Kam vënë re se iu është bërë zakon njerëzve të humbasin kohën, ndërsa të parët tanë bënin kujdes ndaj kësaj gjëje.
Fudejli thotë: “Njoh dikë që nga njëra javë në tjetrën mund të numërosh fjalët e tij.”
Disa njerëz hynë tek njëri prej të parëve dhe thanë: “Ndoshta të kemi marrë kohën.”
Ai iu përgjigj: “Ju jap të drejtë, sepse isha duke lexuar dhe lashë leximin për ju.”
Një burrë nga adhuruesit e mëdhenj shkoi tek Siriu Sekatiu dhe pa në praninë e tij një grup njerëzish dhe tha: “Jam bërë si oazi i të papunëve”, pastaj u largua dhe nuk u ul.
Kur pritësi i vizitave tregohet i butë, vizitori joshet dhe zgjat qëndrimin, pa shpëtuar prej ndonjë lëndimi.
Një grup njerëzish po qëndronin ulur në praninë e Marufit dhe kur qëndrimi i tyre zgjati, ai tha: “Engjëlli i diellit nuk lodhet nga rrotullimi i tij, kështu që a keni ndërmend të ngriheni?”
Njëri prej atyre që kujdesej për çdo çast të tijin ishte Amr bin Abdulkajs, të cilit kur një burrë i tha: “Ndalu të bisedojmë”, ai iu përgjigj: “Ndale diellin.”
Osman Bakilani e përkujtonte shpesh Allahun e Lartësuar dhe thoshte: “Në kohën e iftarit më duket sikur po më del shpirti, ngaqë merrem me ngrënien e ushqimit, në vend të përkujtimit të Allahut.”
Disa nga të parët tanë këshillonin shokët e tyre: “Kur të dilni prej meje ndahuni, sepse ndoshta ndonjëri prej jush lexon Kur’an gjatë rrugës dhe kur të bashkoheni sërish mund të bisedoni.”
Ibn Xheuzi (Gjuetia e meditimeve)