kush jemi ne në të vërtetë. Ne e studiojmë të shkuarën tonë, me qëllim që të ecim me prioritete të sakta drejt së ardhmes.
18. Nëse do disponoja burime të pakufizuara pasurie, atëherë cilat janë ato punë, cilat janë ato gjëra, që do zgjidhja të bëja?
Koment:
Nëse do të posedoje miliarda dollarë, çfarë do të bëje me to? Dua që pikërisht tani të mendosh dhe të shkruash katër gjëra, që dëshiron t`i realizosh me këto miliarda?  Kjo gjë të zbulon realitetin e unit tënd. Nëse ti thua: “Unë dua të bëj këtë e këtë gjë me to”, atëherë pikërisht kjo gjë është një prej qëllimeve madhore të jetës tënde.
19. Nëse nga jeta ime më mbeten vetëm gjashtë muaj, çfarë do të realizoja në to?
Koment:
Shpresojmë që kjo të mos na ndodhë tani, por vetëm pas një jete të gjatë…
Kjo pyetje funksionon në një formë të tillë, që ti të imagjinosh se një grup doktorësh kompetentë i thonë njëzëri një personi, se diagnoztifikimet mjekësore të bëra lidhur me shëndetin e tij, nxjerrin se atij i kanë mbetur vetëm gjashtë muaj jetë.
S’ka dyshim se është një pyetje shumë e vështirë për unin. Synimi i saj është që ta bëjë njeriun të mendojë dhe reflektojë.
Mendoje veten në gjendjen e lartpërmendur dhe mendo, se një person po të pyet se çfarë do përpiqesh të realizosh gjatë këtyre gjashtë muajve që të mbeten nga jeta jote. Prej gjërave që ti me siguri do të bësh, janë shtimi i namazit, kryerja e haxhit apo umras, leximi i Kuranit, shtimi i punëve të dobishme, bamirësisë, etj.
Por krahas këtyre çështjeve, njeriu mund të bëjë gjëra të tjera, që mund të jenë gjëra shtëpiake, gjëra që kanë të bëjnë me raportet me të tjerët, projekte të cilat nuk i ke realizuar dhe dëshiron t’i plotësosh, etj.
Cilat janë pra këto gjëra?
Kjo pyetje të zbulon ty realitetin e asaj që ti dëshiron, realitetin e prioriteteve të tua. Sigurisht ka gjëra, të cilat mund të kenë nevojë për më shumë se gjashtë muaj. Disa prej tyre mund të kenë nevojë për pesë vjet, por problemi qëndron, se unë kam në dispozicion vetëm gjashtë muaj. Cilat janë ato gjëra, me të cilat unë mund të filloj dhe më pas t’ua dorëzoj të tjerëve që t’i plotësojnë, ndërsa vetë të përpiqem të realizoj përqindjen më të madhe të tyre përgjatë gjashtë muajve?
Dikush mund të shkruajë: “Unë kam disa çështje që i kam filluar dhe që dua t’i mbaroj”. Dikush zbulon se gjëra që ai i kishte neglizhuar, qenkan në të vërtetë prioritetet e tij më të rëndësishme për të.
Pyetja në fjalë e imponon njeriun që t’i përgjigjet unit të tij dhe t’i përcaktojë atij, se cilat janë prioritetet që i dalin. Unë e di se është një pyetje e vështirë, madje unë ju kërkoj ndjesë që po ju bëj të parafytyroni një pozicion të tillë, por besomëni se nëse do mundohemi t’i përgjigjemi me vëmendje kësaj pyetje të imponuar një situatë nga e tillë, do të kemi përfitime të jashtëzakonshme. 
Njeriu duhet medoemos, që planin e tij ta ngrejë mbi realitetin e objektivave të tij, apo thënë ndryshe mbi objektiva realë. Është pikërisht kjo pyetje, ajo që zbulon para meje hierarkinë e prioriteteve, nëse këto prioritete janë kryesore për mua dhe nëse këto të tjerat janë dytësore.
Është shumë e mundur që mua të më zbulohen prioritete, karshi të cilave kam qenë tërësisht neglizhues, sidomos në sitën e “vetëm gjashtë muaj jetë”. Ndoshta do më dalë në pah, se prej prioriteteve që më dalin për detyrë, janë disa libra që kanë nevojë për disa korrektime të mbetura dhe nëse unë i shpërndaj tek njerëzit, ata do të përfitojnë prej tyre dhe prej këtyre librave do të ketë dobi të vazhdueshme. Ndoshta prej këtyre prioriteteve mund të jetë një shkollë, të cilën unë dua t’ia dorëzoj njerëzve të besueshëm, me të cilët unë kam besim se ajo do të ecë në rrugë të mbarë.
Pra paskemi të bëjmë me përgjigje, që në palat e tyre bartin aspektin e besimit apo fesë.
Gjithashtu kemi të bëjmë edhe me përgjigje, të cilat bartin në vetvete një aspekt jetik të kësaj dynjaje, si për shembull projekte të mbetura pezull, përmes të cilave unë dua të fitoj shpërblim, ndaj dhe prioriteti im përqendrohet tek ato.
Feja jonë është një fe e madhe, që na jep mundësi të mendojmë mbi çështje të dynjasë dhe në të njëjtën kohë t’i lidhim ato me amshimin.
Nëse më kanë mbetur vetëm gjashtë muaj jetë, çfarë do arrij lidhur me prioritetet e mia të dy aspekteve që u përmendën?
Së fundi, pasi t’i gjejmë këta prioritete, lypset ta falënderojmë Allahun, që situata jonë nuk është e kufizuar në realitet me gjashtë muaj. Në vijim këto prioritete lypset t’i zbresim në arenën e jetës sonë normale, duke iu lutur Allahut që të na japë jetë të gjatë dhe punë të dobishme.
Jepi kësaj përgjigje kohë të mjaftueshme dhe mendo gjatë rreth saj! Mund të mendoheni një ditë të tërë apo edhe dy ditë për t`iu përgjigjur kësaj pyetje. E rëndësishme është të mendoni thellësisht dhe të shkruani atë që mendoni dhe konkludoni.
20. Cilat janë tre ose katër gjërat më të rëndësishme në jetën time?
Koment:
Sigurisht që jeta jonë përmban në vetvete çështje të shumta. Pjesë e saj janë adhurimet, prindërit, fëmijët, shokët, profesioni, etj. Unë kërkoj që prej të gjitha këtyre detyrave dhe preokupimeve, të zgjedhës tre ose katër më të rëndësishmet, pra tre ose katër detyrat dhe çështjet e tua më të rëndësishme në jetën tënde?
Dikush mund të shkruajë: “Prej gjërave të mia më të rëndësishme janë: feja, shëndeti dhe prindi… “.
E vërteta është, se ne njerëzit ndryshojmë midis nesh. Çdonjëri prej nesh ka preokupime të ndryshme nga të tjerët dhe unë dua që nga të gjitha këto të mos shkruajmë më shumë se tre ose katër, pasi nëse shkruajmë më shumë, kjo e ndërlikon situatën, duke e bërë gati të pamundur përgjigjen. Pra dua të përmendësh vetëm tre ose katër çështje, duke qenë i vetëdijshëm se ato bartin brenda tyre prioritetet e jetës tënde.
21. Cila është puna më e rëndësishme që ti ke bërë përgjatë punës tënde normale ditore?
Koment:
Dua që për ta dhënë këtë përgjigje, të mendosh një ditë, një ditë të zakonshme prej ditëve të tua, jo një ditë që bën përjashtim, në të cilën ke pasur një angazhim të jashtëzakonshëm, as ditë në të cilën ke pasur një rast të veçantë apo një punë specifike.
Unë dua që ti të marrësh në konsideratë një prej ditëve të tua të zakonshme, të mendosh rreth saj, të ekspozosh listën e punëve që ke bërë gjatë saj, të përpiqesh të mendosh mbi të gjitha këto punë dhe të pyesësh se cila prej punëve të zakonshme të kësaj dite të zakonshme, është më e rëndësishmja?
Sigurisht, dihet fakti, se gjenden një sërë punësh, që njeriu i bën, sepse është i detyruar që t’i bëjë, sepse aty merr rrogën, e cila i duhet për të jetuar.
Por gjithashtu është fakt, se gjenden edhe punë të tjera, të cilat njeriu i konsideron punë të rëndësishme për të.
Pra pyetja këtu qëndron:
Midis punëve të listës së punëve të tua ditore të zakonshme, cila është puna të cilën ti e konsideron si punën më të rëndësishme në jetën tënde?
22. Cilat janë ato punë ditore, që më dhurojnë kënaqësi kur unë i kryej?
Koment:
Nga lista e punëve të rëndësishme që përcaktove, cilat janë ato punë të cilat të dhurojnë kënaqësi kur i kryen?
Ndoshta profesioni që bën njeriu është i rëndësishëm, por ai nuk i dhuron kënaqësi atij. Por nga ana tjetër nuk ka ndryshim, se në terren gjenden një sërë punësh, veprimi i të cilave i dhuron njeriut një kënaqësi të rrallë.
23. Cilat janë ato punë, që kanë ndikimin më të madh në jetën time?
Koment:
Cilat janë punët e mia, që kanë një ndikim të madh tek njerëzit rreth e rrotull meje? Sigurisht që çdokush nga ne ka ndikimin e vet tek të tjerët, që mund të jetë një ndikim i fuqishëm, por mund të jetë edhe një ndikim i dobët. Gjithsecili nga ne ka ndikimin e tij tek familjarët e tij, tek vëllezërit e tij, prindërit e tij, shokët e tij, punonjësit e tij, kolegët e tij e kështu me radhë.
Unë dua që të mendosh mbi të gjitha këto punë dhe të evidentosh ato, që ti mendon se kanë impaktin më të madh në jetën tënde dhe të të tjerëve.
Sigurisht që shumë prej punëve që ne bëjmë, janë të kategorisë së kryerjes së detyrës. Për shembull dikush e ruan lidhjen me familjarët e vet, jo sepse kjo i pëlqen dhe as sepse do që të ndikojë pozitivisht tek ata, por e ruan atë nga frika se mos bie në mëkat.
Pra nuk ka asnjë dyshim mbi faktin, se gjenden disa punë, që njeriut si mbetet veçse t’i bëjë. Me hir apo pahir, do apo s’do, njeriu duhet t’i bëjë këto punë, sepse kryerja e tyre është një detyrim për të.
Por gjithashtu gjenden edhe një sërë punësh, të cilat ne nuk i bëjmë se jemi të detyruar, por i bëjmë me vullnetin dhe dëshirën tonë dhe i bëjmë sepse ato kanë ndikim të fuqishëm tek të tjerët.
Cilat janë pra punët e tua, që kanë ndikim tek të tjerët dhe nuk janë nga ato punë që ti i bën thjesht se e ke për detyrë t’i bësh, por i bën ato që të ndikosh dhe të kesh sukses. Cili është ndikimi yt më i madh në të gjithë rolet e tua me të tjerët?
Shkruaji ato!
____________________________________________________________________
____________________________________________________________________
____________________________________________________________________
_____________________________________________________________________
– Përgjatë shtrimit të këtyre pyetjeve, shpresoj se ju filluat të zbuloni gjithmonë e më shumë vetveten tuaj dhe çështjet vijnë e qartësohen gjithnjë e më tepër.
Gjithsesi këto pyetje ende i përkasin aspektit teorik meditues dhe shqyrtues.
Shpresoj të mos shqetësoheni, sepse ne ende deri më tani, nuk kemi hyrë tek pyetjet praktike. Me lejen e Allahut tek pyetjet praktike ne do të hyjmë së shpejti, por para se të kalojmë tek pyetjet e karakterit praktik, më lejoni të parashtrojmë për ju edhe pyetjet në vijim:
24. Cilat janë përmasat e ndjenjave të kënaqësisë sime, përkundrejt nivelit të arritjeve të mia?
Koment:
Njeriu ka shumë role në jetë. Ai ka rolin e tij me prindërit e vet, duke qenë se ai është fëmija i tyre; ai ka rolin e tij familjar, ku më specifiku është ai i prindit, ai ka rolin e tij farefisnor, ka rolin e tij shoqëror, ai mund të ketë edhe një sërë rolesh të tjera, si atë politik, shoqëror, ideologjik, etj.
Pyetja këtu qëndron: Cila është vlera e kënaqësisë që ti ndjen, përkundrejt arritjeve që ke pasur në këto role? Thënë ndryshe, kënaqësia që ti ndjen kundrejt kryerjes së këtyre roleve është e lartë, mesatare apo e ulët?
Më tej pyetja vazhdon: Këto arritje të dhurojnë vetëm kënaqësi apo të dhurojnë edhe krenari?
Apo në horizontin e jetës tënde ti nuk shikon praninë e asnjë arritjeje, gjë që për fat të keq është evidente tek shumë e shumë njerëz.
Shumë prej njerëzve bëjnë një jetë të rëndomtë, pa asnjë arritje; jetojnë siç i thonë në margjinat e jetës. Ata i kanë çaktivizuar shumë prej roleve të tyre që duhet t’i kryejnë. Në krahun tjetër, edhe nëse ata i kryejnë këto role, i kryejnë ato me një performancë tepër të dobët, ku as që mund të bëhet fjalë për ndonjë arritje.
Krahasojeni një person të tillë me dikë tjetër, që ka pasur arritje të shumta, me të cilat ai është jo vetëm shumë i kënaqur, por është edhe shumë krenar.
Përgjigja për pyetjen në fjalë duhet të jetë e një trajte të tillë, që të shkruash për shembull: Unë në këtë lëmi jam i kënaqur; në këtë lëmi jam krenar, në këtë lëmi kam neglizhuar, e kështu me radhë.
25. Sa është boshllëku midis asaj që unë synoj dhe asaj ku gjendem momentalisht?
Koment:
Kjo pyetje duhet të përfshijë çdo lëmi dhe çdo rol. Le të marrim raportin me fëmijët. Unë për shembull aspiroj, që të formoj me fëmijët e mi raporte apo lidhje, të cilat të arrijnë në një nivel të lartë. Momentalisht ende nuk kam arritur tek niveli i dëshiruar, por kam arritur në një nivel mesatar. Atëherë në këtë rast kemi të bëjmë me një boshllëk midis realitetit ku unë ndodhem dhe atij që dëshiroj të arrij, ku fillimisht më duhet të vlerësoj nëse ky boshllëk është i madh apo i vogël.
Tani merr për shembull, raportin tënd bashkëshortor, nëse je i martuar. Shiko sesi në këtë raport ti ke arritur një nivel të mirë dhe pastaj të duhet të shtosh pyetjen, nëse ky është niveli që ti aspiron, apo nëse dëshiron që këto raporte dhe lidhje të jenë më të fuqishme dhe më të mëdha? Cili është pozicioni yt në krahasim me atë që aspiron? Pikërisht kjo gjë përbën atë që njihet me termin “boshllëk”.
Kësisoj, për çdonjërin prej aspekteve të jetës të përpiqemi të përcaktojmë terminologjinë brilante “boshllëk”. Këtë “boshllëk” duhet ta ndërtosh jo i bazuar në ambiciet e tua ditore apo dy ditore, por bazuar në ambiciet e tua pas pesëdhjetë vitesh, ose kur mosha jote, me lejen e Allahut, të ketë arritur 80 vjeç, pas një jete të gjatë dhe pune të denjë. Ndërto dhe mendo tani për atë çfarë dëshiron të arrish, teksa ti ende gëzon fuqi, shëndet, arsye dhe produktivitet. Shiko gjithashtu se sa ke arritur deri tani dhe ku syhnon të shkosh. Nëse boshllëku midis gjendjes tënde momentale dhe asaj që aspiron të arrish kur të jesh 80 vjeç është boshllëk i vogël, atëherë kjo gjë tregon, se ti je një njeri pa ambicie.
Edhe një herë tjetër, nëse ti posedon ambicie të mëdha, atëherë ke për të parë se boshllëku yt është i madh, por nëse ambiciet e tua janë të thjeshta, atëherë ke për të parë se boshllëku yt është i shumë i vogël. Që njeriu të jetë i zellshëm, entuziast dhe i vendosur, ai duhet të ketë medoemos një boshllëk të madh. Vetëm kështu ai mund të ketë arritje të mëdha në çdo lëmi të jetës së tij.
Sigurisht që nuk kërkohet, që ky boshllëk të jetë përrallor, si për shembull të thuash se në aspektin apo lëmin financiar ti do që rroga jote mujore, e cila momentalisht është 1000 USD, të jetë me tre zero të tjera prapa, pasi në këtë rast kem të bëjmë me një boshllëk joreal dhe në rastin konkret ti nuk ke arritur të bësh një planifikim korrekt.
Me këtë rast, pyetja që shtron vetveten është se: Cili është boshllëku i saktë?
Boshllëku i saktë, korrekt apo i drejtë është ai, që përmbush kriteret dhe përmban indikatorët ose treguesit konkretë. Shkurtimisht është ai prioritet, që më mundëson t`i bëj realitet arritjet e aspiruara brenda kohës që disponoj. Këto arritje mund të jenë të vështira, por ato gjithsesi janë të mundshme.
Në këtë kontekst vjen edhe mundësia e personit, që të vendosë një plan për njëzet vitet e ardhshme të jetës së vet dhe përgjatë këtyre njëzet viteve të përpiqet të kompletojë atë që aspiron, të plotësojë ambiciet e veta. Për shembull nëse unë tanimë kam realizuar 30% të ambicieve të mia, atëherë unë do përpiqem që në njëzet vitet e ardhshme të arrij nga kjo shifër tek për shembull shifra 80%. Nëse kjo gjë bazohet mbi ambicie reale, konsiderohet si një boshllëk i mundshëm dhe i arsyeshëm për t’u mbyllur.
Pra në çdo rol duhet të përcaktosh boshllëkun dhe të thuash: “Pasi kam arritur këtë, dua të arrij këtë”. Ky boshllëk duhet medoemos të jetë i madh, por nuk duhet të jetë i parealizueshëm, sepse nëse është i parealizueshëm, atëherë ai është shndërruar në një boshllëk mitik joreal, ndërsa në krahun tjetër nëse ai është një boshllëk i vogël, kjo bart kuptimin, se personazhi i tij është një njeri pa ambicie.
Konkluzioni: Përpiqu të përcaktosh rolet, në të cilët ti dëshiron të shënosh arritje, si për shembull arritje financiare, arritje ideologjike, arritje në raportet me prindërit, fëmijët, shokët etj dhe pastaj përcakto boshllëkun dhe rend me seriozitetin më të madh për ta sheshuar dhe mbyllur këtë boshllëk.
26. Cilat janë hapat apo procedurat që mund të ndjek, për ta kuruar këtë boshllëk?
Pa koment:
 (vijon…)

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit