Qeveria amerikane po heton një seri incidentesh shëndetësore në kryeqytetin austriak, Vjenë, duke përfshirë diplomatët e saj dhe stafin tjetër administrativ.
Më shumë se 20 zyrtarë kanë raportuar simptoma të ngjashme me Sindromën Havana – një sëmundje misterioze e trurit – që kur Presidenti Joe Biden mori detyrën në janar.
Sindroma është e pashpjegueshme, por shkencëtarët amerikanë thonë se ka shumë të ngjarë të jetë shkaktuar nga rrezatimi mikrovalë i drejtuar.
Ajo u regjistrua për herë të parë në Kubë në 2016. Konkreisht, diplomatët amerikanë dhe kanadezë në Havana u ankuan për simptoma duke filluar nga marramendja, humbja e ekuilibrit, humbja e dëgjimit dhe ankthi te ajo që ata e përshkruan si një “mjegull njohëse”.
Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kubën për të ashtuquajturën “Sulme zanore”, të cilat ky shtet i mohoi me forcë dhe incidenti çoi në rritjen e tensioneve midis dy kombeve. Një studim akademik amerikan në vitin 2019 zbuloi “anomali të trurit” në diplomatët që u sëmurën, por Kuba e hodhi poshtë raportin, kujton BBC.
Rastet e Vjenës së pari dolën në dritë në revistën New Yorker të premten dhe më vonë u konfirmuan nga Departamenti i Shtetit i SHBA, i cili tha se ishte “duke hetuar me forcë rastet”.
Në qershor, Sekretari Amerikan i shtetit Antony Blinken njoftoi një rishikim të gjerë të shkaqeve të sëmundjes.
Reuters citoi një deklaratë nga Ministria e Jashtme austriake duke thënë se ajo ishte “duke bashkëpunuar me autoritetet amerikane në hetim”. Vjena ka qenë prej kohësh një qendër e veprimtarisë diplomatike dhe kishte një reputacion si një vatër spiunazhi, veçanërisht gjatë Luftës së Ftohtë.
Vende si SHBA kanë një prani të madhe diplomatike atje. Qyteti aktualisht po pret bisedime indirekte midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara rreth përpjekjeve për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit 2015. /tesheshi.com/