0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Si të qëndrojmë në rrugë të drejtë në një botë ku idetë dhe konceptet e reja sfidojnë besimet tona tradicionale?

Më të lexuarat

A mos po ecim në rrugën e zjarrit edhe pse aspirata e jonë është Xheneti?

Rruga e Xhenetit dhe Rruga e Zjarrit

Në mesin tonë, në vendet arabe, u shfaqën disa ide të çuditshme, ide të cilat i kemi dëgjuar që të vegjël. Këto ide u përçuan tek ne në kohën e kolonializmit dhe sot tek ne jehonën e tyre, e përcjellin ata që u edukuan dje nëpër shkollat e tyre. Shumë të rinj u besojnë sot këtyre fjalëve dhe kujtojnë –për shkak të heshtjes sonë dhe mos kundërshtimit- se ato janë të vërteta të pakundërshtueshme.

Ndër këto ide që qarkullojnë në mes nesh ka të tilla si: “Zotit i përket feja ndërsa atdheu u përket të gjithëve” apo “Feja është e ndarë nga politika” apo i emërtojnë dijetarët muslimanë si “njerëz e fesë”.

Fjalë të tilla gjen shumë, një pjesë e njerëzve i besojnë ato si të vërteta dhe një pjesë pyesin për saktësinë e tyre, sepse dyshojnë në vërtetësinë e tyre.

Nuk mund të jepet një gjykim për këto ide, nëse nuk njohim më parë së çfarë do të thotë fjala “fe”.

Ata që i kanë sjellë këto slogane mes nesh, janë të krishterët dhe ne i kemi marrë prej tyre dhe më pas i kemi praktikuar për fenë islame, ndërkohë që fjala “fe” tek ne, ka një tjetër kuptim nga fjala “fe” tek ata.

Feja tek të krishterët, sipas asaj që përmendet nëpër disa enciklopedi të njohura, si ajo britanike apo Larus-i francez, është ajo që përcakton lidhjen ndërmjet njeriut dhe Zotit. Pra feja sipas tyre ngushtohet brenda asaj që përmban kisha si institucion dhe nuk ka lidhje me pjesën tjetër të jetës, me sistemin e marrëdhënieve ndër njerëzore, kjo gjë tek ne korrespondon me atë që njihet si adhurim, si falja, agjërimi etj.

Por nga ky këndvështrim Islami nuk është vetëm fe, sepse ai nuk kufizohet vetëm tek adhurimet. Mjafton të shfletoni faqet e një libri të jurisprudencës islame (fikhu) dhe të vështroni kapitujt e tij dhe do të gjeni në të kapituj që flasin për adhurimet dhe kjo i përket asaj që njihet si “fe” tek të krishterët, do të shikoni kapituj që flasin për marrëdhëniet ndër njerëzore, që përkon me atë që quhet “kodi civil”, do të shikoni kapituj që flasin për martesën dhe divorcin dhe që korrespondon me atë që quhet “kodi i familjes”, do të shikoni kapituj që flasin për luftërat dhe kjo korrespondon me atë që quhet “marrëdhëniet ndërkombëtare”, do të shikoni kapituj që flasin për udhëheqjen e madhe (el-imametu el-udhma) dhe që korrespondon me atë që quhet “e drejta kushtetuese”, do të gjeni kapitullin e ndëshkimeve dhe kjo korrespondon me “kodin penal”, do të gjeni edhe kapituj që flasin për testamentet, për trashëgiminë dhe etikën.

Pra Islami është fe, kod civil, kod penal, kushtetutë dhe ligj ndërkombëtar, si edhe moral e etikë.

Nëse ata flasin për ndarjen në mes fesë dhe politikës dhe ne e pranojmë këtë fjalë, kjo do të thotë për ne se adhurimet nuk duhet t’i përziejmë me politikën dhe natyrisht që adhurimet nuk kanë si të përzien në çështjet e politikës dhe as politika nuk përziet në çështjet e adhurimeve. Por nëse vetë politika është pjesë e fesë sonë, si t’ia bëjmë? Me politikë nuk kam për qëllim përplasjet partiake dhe as konkurrencën e partive për të marrë vende në qeverisje, dhe as garën elektorale për të fituar vendet në parlament, por kam si qëllim parimet e politikës dhe vijat e saj të përgjithshme.

Nëse të krishterët i quajnë priftërinjtë e tyre si njerëz të fesë, kjo vjen sepse priftërinjtë nuk kanë punë tjetër veç kryerjes së riteve të lutjeve, meshave apo edhe dëgjimit të rrëfimeve. Ndërsa dijetari mysliman është njeriu i fesë dhe njeriu i botës, sepse feja dhe bota në Islam janë bashkë dhe nuk ndahen dhe jo siç thonë disa predikues të paditur, se ato janë si dy shemra që nuk duhen mes tyre.

Nëse të krishterët thonë se i pasuri nuk hyn në parajsën e qiellit, Islami e ka quajtur pasurinë në Kuran si mirësi. Në të thuhet “Ju është urdhëruar që, nëse ndonjërit prej jush i afrohet vdekja dhe ka pasuri (hajr-mirësi) për të lënë pas, atëherë të lërë testamentin në mënyrë të drejtë…”[1] Dhe po ashtu për njeriun ai thotë: “Vërtet, ai është i babëzitur për pasuri (hajr-mirësi).”[2] Dhe në Islam si i pasuri që falënderon Zotin edhe i varfëri që bën durim, janë njëlloj në vlerën e tyre tek Zoti.

Nëse feja e krishterë, pasuesve të saj u obligon që nëse të bien në njërën faqe duhet t’i kthesh tjetrën, atij që të ka rënë, Islami urdhëron që armiqësisë t’i përgjigjesh me të njëjtën monedhë, por pa e kaluar cakun “Pra, kushdo që ju sulmon, edhe ju keni të drejtë ta sulmoni atë, ashtu siç ju sulmoi ju!”[3] Dhe përsëri thotë: “Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe.”[4] dhe kësaj i thonë drejtësi. E Zoti po ashtu më pas thotë: “Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut.” Dhe kjo është bamirësi, e Allahu urdhëron të mbahet drejtësia dhe të bëhet bamirësi.

Pra Islami i ka urdhëruar muslimanët ta zmbrapsin forcën e padrejtë dhe tiranike me forcën dhe kundërpërgjigjen e drejtësisë. Nëse ngadhënjejnë mbi kundërshtarin dhe e kanë në dorë atë, e më pas e falin atë, padyshim që falja është më e mirë. Muslimani fal hakun e tij personal, sepse ajo është e drejta e tij, të cilën ai e lëshon nëse do, e ndërsa hakun e Zotit, askujt nuk i takon ta lëshojë atë.

Islami atëherë është edhe fe edhe botë, është edhe adhurim, etikë edhe ligj dhe atij nuk i shkon për shtat çka i shkon për shtat dikujt tjetër. Islami nuk ndahet nga politika, sepse për shembull surja Et-teube, i përket Kuranit dhe flet për thelbin e politikës ndërkombëtare, a ta ndajmë këtë sure nga Kurani e ta fshijmë atë nga shtypja dhe publikimi i tij?!

Islami mban zgjidhje për çdo problem të qenies njerëzore; në të gjen një sistem të plotë ekonomik, ai është një sistem i drejtë mes dy të shtrembërve: në mes kapitalizmit të padrejtë, të zhytur në diferencime sociale dhe komunizmit të padrejtë, që përçmon individin.

Islami është për çdo vend dhe për çdo kohë.

Në Kuran dhe në Traditën Profetike do të gjejmë gjykim për transaksionet e ndryshme financiare dhe bankare, por ne këto gjëra nuk i gjejmë të shprehura në mënyrë të drejtpërdrejtë në librat e vjetër të Fikhut; e si mund të përmenden ato në këto libra kur në kohën kur u shkruan këta libra në botë nuk ekzistonin bankat dhe as transaksionet bankare?

Si mund të përmend për shembull libri i fikhut “El-mugni” gjykimin për sigurimin e makinës, ndërkohë që është shkruar para se të shpikej makina? Por edhe para se të ekzistonte sistemi i sigurimeve?

Dijetarët tanë të hershëm muslimanë nga Kurani dhe Tradita Profetike kanë nxjerrë zgjidhje të detajuara për problemet e kohës së tyre, ne sot na takon të nxjerrim zgjidhje për problemet e kohës sonë.

Zgjidhja ekziston, por ajo kërkon studime dhe kërkime akademike për ta nxjerrë atë, ashtu siç hapim minierat për të nxjerrë mineralet, që Allahu i ka vendosur në brendësi të tokës.

Gjetja e këtyre zgjidhjeve është detyrim kolektiv, për ata dijetarë muslimanë që munden, por nëse asnjëri prej tyre nuk e bën këtë, atëherë të gjithë do të bien në gjynah. Dhe kjo mungesë e zgjidhjeve islame do t’i shtyjë pushtetarët që të marrin ligjet e huaja, të cilat nuk burojnë nga e drejta islame dhe nuk janë bërë për vendet myslimane. Ato u ngjajnë rrobave të gatshme, të prera dhe të qepura me një masë fikse. Islami është një rrobë që na e ka prerë Allahu, sipas përmasave të trupit tonë, e që mbulon të gjitha nevojat tona, realizon shpresat tona dhe na udhëheq ne në rrugën e lumturisë, në këtë botë dhe në atë të përtejme.

Ibn Kajimi –rahmet pastë- ia ka qëlluar të vërtetës kur thotë, në librin e tij madhështor “Rrugët e Gjykimit”, se pasiviteti, ngurtësimi i juristëve islamë dhe ngushtimi i ligjit të gjerë të Allahut, i ka shtyrë pushtetarët, që t’i marrin ligjet nga jomyslimanët.

Gjatë kohës së bashkimit (në mes Sirisë dhe Egjiptit), kur unë kam qenë këshilltar në gjykatën e apelit, në Kajro dhe në Damask, kishte diskutime në mes nesh dhe këshilltarëve të tjerë për probleme të ndryshme. Në atë kohë unë shkrova një artikull në revistën “El-kanun”, që botohej nga Ministria e Drejtësisë në Siri, me titullin “Zgjidhje të vjetra për probleme të reja”. Në të pasqyrova zgjidhjet që kisha nxjerrë nga librat e fikhut, për probleme të cilat njerëzit kujtojnë se kanë dalë sot për herë të parë! Kush të dojë dhe ka mundësi le t’i kthehet dhe t’i shohë e t’i lexojë ato.

Një nga problemet tona është se ne shkojmë pas njerëzve, nuk shohim nëse ata ecin në rrugën e drejtë apo në rrugën e shtrembër. Ky është modeli ynë në jetën tonë individuale dhe atë shoqërore, aq sa ne kemi marrë nga të tjerët parimin e ndjekjes së shumicës, edhe nëse kjo shumicë shkon në humbje!

Një nga shkaqet që na pengon ne të ndjekim rrugën e fesë, është pasimi i njerëzve.

Unë nuk po ju them juve: kundërshtoni njerëzit, mos respektoni zakonet, kur njerëzit të mbathin këpucët në këmbë, ju varini ato në qafë, nëse ata flenë në shtretër, ju flini në vaskën e banjës! As nuk po u them: nëse shikoni se njerëzit ecin në të djathtë të rrugës ju shkoni në të majtë të saj, që të mos u ngjani atyre!

Unë po ju them: merrni fenë si model. Nëse shikoni se njerëzit shkojnë në rrugën e haramit ju mos u shkoni nga pas dhe mos u justifikoni se kështu janë shumica e njerëzve, sepse njerëzit më së shumti janë në humbje, Allahu thotë: “Nëse i bindesh shumicës së njerëzve që gjenden në tokë, ata do të të shmangin nga rruga e Allahut.”[5] Dhe thotë: “Shumica e njerëzve, sado që të dëshirosh ti, nuk janë besimtarë.”[6]A qëndron, pra, e vërteta gjithmonë me shumicën?

Nëse tre mjekë të spitalit vendosin që i sëmuri duhet të operohet, ndërkohë që të gjithë pastrueset, infermieret, rojet dhe sanitarët që mund të bëhen gati tridhjetë vetë, kërkojnë që operacioni të mos bëhet, por të lihet mënjanë. A do të marrim mendimin e këtyre tridhjetë pastrueseve, rojeve, infermiereve dhe sanitareve, apo do të ndjekim mendimin e tre mjekëve?

Nëse dy pilotë avioni kanë vendosur ta ulin avionin, sepse karburantit po i vjen fundi, ndërsa pasagjerët, numri i të cilëve shkon tetëdhjetë vetë, kërkojnë që fluturimi të vazhdojë, sepse ata janë shumica dhe duhet që ata të vendosin; cilin mendim do të marrim?

O njerëz! E vërteta, i bën njerëzit të njohur dhe nuk janë njerëzit ata që e bëjnë të njohur vërtetën.

Mendimi i një njeriu, që ka fakte të qarta, është më primar sesa mendimi i njëmijë vetëve që nuk kanë argument me vete.

Nëse numri i ndjekësve të së shtrembëtës arrin në njëqind milion apo edhe në një miliard dhe në tokë mbetet vetëm një njeri në të vërtetën, ky njeri i vetëm do të ishte në rrugën e drejtë dhe jo milionat e tjerë.

A nuk ju kujtohet se Hitleri dhe Musolini, e të tjerë diktatorë si ata, u ligjëronin njerëzve gjëra të padrejta, siç qe nazizmi dhe fashizmi dhe këtyre diktatorëve u përgjigjeshin me britma miliona njerëz; e ku janë sot këta miliona?

Sa udhëheqës arab kemi parë tek u ligjërojnë njerëzve që i dëgjojnë, por nuk i kuptojnë? Dhe argument për këtë është vetë fakti se ata e ndërpresin ligjëruesin në mes të fjalisë, në mes të kryefjalës dhe kallëzuesit, në mes foljes dhe vepruesit, para se ai ta mbarojë mendimin, duke bërtitur, thirrur dhe ulëritur si të çmendur! A nuk janë këta që bërtasin po ata njerëz që bërtisnin për atë që ishte para tij? Ata përsëri do të mblidhen dhe do të bërtasin për atë që do të vij pas tij! Do të thonë atë që u thuhet, dhe do të përsërisin atë që u jepet; ata i bashkon daullja dhe i ndan shkopi! Jo! Allahu nuk do t’ia dijë për ta!

Thonë se nuk jeton vetëm se i shëndoshi dhe nuk mbetet vetëm se më i dobishmi, ky është ligji i evolucionit tek disa, e ndoshta ky është një ligj prej ligjeve të Zotit për krijesat. Nëse këto ideologji tokësore ateiste, janë të shëndosha dhe janë më të dobishmet, atëherë ato do të mbesin, por nëse feja e Zotit është e shëndosha dhe ajo çka Allahu ka ligjëruar për njerëzit është më e dobishmja, padyshim që ai që mbetet është Libri i Zotit, Libër të cilin Ai premtoi se do ta ruajë, dhe lajthitjet e kësaj epoke do të shkojnë ashtu siç kanë shkuar para tyre me qindra lajthitje.

Ku është sot ajo që propagandonte Hitleri dhe Musolini?

Koha do t’i zhdukë këto ideologji dhe në mes njerëzve nuk do të mbesë kush që do t’i njohë, veç studentëve të niveleve pas universitare. Do të vijë një ditë që studentët do të pyesin se çfarë ishin këto ideologji, ashtu siç shumë prej tyre pyesin sot për karamitët, për mazadakët dhe manizmin?[7]

E pavërteta vjen edhe shkon, por përfundimi i takon të drejtës dhe të vërtetës.

Ndaj mos u mashtroni me përhapjen e së padrejtës, e së keqes! Mos dyshoni në islamin tuaj, mos nxirrni përpara realitetin e njerëzve para vërtetësisë së fesë suaj. Mos u bëni njerëz oportunist duke thënë: nëse njerëzit bëhen të mirë dhe ne bëhemi të mirë dhe nëse ata bëhen të këqij edhe ne po kështu do të bëhemi, nëse njerëzit e pranojnë fajdenë dhe interesin bankar edhe ne e pranojmë, nëse njerëzit zhvishen dhe zbulohen edhe gratë tona le të zhvishen dhe zbulohen si të tjerët.

Nëse njerëzit e lënë pas shpine Ligjin e Zotit dhe ndjekin ligjet e njerëzve dhe me to gjykojnë mes tyre, a të veprojmë edhe ne siç veprojnë njerëzit? Jo… por ndiqni të vërtetën dhe të drejtën.

Shumë muslimanë sot kanë devijuar nga rruga e fesë dhe e kanë kthyer në diçka të mirë atë që feja e konsideron si të keqe. Në disa vende myslimane një pjesë e njerëzve i janë kthyer moralit të kohës së injorancës para islame, madje edhe më keq se ajo, sepse në të kishte vërtetë shirk, që është koka e gjynaheve dhe belaja më e madhe, por në atë kohë kishte edhe sinqeritet, burrëri dhe xhelozi për nderin. A keni dëgjuar apo keni lexuar ndonjëherë se në atë kohë nëpër festa përziheshin gra të zhveshura me burrat e huaj, se Ebu Lehebi kërcente me gruan e Ebu Xhehlit? A keni dëgjuar se gratë e asaj kohe dilnin lakuriq para burrave të huaj, apo dilnin në plazh për tu larë para njerëzve dhe vishnin vetëm rroba banje? A nuk ka sot në mes muslimanëve, njerëz të cilët e bëjnë këtë?

Unë nuk po qortoj asnjë njeri me emër, dhe nuk po flas për ndonjë njeri konkret, sepse ky tashmë është një fenomen i përhapur mes muslimanëve, ju e shihni dhe e njihni këtë gjë dhe nuk keni nevojë për asnjë që tua tregojë.

O vëllezër! Ajo që unë dua tu them, është të ndiqni gjykimin e fesë edhe nëse ajo nuk përputhet me atë çka bëjnë njerëzit dhe mos ndiqni njerëzit, nëse ata nuk pajtojnë me fenë, sepse ata nuk kanë çfarë tu bëjnë para Zotit, e Zoti është Ai që ju ruan juve prej njerëzve.

Kjo që po kërkoj nga ju, e di shumë mirë se është e vështirë për ju. Kësaj nuk mundet t’i përgjigjet vetëm se ai që Zoti i jep forcë. Ne sot jetojmë në fundin e kohës, kohë për të cilën i Dërguari i Allahut-sal-lallahu alejhi ue selem- na ka lajmëruar se ai që kapet pas fesë së tij, është si të mbante në dorë prushin.

Durimi ndaj prushit të kësaj bote është më i lehtë sesa durimi ndaj prushit të botës tjetër. Kujtoni gjithmonë një thënie të Profetit -sal-lallahu alejhi ue selem-, të cilën do të dëshiroja që çdo njeri prej nesh ta vendoste para tavolinës së tij apo ta varë në murin e shtëpisë së tij, që ta shohë në mëngjes dhe në mbrëmje. Kjo thënie është fjala e Profetit -sal-lallahu alejhi ue selem- që thotë: “Ai që e kërkon kënaqësinë e Allahut me pakënaqësinë e njerëzve, Allahu do të jetë i kënaqur me të dhe do t’i kënaq edhe njerëzit me të. Dhe kush kërkon kënaqësinë e njerëzve kur Allahu është i pakënaqur, Allahu do të mbetet i pakënaqur me të dhe do t’i bëjë edhe njerëzit të pakënaqur me të.”[8]

Në këtë cep të botës ka shumë slogane dhe propagandë: propagandë majtiste e djathtiste, propagandë nacionaliste dhe për parti, sekte e rryma të shumta, lërini të gjitha dhe kapuni pas fesë islame.

Në librin tim të parë “Njohje e përgjithshme rreth fesë islame” kamë dhënë një shembull: Në një shkretëtirë të madhe ka një rrugë në të cilën kalojnë makinat, kjo rrugë lidh vendet e populluar lindore me ato të populluara në perëndim. Në mes të kësaj rruge ka vende ku rrebeshet kanë prishur asfaltin dhe e kanë shndërruar rrugën në këto pjesë në gurishte dhe gropa, por makina patjetër duhet të kalojmë mbi to, derisa rruga të rregullohet.

Këtë rast e kanë shfrytëzuar disa banditë dhe ata janë të shumtë dhe të organizuar në grupe, në këtë vend imagjinar, ata kanë hapur në krahë të rrugës kryesore dhe në vendet ku ajo është prishur rrugë dytësore, të cilat i kanë shtruar në hyrje të tyre, për të mashtruar njerëzit. Krahas kësaj në krah të këtyre rrugicave kanë ngritur kafene, klube dhe restorante, nga të cilat dëgjohet të dalë zëri i këngëve dhe i muzikës. Një njeri që nuk i njeh do të kujtojë se ato janë kafene dhe restorante reale, por ato nuk janë veçse vende kurthesh, të cilat janë përgatitur për të zhvatur paratë e njerëzve, nëpërmjet pijes, femrave dhe mjeteve të tjera. Ai që hyn në to nuk del vetëm se me asnjë lek në xhep, e ndoshta edhe me ndonjë sëmundje që nuk i ndahet, derisa t’i ndahet shpirti nga trupi. Qeveria gjithsesi ka vendosur në rrugën kryesore tabela paralajmëruese, ndaj këtyre gjërave dhe ka treguar rrugën që të shpie në vendin e kërkuar, pavarësisht se rruga vende-vende është e dëmtuar.

Nëse vjen në këtë vend dhe para teje do të shohësh rrugën e dëmtuar, që është gjithë gurë dhe gropa, por sidoqoftë ajo të shpie në një vend të sigurt dhe të qetë, në qytetet e mëdha ku ti kërkon të qëndrosh gjatë, dhe krahas tyre shikon edhe këto rrugë dytësore, të lehta për tu kaluar dhe shtruara, në të cilat gjen ushqim dhe pije, kënaqësi dhe rehati, por ai që i merr këto rrugë do të humbasë pasurinë dhe shëndetin e tij dhe do të dalë prej tyre i sëmurë dhe i humbur; cilën nga këto rrugë do të ndjekësh?

A do të durosh vështirësitë e rrugës së drejtë, gropat dhe baltën e saj, duke shpresuar se në fund do të mbërrish në një vend të qetë dhe të sigurt? Apo ti mos vallë je nga ata që mashtrohen pas një kënaqësie të përkohshme, nëpër këto rrugë dytësore?

O njerëz! Ky shembull i ngjan tamam rrugës së Xhenetit dhe rrugës së Zjarrit.

Rruga e Xhenetit është e vështirë, por në fund të saj ajo të shpie në lumturinë e pasosur. Rruga e Zjarrit është lehtë, por caku i saj të shpie në dëshpërimin pafund.

Xheneti është i rrethuar me gjëra të vështira, ndërsa Zjarri është i rrethuar me kënaqësi epshore.

Për atë që të fton në Zjarr çdo gjë është e këndshme! Ai të thotë shiko këto lakuriqësi të bukura, shijoji këto paratë haram, bëj çdo gjë që të pëlqen, çdo dëshirë dhe tek që të vjen ndërmend, plotësoja qejfin vetes, por edhe nëse inatosesh mund të godasësh kë të duash, nëse dëshiron gjë merre atë dhe mos hezito, mos mendo vetëm se për çastin që ti jeton, ndjehu i lirë për çdo gjë, mos e ça kokën për asgjë, mos e ço mendjen te vdekja dhe as mos e vrit mendjen për botën tjetër!

Të gjitha këto, janë gjëra të lehta për njerëzit dhe joshëse për trupin.

E keqja është e lehtë, sepse njeriu i keq të merr pas me vete aty ku ty të pëlqen, që ti të shohësh çka të ka ënda, nëpër disko e pub-e, për të kërcyer e për të parë femra lakuriqe, për të përjetuar histori rozë, për të tu joshur pas tyre, por ndoshta ai nuk të shpie direkt, por ngadalë dhe hap pas hapi.

E njeriu i mirë, ai besimtari, çfarë të ofron? Ai nuk të ofron gjë, vetëm se të privon të pasosh pasionet e tua. Nëse përpara të del një femër e bukur të thotë: mos e shiko! Nëse vihesh para një fitimi haram, të thotë: mos e merr! Mos shko pas dëshirave dhe epsheve të tua! Lëre gjumin tënd të këndshëm dhe ngrihu të falesh në agim herët! Lëre dëshirën tënde për të ngrënë dhe agjëro në Ramazan! Shtrëngohu dhe shko në haxh! Nëse dëgjon një përgojim dhe mendja të shkon të bëhesh pjesë e kësaj bisede, të thotë: mos përgojo, por çohu nga biseda dhe largohu, nëse të pranishmit nuk e ndryshojnë bisedën! Nëse gratë ndjekin modën dhe veshin rroba të shkurtra, ai të thotë: mos bëj si ato, por mbulohu siç e kërkon feja!

Rruga e Xhenetit, fillimi i saj është i vështirë, por nëse duron vështirësitë e saj, ajo të shpie në kënaqësinë pambarim

Rruga e Zjarrit fillimi i saj është i lehtë dhe i bukur, por nëse bukuria e saj të mashtron, ajo do të shpjerë në vendin e trishtimit të përhershëm.

Kjo gjë i ngjan nxënësit një natë para provimit; familjarët e tij janë mbledhur rreth televizorit dhe po shohin një film të bukur, dhe atij ja ka qejfi të jetë me ta. Nëse ai i shkon pas kësaj dëshire dhe i jep përparësi kësaj kënaqësie të përkohshme, do të ngelet në provim. Por nëse e mund dëshirën e tij dhe shkon pranë librave dhe leksioneve të tij, do ta shijojë kënaqësinë e shikimit që i jep filmi.

Forca qëndron tek kontrolli vetvetes.

Nëse nga radio dëgjon një bisedë fetare të mirë apo këtë e gjen në një libër a revistë dhe nga një stacion tjetër dëgjon muzikë që të pëlqen, të filan këngëtareje apo këngëtari dhe e braktisë muzikën, për të dëgjuar bisedën që po mbahet, ti atëherë e ke vullnetin të fortë, sepse more rrugën më të vështirë.

Ti po ngjitesh lart dhe ngjitja në lartësi gjithmonë është e vështirë, ndërsa rënia poshtë përherë është lehtë.

Ndjekja e dëshirave dhe epsheve i ngjan një shkëmbi që bie nga maja e malit, lëvize pak nga vendi i tij dhe ai do të bjerë poshtë pa vështirësi. Vështirësia qëndron në kthimin e tij atje ku ishte.

Një depozitë e madhe uji është vendosur në majë të malit, atë e shpojmë me trepan, uji i saj do të rrjedhë në luginë me lehtësi të madhe, vështirësia qëndron për ta kthyer ujin atje ku ishte në fillim.

Ai që pëlqen rehatinë, nuk do të bezdiset, nuk do t’ia prishë qejfin vetes dhe as të mbajë ndonjë barrë apo përgjegjësi, ky njeri nuk mund ecë në rrugën e Xhenetit.

Ai që kërkon të marrë rrugën e Xhenetit, duhet të përgatitet për vështirësitë dhe lodhjet që ajo ka, ai duhet t’i rezistojë gjynaheve joshëse dhe të mos u afrohet atyre, të durojë në kryerjen e detyrimeve të vështira dhe të mos i lër mangët ato.

“A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?”[9]

Unë i shoh njerëzit se kur në radio apo diku tjetër tregohen thëniet e Profetit -sal-lallahu alejhi ue selem-, në të cilat ka dritë dhe udhëzim, shumica e njerëzve nuk i kushtojnë rëndësi, vetëm në momentin kur dëgjojnë të bëhet një lutje, apo kur dëgjojnë fjalë, që nëse thuhen Zoti të fal apo të fut në Xhenet, ama nëse dëgjojnë diçka që kërkon punë, ata gati nuk ua vënë veshin asaj.

Mesa duket o vëllezër, ne nuk duam të punojmë, por duam të hymë në Xhenet me fjalë.

[1] El-bekare: 180.

[2] El-adijat: 8.

[3] El-bekare: 194.

[4] Esh-shura: 40.

[5] El-enam: 116.

[6] Jusuf: 103.

[7] Të parët i përkasin një sekti shiitë ekstremë, ndërsa të dytët dhe të tretët i përkasin sekteve dhe ideologjive të dala nga Persia e hershme. (shën. përkth)

[8] Ibn Hiban nr.276 dhe Ibn Asakir 20/54.

[9] Al-imran: 142.

Autori: Ali Tantaui

Përktheu: Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit