30 C
Pristina
Wednesday, June 26, 2024

Si të jemi të qëndrueshëm në islam?

Më të lexuarat

Nga: Amr Halid

Si të jemi të qëndrueshëm në islam?

Siç vihet re, qëndrueshmërisë i kemi kushtuar më shumë vëmendje në këtë cikël temash, sepse ajo përbën çelësin e suksesit dhe rimëkëmbjes së umetit.
Zakonisht, në kohë fatkeqësish, luftërash dhe sprovash, i gjithë umeti ngrihet në këmbë, protestohet, shohim lutje të shumta të organizuara në xhami, myslimanë të shumtë që agjërojnë si solidarizim me viktimat, donacione që jepen etj… Por me të përfunduar gjendja e luftës dhe konflikti, harrohet gjithçka. Ata që ishin të përkushtuar gjatë sprovës, tashmë i kthehen jetës normale dhe e harrojnë adhurimin dhe përkushtimin. Harrohet se çështja e Palestinës është akoma e pazgjidhur. Harrohet se çështja e Irakut është akoma e pazgjidhur. Harrohet se umeti mysliman është i zhytur në skamje dhe varfëri. Harrohet se ne duhet të vazhdojmë të qëndrueshëm në parimet tona. Harrojmë se duhet të vazhdojmë t’u rezistojmë gjynaheve.
Gjatë bisedave, ligjëratave dhe kontakteve nëpërmjet internetit, shumë njerëz më kërkojnë t’u flas mbi faktorët e qëndrueshmërisë. Në këtë trajtesë, unë do të flas edhe mbi faktorët që na bëjnë të qëndrueshëm, por fillimisht dua të flas rreth disa modele njerëzish të cilët u thyen dhe e humbën qëndrueshmërinë. Shumë njerëz fillojnë në rrugën e fesë, ndjejnë përgjegjësi karshi islamit dhe çështjes palestineze etj… por pas disa kohësh e shohim të dorëzohet. Shumë të tjerë fillojnë rrugëtimin për afrimin me Zotin dhe përmirësimin e lidhjeve me Krijuesin e tyre, por pas disa kohësh i dorëzohen jetës së shthurur që jetonin më parë. Me të ardhur muaji i Ramazanit, shohim të rinj e të reja që agjërojnë dhe mbushin xhamitë, por me të përfunduar Ramazani, i kthehen jetës së mëparshme. Kur ndodh ndonjë reprezalje e forcave izraelite në Palestinë, i sheh myslimanët me duar drejt qiellit duke u lutur, solidarizohen edhe materialisht etj… por me të përfunduar reprezalja, shumë prej tyre harrojnë se ka një çështje të pazgjidhur që quhet Palestinë.
Në rreshtat e mëposhtëm, do të cekim disa modele dhe shembuj të njerëzve të cilët janë  thyer dhe e kanë humbur qëndrueshmërinë. Gjatë leximit të këtyre shembujve, ndoshta dikush nga lexuesit do të gjejë veten e tij.
Modeli i parë është i dikujt që filloi në rrugën e fesë. Ai e pëlqente shumë fenë, e ndjente dhe ishte shumë i dhënë pas saj. Por një ditë, ai përballet me një çast kritik, ku një besimtar tjetër i bën padrejtësi. Kjo sjellje, e bën të mendojë se të gjithë besimtarët dhe fetarët janë njëlloj si ky. Dikujt tjetër mund t’i vidhen këpucët ditën e parë që shkon në xhami. Që atë ditë, ai betohet se nuk do të shkojë herë tjetër në xhami, madje nuk do të falet fare.
Njerëz të tillë, përderisa nuk sprovohen në besimin e tyre, e adhurojnë Zotin, u pëlqen feja, shkojnë në xhami etj… Por me t’u përballur me një moment kritik, ai harron gjithçka dhe i kthen shpinën fesë. Është e çuditshme, por për secilin nga modelet që do të përmendim, do të gjejmë ajete Kurani që flasin për to.
Rreth modelit të parë, thotë Zoti i madhëruar në Kuranin fisnik:”Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë.” (Haxh, 11)
 
Modeli i dytë, është një person që vazhdon të ecë në rrugë të Zotit, falet, agjëron, lutet etj… dhe e gjitha kjo, sepse kërkon nga Zoti diçka. Dikush mund ta bëjë këtë, sepse provimet janë afër dhe kërkon që Zoti ta ndihmojë. Dikush tjetër e bën se kërkon të martohet me një vajzë të caktuar dhe shpreson në ndihmën e Zotit. Dikush tjetër mund ta bëjë se kërkon të bëhet i pasur dhe të ketë sukses në biznesin që ka hapur. Me ta realizuar atë që kërkonte, ky model fillon në recension dhe tërheqje.
Për këtë lloj njerëzish, thotë Zoti në Kuranin famë lartë:”Ka nga ata që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë”! Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar. Prandaj, Ai ua lidhi hipokrizinë në zemrat e tyre, deri në ditën kur do të dalin para Tij, sepse e shkelën premtimin dhënë Allahut. Ata e kishin zakon gënjeshtrën.” (Teube, 75-76)
 
Një model tjetër i atyre që nuk janë të qëndrueshëm, është i dikujt që i pëlqen t’i ftojë njerëzit në fe, t’u flasë dhe t’i marrë për dore drejt rrugës së Zotit. Ajo që i ndodh këtij është se ndërsa jepet plotësisht pas kësaj çështjeje, lëndohet ose keqtrajtohet nga dikush dhe shkëputet nga ftesa në rrugë të Zotit. Lëndimi mund t’i vijë nga shokët e tij, të cilët fillojnë të tallen dhe ta përqeshin. Ata mund të fillojnë ta thërrasin “hoxhë” dhe të qeshin me këtë. Kjo, e bën që të largohet nga feja dhe besimi. Një formë tjetër e lëndimit, është se në vendin e punës ku “ajo” punon, nxirret një rregullore e re, sipas të cilët nuk u lejohet grave të vijnë në punë të veshura me hixhab. Kjo e bën motrën të dorëzohet dhe të mos jetë e qëndrueshme në fenë e saj.
Thotë Zoti i madhëruar lidhur me këtë model:”Ka disa njerëz, që thonë: “Ne besojmë Allahun”. Por, kur vuajnë për çështjen e Allahut, e quajnë pëndjekjen prej njeriut njësoj si dënimin e Allahut. ” (Ankebut, 10)
 
Një model tjetër, është i atij që ka vite që ka lidhje dhe raporte të mira me fenë dhe Zotin. Por për fat të keq, ai ka filluar të mos e ndjejë dhe ta humbasë ëmbëlsinë e besimit dhe të adhurimit. Edhe kjo është një nga format e mos qëndrueshmërisë. Është e vërtetë që vazhdon të falet, por nuk e ndjen më ëmbëlsinë që ndjente dikur. Është e vërtetë që vazhdon të lexojë Kuran, por nuk e ndjen ëmbëlsinë e tij. Më parë, falej, lutej dhe lexonte Kuran me lot në sy. Por tani ka vite që lotët i janë tharë dhe nuk din të qajë për hatër të Zotit. Thotë Zoti për këtë kategori besimtarësh:”
“A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.” (Hadid, 16)
Tregohet se kur iu shpall ky ajet të dërguarit të Zotit, të gjithë shokët e tij filluan të qajnë dhe të ngushëllojnë njëri-tjetrin, duke i thënë:”A e sheh si na qorton Zoti?!”
Një formë tjetër e paqëndrueshmërisë është e një personi i cili lodhet. Në fillimet e fesë së tij, ai ishte shumë i dhënë pas adhurimit, ishte i pasionuar dhe solidarizohej me çështjen palestineze, u dërgonte mesazhe liderëve botërorë për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe të tjerave etj… Por pas një farë kohe, ai lodhet dhe braktis gjithçka. Tashmë ai as lajmet nuk i dëgjon dhe as nuk interesohet fare për çështjen palestineze. Për këtë kategori njerëzish, Zoti thotë:”A mendoni se do të hyni në Xhenet, pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?” (Al Imran, 142)
Ka të tjerë që fillimin në rrugën e fesë e kanë pasur shumë të mbarë dhe plot adhurim, por jeta plot vuajtje dhe hallet e bënë që ta harrojë Zotin dhe fenë. Kur dëgjon të flitet për një çështje të caktuar, atij i kujtohen ditët kur solidarizohej me ato çështje. Tashmë hallet e shumta, martesa, fëmijët, sigurimi i jetesës etj.. e kanë shmangur nga çështjet e umetit.
“O besimtarë! Çfarë keni që ngurroni e mbërtheheni fort për toke kur ju thuhet: “Dilni në luftë, në rrugën e Allahut?! A jeni të kënaqur me jetën e kësaj bote, në vend të së amshueshmes?! Kënaqësia e kësaj bote, në krahasim me atë të botës tjetër, është shumë e vogël.” (Teube, 38)
Të gjithë format e mos qëndrueshmërisë në islam dhe të drejtë, i përmbledh një ajet, i cili i drejtohet çdo personi që ka braktisur parimet tek të cilat besonte më parë. Thotë Zoti në këtë ajet:
“Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort” (Nahl, 92)
Këtë njerëz, Zoti  i krahason me një grua e cila lodhet duke tjerrë një triko, saqë kur arrin afër fundit, e prish sërish gjithë atë që kishte tjerrë.
 
Si të jemi të qëndrueshëm?
Këtë temë, unë kam dashur ta trajtoj në mënyrë sa më praktike. Më poshtë, do të përmend disa gjëra të cilat na e shtojnë qëndrueshmërinë. Për ta bërë këtë, unë kam lexuar shumë referenca të dijetarëve të mëparshëm, kam pyetur njerëz të ditur dhe me eksperiencë dhe kam studiuar literaturën moderne. Disa dijetarë, këshillojnë që për të qenë të qëndrueshëm duhet të kesh një të kuptuar të drejtë të islamit. Dikush tjetër këshillon të lexojmë jetëshkrimet e figurave të ndritura, që kanë jetuar në të kaluarën. Ata këshillojnë të lexohet jetëshkrimi i profetit Muhamed a.s dhe jetëshkrimet e profetëve të tjerë. Një direktivë të tillë, ata e bazojnë në ajetin e Kuranit që thotë:”Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo kështë këshillë dhe kujtesë për besimtarët.” (Hud, 120)
Në një libër tjetër, autori këshillonte të përkujtuarit e Zotit, si faktor qëndrueshmërie, sidomos “La ilahe il-la Allah”. Këtë, autori e bazonte në hadithin e Profetit a.s që thotë:”Përtërijeni besimin tuaj, sepse besimi vjetrohet siç vjetrohet rroba”. Dikush e pyeti:”E si ta përtërijmë o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s u përgjigj:”Thoni “La ilahe il-la Allah”.
Disa dijetarë të tjerë këshillojnë të përvetësojmë moralin e durimit. Sipas tyre, kushdo që dëshiron të jetë i qëndrueshëm në parimet që ka përqafuar, duhet të jetë i durueshëm dhe i matur. Këtë ata e bazojnë në ajetin:”Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz!” (Bekare, 44)
Dijetarë të tjerë sugjerojnë adhurimin për të qenë sa më të qëndrueshëm. Të tjerë këshillojnë që të largohemi nga vetëpëlqimi. Atyre që u pëlqen vetja janë më të predispozuar të rrëzohen dhe të mbeten rrugës. Të tjerë sugjerojnë lidhjen me botën tjetër. Kushdo që e lidh të ardhmen e tij me botën tjetër, do të jetë i qëndrueshëm.
Të gjithë këto faktorë qëndrueshmërie, janë faktorë që kanë të bëjnë me besimin, pra, janë faktorë që i vepron dhe zbaton një besimtar. Pyetja që lind është: Si janë treguar të qëndrueshëm jomyslimanët dhe jobesimtarët? Si u qëndroi sfidave Gandi? Si u qëndroi sfidave dhe sprovave Nelson Mandela? Si qëndrojnë në parimet e tyre, ithtarët e të keqes dhe të kotës? Si u qëndrojnë besnikë parimeve të tyre morale ata njerëz që nuk janë myslimanë? Si e luftojnë ryshfetin dhe e refuzojnë atë?
Të gjithë këto dhe të tjerë, më bënë të mendoj se të besosh në një çështje madhore, është nga faktorët që e shtojnë qëndrueshmërinë. Faktori i dytë që e konsolidon qëndrueshmërinë tek jobesimtarët, është respekti për veten dhe dinjiteti. Një njeri që e respekton veten dhe ka dinjitet, nuk pranon të marrë ryshfet.
 
Katër faktorët e qëndrueshmërisë.
Gjithçka që përmendëm më lart, mund ta përmbledhim në katër faktorë të rëndësishëm. Dy temat e mëparshme rreth qëndrueshmërisë, kanë qenë me tematikë besimi, ku ne cekëm modele të ndryshme njerëzish të cilët demonstruan qëndrueshmëri në parimet e tyre. Kurse këtë temë e doja më shumë praktike, të mësojmë diçka të re dhe ta vëmë në jetë menjëherë. Që të ndryshojmë veten, kemi nevojë të kalojmë nga etapa e fjalëve, në atë të veprave. Nëse dëshiron të ndryshosh dhe të jesh i qëndrueshëm në parime gjer në vdekje, lexoji dhe përvetësoji këto katër faktorë:
 
1 – Të kërkosh ndihmën dhe përkrahjen e Zotit, me anë të lutjeve. Edhe pse në pamje të parë nuk duket si diçka praktike, në thelb, ajo është shumë praktike dhe e prekshme. Ne duhet të mos harrojmë se qëndrueshmëria në radhë të parë buron nga Zoti i madhëruar. Thotë Zoti në Kuran:”Ata u përpoqën të të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kuran), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç tij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata.” (Isra, 73-74)
Në këto dy ajete, Zoti i drejtohet vetë Profetit a.s. Nëse dëshiron të jetosh si besimtar gjer në vdekje, kërkoja këtë Zotit. Nëse dëshiron të jesh i lidhur me çështjen palestineze gjer në vdekje, nëse dëshiron që Perëndimi të ketë një opinion të mirë mbi islamin, nëse dëshiron që në çastet e vdekjes të jesh i qëndrueshëm dhe të vdesësh me fjalët “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër dhe se Muhamedi është i dërguari i Zotit”, nëse dëshiron të vazhdosh i lidhur pas islamit gjer në vdekje, nëse dëshiron të jetosh për çështjen islame gjer në vdekje, nëse dëshiron të pendohesh menjëherë pas çdo gjynahu etj… kërkoja Zotit të japë forcë dhe të bëjë të qëndrueshëm.
Nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm në të kuptuarit e drejtë të islamit, nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm në parimet islame, nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm përballë gjynaheve, ngriji duart lart dhe kërkoja këtë Zotit.
Thotë Zoti në Kuran:”Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.” (Ibrahim, 27)
“(Kujto o Muhamed) kur Zoti yt i frymëzoi engjëjt:“Unë jam me ju, andaj forcojini ata që besojnë. Unë do të shtie frikë në zemrat e mohuesve.” (Enfal, 12)
Kur Zoti e dërgoi Aliun për të ftuar një popull në islam, i tha:”Shko o Ali! Ftoji dhe mësojua islamin!”
Aliu e pyeti:”O i dërguar i Allahut! A po më dërgon tek një popull që janë më të moshuar se unë?!”
Profeti a.s i tha:”Shko o Ali se Zoti do ta forcojë gjuhën dhe do e udhëzojë zemrën tënde!”
Edhe në varr, qëndrueshmëria vjen nga Zoti i madhëruar. Transmeton  Ebu Daudi, se Profeti a.s me të përfunduar nga varrosja e një myslimani, qëndronte pranë varrit dhe u drejtohej shokëve të tij me fjalët:”I kërkoni falje Zotit dhe i kërkoni ta bëjë të qëndrueshëm vëllain tuaj, sepse ai tani po jep llogari!”
Nëse dëshiron që Zoti të mbrojë, të nderojë, të bëjë të qëndrueshëm në çështjet e drejta të umetit, kërkoja këtë Zotit. Vetë Profeti a.s lutej në çdo namaz me fjalët:”O Zot! Unë të kërkoj të më bësh të qëndrueshëm në çështjet e drejta! Ashtu siç të kërkoj të më bësh të vendosur!”
Dikush e pyeti Umu Selemen:”Cila është lutja më e shpeshtë e të dërguarit të Zotit?”
Umu Seleme u përgjigj:”O Allah që ndryshon drejtimin e shikimit dhe të zemrës, të kërkoj që ta forcosh zemrën time dhe ta bësh të qëndrueshme në fenë tënde!”
Tregon Umu Seleme:”Një ditë, unë e pyeta:”O i dërguar i Allahut! Përse lutesh kaq shpesh me këtë lutje?!”
Ai mu përgjigj:”O Umu Seleme! Zemrat janë mes dy gishtave të të Gjithëmëshirshmit. Ai i kthen ato në drejtimin që don.” Më pas ai lexoi ajetin:“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë, dhe jepna mëshirë prej Teje; vërtet, Ti je Dhuruesi i Madh!” (Al Imran, 8)
Tregon Umu Seleme:”Që atë ditë, edhe unë nuk i ndahem kësaj lutjeje:” O Allah që ndryshon drejtimin e shikimit dhe të zemrës, të kërkoj që ta forcosh zemrën time dhe ta bësh të qëndrueshme në fenë tënde!”
Nëse kërkon të jesh i qëndrueshëm, kërkoja këtë Zotit të madhëruar. Ne nuk mund të realizojmë projektet tona, veçse me ndihmën dhe përkrahjen e Zotit të madhëruar. Në suren e parë të Kuranit, theksohet haptazi diçka e tillë. Thotë Zoti në suren Fatiha:”
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.” (Fatiha, 5)
Ata të rinj që sapo kanë përqafuar islamin dhe dëshirojnë të vazhdojnë në këtë rrugë, le ta lusin Zotin me zemër që t’i bëjë të qëndrueshëm. Qëndrueshmëria në rrugë të drejtë vjen dhe forcohet me lutje, përkushtim, përgjërim dhe pasion.
Dita e Arafatit, është dita e lutjeve dhe përgjërimit që pelegrinët ia drejtojnë Zotit. Që në çastet kur nisen për Arafat, pelegrinët nisen me nijetin se do e lusin Zotin si asnjëherë tjetër. Ajo që ndodh, është se me të arritur në Arafat, pelegrinët ndihen të lodhur e të këputur dhe nuk e kanë mendjen për lutje dhe dua. Kushdo që ka vajtur në Haxh, e kupton mirë këtë që them. Edhe nëse dikush e mbledh veten dhe lutet, e bën këtë i sforcuar, duke mos e ndjerë lutjen dhe përgjërimin. Është Zoti ai që e frymëzon besimtarin dhe pelegrinin që të lutet me gjithë shpirt. Kjo duket më qartë pas namazit të iqindisë, ku e gjitha ajo turmë njerëzish fillojnë të luten me përgjërim, këtë herë, të inspiruar dhe të frymëzuar nga Zoti.
Ndër lutjet e Profetit a.s ishte dhe:”O Ti që kujdesesh për islamin dhe ithtarët e tij! Të lutem të më bësh të qëndrueshëm derisa të takohem me Ty!”
Thotë Zoti në Kuran:”Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.” (Ibrahim, 27)
Vendos që nga ky çast, bashkë me lutjet e tjera do e lutësh Zotin që të të bëjë të qëndrueshëm në islam derisa të vdesësh, pas vdekjes dhe Ditën kur të dalësh para Tij. Aq sa është e lehtë të lutesh, është e vështirë të jesh i qëndrueshëm në parime.
 
2 – Shoqëria me njerëzit e mirë dhe të ndershëm. Nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm në të drejtë, më trego cilët janë shokët e tu. Nëse shokët nuk i ke besimtarë, dije se shumë shpejt edhe ti do u bashkëngjitësh, edhe pse aktualisht falesh dhe je i përkushtuar në fe. Më trego kush janë shokët e tu, të them nëse do të pendohesh për gjynahet që ke vepruar. Më trego kush janë shokët e tu, të them nëse do të vdesësh duke qenë i qëndrueshëm në parimet e tua të drejta.
Thotë Zoti në Kuran:”Për kohën! Me të vërtetë, njeriu është në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.” (Asr, 1-3)
Thotë imam Shafiu:”Nëse nuk do të posedonim nga i gjithë Kurani veçse këtë sure, do të mjaftonte.”
Të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre që shoqërohen me të mirët dhe këshillohen për të mira dhe durim.
Zoti e këshillon vetë të dërguarin e tij dhe i thotë:”Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (tek të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.” (Kehf, 28)
Nëse nuk do të shoqërohesh me njerëz të mirë, do të mashtrohesh nga bukuritë e kësaj bote dhe nga ana materiale e saj.
 
Ku mund ta gjejmë shoqërinë e mirë?
Vendi më i mirë ku mund t’i gjesh është xhamia. Ashtu siç mund t’i gjesh edhe në fakultetin ku studion, vendin ku punon dhe banon, aty ku mblidhen për të lexuar Kuran, aty ku mblidhen për të adhuruar Zotin etj… Në çdo vend ku ndodhesh, do të gjesh fetarë dhe të përkushtuar në islam. Por, kërko dhe shoqërohu me ato shokë që janë të ekuilibruar dhe jo striktë apo ekstremistë, të cilët më shumë i largojnë njerëzit nga feja se i afrojnë. Kërko ato shokë të cilët të ndihmojnë jo vetëm në çështjet e kësaj bote, por edhe si të lexosh, mësosh dhe veprosh sipas Kuranit famë lartë. Janë shokët me të cilët kalon kohën, ata që të bëjnë të qëndrueshëm në të drejtë, ose që të çojnë drejt greminës. Nëse aktualisht ke një shok larg Zotit dhe fesë, largohu menjëherë prej tij dhe kërko një tjetër besimtar dhe të ndershëm.
Ukbe ibnu Meit ishte një nga kundërshtarët më të egër dhe të pamëshirshëm të Profetit a.s. Ai e trajtonte shumë keq Profetin a.s, e fyente dhe e poshtëronte para gjithë njerëzve. Ky njeri mbeti i vrarë në betejën e Bedrit. Ndoshta është e çuditshme, por ky njeri gati sa nuk pranoi islamin. Ai që e largoi nga ky vendim dhe kjo dëshirë, është shoku i tij Ebu Xhehli. Kur filloi të ndjejë diçka për islamin, ai vajti dhe i tregoi Ebu Xhehlit. Me ta dëgjuar, Ebu Xhehli i tha:”Miqësisë tonë i vjen fundi, nëse nuk shkon tek Muhamedi dhe ta pështysh në fytyrë.”
Ukbe ibnu Meit u mat njëherë dhe peshoi mes miqësisë me Ebu Xhehlin dhe ndjekjes së Profetit a.s dhe zgjodhi miqësinë me Ebu Xhehlin. Jo vetëm kaq, por e vuri në zbatim dhe kërkesën e tij. Në fund, ai vdiq si jobesimtar.
“Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” (Furkan, 27-29)
 
3 – Bëj diçka për islamin. Nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm, jep edhe ti kontributin tënd për çështjen islame. Thotë Zoti në Kuran:”
“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (Muhamed, 7)
Unë u bëj thirrje të gjithëve që ta provojnë këtë dhe do të shohin rezultatin që jep në qëndrueshmërinë në parime dhe rrugë të drejtë.
Më lart, përmendëm që ajo që e bëri Gandin, Mandelën etj… të jenë të qëndrueshëm në parimet e tyre, ishte se kishin një çështje të cilës i ishin përkushtuar. Të punosh dhe kontribuosh për islamin, të bën ithtar të çështjes islame dhe indirekt të furnizon me qëndrueshmëri dhe forcë. Shumë njerëz e kanë filluar përkushtimin fetar si të gjithë njerëzit e tjerë, por me të filluar të japin kontribut për këtë çështje, ata kanë filluar të ngjisin shkallët famës dhe të bëhen të njohur.
Psikologët pohojnë se truri i njeriut ndahet në dy zona: E para, zona e vlerave dhe bindjeve. Kurse zona e dytë është ajo e identitetit dhe përkatësisë. Secili prej nesh është i bindur që çështja palestineze është e drejtë dhe duhet përkrahur, por ajo mund të mos jetë çështje e identitetit.
Pyetja që lind është: Si shndërrohen bindjet dhe vlerat në çështje përkatësie dhe identiteti?
Kjo arrihet duke punuar dhe vënë në jetë zonën e vlerave dhe bindjeve. Kështu, ato që deri dje ishin vlera dhe bindje, shndërrohen në çështje përkatësi dhe identiteti. Është pikërisht puna dhe kontributi ajo që e bëri umetin më të mirë atë mysliman. Thotë Zoti në Kuran:”Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Al Imran, 110)
Dikush mund të pyesë: Po çfarë duhet të bëj që të kontribuoj për islamin?
Shpesh herë, ne e lusim Zotin që të na përdorë për fenë e tij. Kështu, nuk ka gjë më të mirë se të ftosh të tjerët në islam. Gjëja më e bukur dhe më e ëmbël në botë është që të punosh për fenë e Zotit. Më konkretisht, folu shokëve të tu mbi fenë, blij disa kaseta dhe jepua t’i dëgjojnë, cakto një ditë ku bashkë me shokët dhe të njohurit të lexoni Kuran, mësoje leximin e Kuranit me texhvid dhe mësojua shokëve të tu, hap një faqe interneti, hap një shoqatë bamirëse në ndihmë të jetimëve etj… Unë njoh shumë të rinj të cilët kontribuojnë në më shumë se një fushë. Përdori të gjithë aftësitë dhe kapacitetet e tua për t’i shërbyer islamit. Nëse ke talent në shkrimin e poezive, shkruaj diçka të bukur mbi vlerat islame. Nëse pikturon, bëj një vepër me anë të cilës përçon një mesazh. Nëse je karikaturist, bëj karikatura me tematikë islame dhe të moralshme.
 
4 – Lexo Kuran dhe përpiqu ta kuptosh atë sa më mirë. Me qëllim që të kesh një çështje të cilës t’i përkushtohesh, që të lidhesh pas botës tjetër dhe të jesh i qëndrueshëm në këtë jetë, lexo sa më shumë Kuran. Profeti a.s porosit që Kurani të lexohet çdo muaj dhe kjo me qëllim që të jesh i lidhur me këtë libër. Është e papranueshme që të thuash se akoma nuk di të lexoj Kuran me texhvid. Diçka e tillë sot është e mundur, pasi ofrohen kurse të shumta në xhami dhe qendra islame. Veç leximit të Kuranit, unë të këshilloj të lexosh edhe tefsir (interpretim), gjë e cila e shton ëmbëlsinë dhe dobitë nga leximi i Kuranit. Nëse kërkon një tefsir të lehtë dhe të kuptueshëm, të këshilloj të lexosh atë të dr Umer Sulejman El-eshkar. Por nëse dëshiron një më të thellë, lexo përmbledhjen e tefsirit të Ibnu Kethirit. Nëse kërkon një më të thellë, lexo atë të Sejjid Kutb, “Në hijen e Kuranit”. Pasi t’i përfundosh këto tre libra, do të ndjesh se ke ndryshuar shumë koncepte.
Nëse dëshiron të jesh si qëndrueshëm në këtë jetë, veproi këto katër faktorë që përmendëm më lart. Kërko ndihmën e Zotit, shoqërohu me njerëz të mirë dhe largohu nga shokët e ligë, jep kontributin tënd për islamin dhe lexo sa më shumë Kuran. Unë betohem se nëse i vepron këto të katërta, do jesh i qëndrueshëm gjer në vdekje.
E lusim Zotin të na bëjë të qëndrueshëm dhe të vdesim si myslimanë!
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit