2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Shtrëngoje të lirohet

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Shtrëngoje të lirohet

Kur shtrova pyetjen e mëposhtme në blogjet sociale, nuk kisha asnjë libër dhe referencë për t’iu përgjigjur. Pyetja ishte si më poshtë:
A pajtohesh me mua se njeriu sa më shumë që i afrohet përmbushjes së qëllimit që i ka vënë vetes, aq më shumë i pakësohet durimi?
Nga 683 komentues në facebook, 242 prej tyre ishin djem, kurse 441 të tjerë ishin vajza.
Katërmbëdhjetë komentues më kundërshtonin në këtë ide, gjashtëmbëdhjetë prej tyre nuk kishin ndonjë mendim të caktuar, kurse 653 të tjerë pajtoheshin me mua. Kështu, i bie që ky është mendimi i shumicës.
Dikush komentonte se sa më shumë ti afrohesh qëllimit, aq më shumë shtohet dhe durimi. Një tjetër shtonte se sa më shumë të largohesh nga qëllimi, aq më shumë të pakësohet durimi, derisa të të mbërthejë demoralizimi dhe të humbasësh shpresën.
Një komentuese thoshte:”Unë asnjëherë nuk i jam afruar ndonjë gjëje!”
Ky është një problem. Ti moj bija ime, jeton në zemrën e jetës duke shijuar të mirat dhe begatitë e saj. Lexo suren Dhua dhe suren Inshirah!
Errësira më e madhe e natës, është pikërisht pak para agimit, gjë kjo e njohur dhe e provuar.
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kijeni frikë Allahun, që të shpëtoni!” (Al Imran, 200)
Shohim që pasazhi i Kuranit, e nis me durimin dhe fillon e përshkallëzon duke u ngritur lart me motivimin e të tjerëve me durim, kapërcim të dobësive vetjake, sfidave të jashtme dhe pengesave. Ftesa për vigjilencë, është ftesë për të qenë syçelë dhe për të vijuar në të njëjtën rrugë të mbarë. Pasazhi mbyllet me ftesën për devocion, i cili është thelbi dhe esenca e gjithçkaje.
“Dhe, kur të dërguarit gati e humbën shpresën dhe menduan se do të shpalleshin gënjeshtarë, atëherë u arriti ndihma Jonë.” (Jusuf, 110)
Pra, në momentet kur besimtari fillon të ketë iluzione se po i humbet shpresa, se triumfi mbi problematikën dhe sfidat nuk duket gjëkundi, është momenti i mbajtjes së premtimit hyjnor.
Nxitimi është i ngulitur në natyrën e njeriut, gjë e cila konfirmohet edhe në Kuran:” Njeriu është krijuar i ngutur” (Enbija, 37)
Prandaj dhe thirrja hyjnore në Kuran, e cila përsëritet shpesh, është:”Mos u nxitoni” (Enbija, 37)
Puna është se sa më shumë afrohet përmbushja e qëllimit, aq më shumë shtohet zelli, por aq më shumë reduktohet dhe durimi.
Kur afrohem me përmbushjen e qëllimit, ndjej ekzaltimin e arritjes që veç shtohet, e paralelisht me të, bie niveli i durimit. Sa momente magjike dhe të mrekullueshme, janë ato kur na ndizet durimi karshi një gëzimi që po vjen, të cilin pothuaj e kemi të prekshëm!
Njeriu dëshiron ta shohë rezultatin e përpjekjeve dhe të mundit të tij, prandaj dhe i përshpejton hapat dhe i duket sikur gjithçka është ngadalësuar mu pak para mbërritjes në destinacion.
Sa më shumë i afrohemi qëllimit, aq më shumë na tërheq, aq më shumë na shtohet ankthi dhe emocionet. Është fizika e natyrës!
Është malli që rritet dhe shtohet
Zelli dhe entuziazmi janë pjesë e natyrës së njeriut, sidomos kur bëhet fjalë për një person aktiv dhe prodhues.
Ndoshta, truri lodhet dhe plogështohet nga puna dhe mundi për një kohë të gjatë. Studenti në universitet, mezi i numëron ditët e fundit, edhe pse ka gjashtëmbëdhjetë vite që ulet në bankat e shkollës.
Faqen e fundit të lëndës që ka për të dhënë provim, studenti është gati ta lërë pa e lexuar, pasi pjesa e lexuar ia ka shkarkuar bateritë.
Edhe kur lexojmë një libër thjesht për kulturë dhe informacion, kapitullin e fundit jemi gati ta lëmë pa lexuar. Veçse është durimi dhe motivi se është afër fundit të librit dhe kurorëzimit të një atij mundi dhe arritjeje.
Vullneti i çasteve të para, është i flaktë dhe gati të shpërthejë. Është rruga e gjatë ajo që e konsumon dhe ia harxhon bateritë, saqë kur i afrohet qëllimit, i duket sikur si ka mbetur më energji për ta kurorëzuar!
Një person banonte në katin e tretë të një godine. Sa herë që ngjitej në katin e dytë, ai ndjente pak lodhje. Por, kur kaloi në një ndërtesë tjetër ku banonte në katin e pestë, tashmë lodhej në katin e katërt!
Kjo nuk është një e metë e jotja, siç mund të mendosh, por është diçka e ngulitur në natyrën e njeriut. Nëse e lexojmë pozitivisht këtë që na ndodh, mund të themi se njeriu e kupton se është shumë pranë përmbushjes së qëllimit, kur fillon e ndjen se po i soset durimi. Prandaj dhe urdhri hyjnor është:”Bëj durim të bukur!” (Mearixh, 5)
Le ta ketë parasysh secili prej nesh se çdo fillim e ka një fund dhe se çdo fund është një fillim. Me të përfunduar një fazë, fillon një tjetër. Njeriu ngjitet shkallë-shkallë. Momentet më të bukura të vuajtjeve janë ato kur në zemra na gëlon shpresa, ato momente që i kemi të mbushura me punë dhe prodhim. Vendosmëria na dikton që të mos e ndjesh arritjen, derisa të kesh arritur realisht. Ndodh që njeriu të mos e përmbushë dot qëllimin në hapin e fundit.
E bukura është se kënaqësia e Zotit, e cila është qëllimi i besimtarit, është diçka që Zoti e ka mbajtur të fshehtë ndaj njerëzve. Zoti i drejtohet profetit Muhamed a.s me këto fjalë:” Thuaju: “Unë nuk jam i pari i dërguar dhe nuk e di çfarë do të ndodhë me mua ose me ju.” (Ahkaf, 9)
Me rastin e vdekjes së Othman ibnu Madhun, Profeti a.s thotë:”Pasha Zotin, edhe pse jam i dërguari i Zotit, nuk e di çfarë do të  bëhet me mua.” Ndërkohë që shumica e studiuesve të hadithit, thonë se në fakt, Profeti a.s tha:” nuk e di çfarë do të  bëhet me të (Othmanin)” Kjo, pasi vetë Zoti ka thënë për të dërguarin e Tij, se:” për të t’i falur ty Allahu gabimet e mëparshme dhe të ardhshme” (Fet’h, 2)
“Natyrisht, jeta e ardhshme për ty është më e mirë se kjo jetë” (Duha, 4)
Por, edhe nëse hadithi bën fjalë për vetë Profetin a.s, kjo interpretohet për çështjet e kësaj jete, ashtu siç mund të interpretohet për disa nga ngjarjet e botës tjetër. Në këtë kontekst, Profeti a.s thotë për gradën e Vesiles në xhenet:”Ajo është një gradë e xhenetit, e cila nuk i jepet veçse një robi nga robërit e Zotit. Uroj të jemi unë ai rob.” (Muslim)
Sakaq, pjesa tjetër e njerëzve, janë në kuadrin mes frikës dhe shpresës. Kjo vlen edhe për ata që është e konfirmuar se janë shehidë dhe se janë prej banorëve të  xhenetit. Frika mes mbajtjes së këtij premtimi dhe faktit se mund të mos hyjnë tek kjo kategori për ndonjë shkak vetja, është prezente.
Njeriu duhet të vazhdoj të rendë në përmbushjen e qëllimit me devocion, plot optimizëm se do e përmbushë, i mbështetur tek Zoti, i ndërgjegjshëm për fazën në të cilën është dhe për kërkesat e kohës, plot durim, i motivuar, syçelë dhe plot zell.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit