0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Si mund ta ndihmojmë Palestinën duke qenë larg?

Më të lexuarat

Gjatë gjithë këtyre ditëve kam qenë duke ndjekur komentet e shumë besimtarëve të cilët kanë bërë një pyetje me vend: Si mund t’i ndihmojmë dhe si mund t’ua lehtësojmë sadopak dhimbjen vëllezërve dhe motrave tanë në Palestinë? Si rrjedhojë, vendosa të shkruaj në këtë artikull disa ide të thjeshta, të cilat mund t’i bëjë çdokush prej nesh karshi vëllezërve dhe motrave tanë në Palestinë. Kështu që edhe asnjëri prej nesh nuk ka përse të qortojë veten e tij e të thotë se unë nuk kam bërë gjë për Palestinën.

Prej këtyre ideve mund të përmendim sa më poshtë:

1 – Të lexojmë rreth historisë së Palestinës, sepse kjo i shërben shumë çështjes së saj. Leximi është i rëndësishëm, sepse njeriu është armik i asaj çështje për të cilën nuk ka njohuri.

2 – Të kontribuojmë me donacione, ushqime, medikamente dhe mjete mësimore, ç’ka u mundëson atyre të përballojnë vështirësitë me të cilat po përballen. Nëse një inidvid nuk ka mundësi të kontribuojë, atëherë le të mblidhen një grup individësh dhe të kontribuojnëë të gjithë së bashku. Unë di një grup të rinjsh, të cilët nuk kanë shumë të ardhura, por ata të gjithë së bashku kanë mbledhur aq lekë sa për të sponsorizuar një jetim duke e ndihmuar atë në aspektin monetar dhe arsimor. Ky lloj bashkëpunimi është bashkëpunim në vepra të mira dhe në devotshmëri.

3 – Tregojuni fëmijëve rreth Palestinës, statusit të saj tek muslimanët. Tregojuni atyre se xhamia Aksa ka qenë një prej dy kibleve të para, është vendi në të cilin Profeti (a.s) ka shkuar në natën e Israsë dhe se e drejta është me Palestinezët.

4 – Ndërprisini marrëdhëniet me çdo instuticion dhe organizatë që mbështet armikun e tyre. Bëni kujdes në marrëdhëniet me ta dhe kërkoni për një institucion alternativ.

5 – Publikoni çdo informacion – historik apo aktual – që ka lidhje me Palestinën. Por në rradhë të parë duhet ta verifikoni informacionin që do të publikoni, sepse duke vepruar kështu ju kontribuoni në përhapjen e lajmeve të sakta.

6 – Lutuni për vëllëzërit dhe motrat tona në Palestinë sepse lutja është një nga armët më të fuqishme të triumfit dhe fitores. Një dua e sinqertë, të cilën Allahu i Madhëruar e pranon, mund të jetë shkak i triumfit dhe qëndrueshmërisë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë, Zoti juaj i Lartësuar është i Turpshëm dhe Bujar. Ai ka turp nga robi i Tij që t’ia kthejë duart bosh, kur robi i ngre duart drejt Tij.”[1]

7 – Merrni pjesë nëpër tubime, aktivitete dhe organizime që organizohen për Palestinën, të drejtat e Palestinezëve dhe padrejtësinë që po ushtrohet ndaj tyre.

8 – Kushdo që posedon një platformë mediatike apo që ka zë në media le të flasë rreth çështjes së Palestinës. Ne duhet të shfrytëzojmë në maksimum rrjetet sociale për të sensibilizuar njerëzit rreth çështjes së Palestinës.

9 – Më ka bërë përshtypje veprimi i një tregtari i cili një pjesë të fitimit ditor e ndan për të përkrahur kauzën e Palestinës. Po ashtu njoh një tregtar i cili ka lënë lekë mënjanë si vakëf për kauzën e Palestinës.

10 – Nëse dikush flet gjuhë të huaja, atëherë le t’u flasë njerëzve rreth Palestinës me qëllim që njerëzit ta njohin të Vërtetën.

Të gjitha këto pika janë të lehta për t’u vënë në zbatim. Duke i zbatuar ato, ne arrijmë të përjetojmë fjalët e të Dërguarit të Allahut, i cili ka thënë: “Besimtari për besimtarin është si një ndërtesë, pjesët e të cilës mbajnë fort njëra-tjetrën. Dhe pastaj kryqëzoi gishtat.”[2] Kryqëzimi i gishtave nga ana e Profetit (a.s) nënkupton sesa të lidhur janë muslimanët me njëri-tjetrin. Pikërisht kjo ndjenjë duhet të na shoqërojë me vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë dhe kudo që të jenë ata.

Ne jemi të bindur plotësisht se çështja e Kudsit është çështje kohe dhe se ai do të kthehet në mesin tonë, ashtu sikurse thotë Allahu i Madhëruar në Kuranin Fisnik: “Nëse bëni mirë, bëni për vete, e nëse bëni keq, bëni kundër E kur vjen koha e fundit (hera e dytë), Ne i dërgojmë (armiqtë) tuaj për t’jua nxirë fytyrat tuaja dhe që të hyjnë në xhaminë Aksa, siç patën hyrë herën e parë dhe të shkatërrojnë plotësisht  çdo gjë që e pushtonin.”[3] Hera e parë ka ndodhur në kohën e Omer ibn Hatabit dhe hera tjetër ka për të qenë tani me lejen e Allahut të Madhëruar.

Autor: Xhasim Mutaua

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh.

[2] – Buhariu.

[3] – Sure Isra: 7.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit