1.3 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Si t’i lutem Allahut që të më ruajë nga mëkatet e mëdha…?

Më të lexuarat

Pyetje:

Selam alejkum!

Desha t’ju pyes se me çfarë lutje duhet t’i lutem Allahut xhele shanehu që të më ruajë nga mëkatet e mëdha, prej turpit dhe mendimeve të këqija?

Përgjigje:

Alejkum selam ve Rahmetullah!

Motër myslimane, ka lutje të shumta dhe ka libra të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, që kanë përmbledhur lutje të shumta, që bëhen në situata të ndryshme, siç është libërthi “Mburoja e Muslimanit”.

Sa i përket rasteve që ke pyetur, ato janë të ndryshme dhe dallon qasja njëra nga tjetra. Kur jemi te mëkatet, mund të bëhen dua të ndryshme, por më e qëndrueshme do të ishte të larguarit nga rrugët që çojnë tek gjynahet e mëdha dhe të kujtohet, siç ka thënë Ibnul Kajjimi, me plot bindje se:

Allahu është në dije me atë që fsheh zemra e jote,

Ndaj Allahut duhet të turpërohesh për mëkatimin që do ta bësh,

Frika e jote se mund të biesh nga mëshira e Allahut për shkak të mendimeve që i ke për mëkatim,

Të kesh frikë se mos Allahu do të mbjell në zemrën tënde në vend të dashurisë ndaj Tij, dashurinë për mëkate etj.

Për turpin nuk duhet të bëhet dua që të largohet, sepse ai është i dobishëm dhe i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë për të se nuk sjell gjë tjetër pos hairit.

Përveç veprave të mira dhe largimit të mendjes nga mëkatimi, mund të bëni lutje të ndryshme që kanë të bëjnë me largimin nga rrugicat e mëkateve, që ju burojnë nga zemra, madje në gjuhën shqipe.

Ndër të tjera mund të bësh edhe këto dua, që i ka praktikuar vet i dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të:

“O Allah, të lutem që të më mbrosh nga shirku ndaj teje duke qenë unë i vetëdijshëm dhe të lutem të më falësh nëse e bëj këtë pa dije!” (Transmeton Ahmedi)

“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Ali Imran, 8)

“O Allah, të lutem që të më dhurosh udhëzim, devotshmëri, ndershmëri dhe pasuri!” (Transmeton Muslimi)

“O Allah, mëshirën tënde e kërkoj, andaj mos më lë të mbështetem në veten time asnjë çast, si dhe ma përmirëso gjithë gjendjen time. Nuk ka zot që meriton adhurimin përpos Teje!” (Transmetojnë Ebu Davudi, Ahmedi etj.)

“O Allah që i orienton zemrat, ma drejto zemrën time në respektin Tënd!” (Transmeton Muslimi)

“O Allah që i rrotullon zemrat, forcoma zemrën time në fenë Tënde!” (Transmeton Tirmidhiu)

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit