7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Drejtoja vetes dylbinë!

Më të lexuarat

Nga: Dr Aid Elkarnij

Drejtoja vetes dylbinë!

Në zemrën e secilit prej nesh, gjendet një dylbi, të cilën ne e quajmë “sy të brendshëm”. Nëse Zoti ta do të mirën, të udhëzon që këtë dylbi ta drejtosh nga vetja jote për të eksploruar të metat e tua, që pastaj ti korrigjosh dhe saktësosh. E në të kundërt, nëse kërkon të të poshtërojë, bën që këtë dylbi ta drejtosh nga të tjerët për të eksploruar të metat e tyre, duke injoruar të metat e tua.
Njerëz të tillë i shqyejnë sytë tek të metat e miletit, kërkojnë medoemos ndonjë shkarje të tyre, janë shndërruar në koleksionues ligësish. Këta u ngjajnë mizave, të cilat nuk kërkojnë dhe nuk qëndrojnë veçse mbi qelbin e plagëve. Në një fjalë të urtë, thuhet:”Shikon qimen në sytë e tjetrit, e nuk shikon traun në syrin e vet.”
Mos vallë mbaruam punë me të metat tona, që tu vërsulemi dhe tu përvishemi të metave të miletit? Mos vallë paskemi kaq kohë të lirë, saqë të angazhohemi me shkarjet dhe gabimet e njerëzve?
Ta drejtosh dritën e Zotit tek zemra jote, për të eksploruar mangësitë dhe të metat e saj, është një begati e madhe nga Zoti i lartësuar. Kjo do të thotë që ti po i eksploron të metat e tua dhe do u kushtosh kohën dhe mundin e duhur për ti korrigjuar.
Në një fjalë të urtë thuhet:”Hallall i qoftë atij që merret me të metat e veta, larg të metave të miletit.”
Është goxha problem i madh, fakti që dylbinë e drejton për të zhbiruar jetën private të njerëzve, për të eksploruar me kujdes çdo shkarje dhe gjynah të tyre. Kushdo që e bën këtë, është njeri sherrxhi, njeri që nuk sheh veçse të ligën e tjetrit.
Sa mirë do të ishte sikur këtë dylbi t’ia drejtojmë vetes dhe zemrës tonë, duke ia lënë Zotit njerëzit, duke ia lënë krijesat Krijuesit. Prej nesh nuk kërkohet të dimë çfarë fshehin zemrat e njerëzve, çfarë gabimesh kanë bërë. Nuk jemi ne ata që do u kërkojmë llogari. Thotë profeti Muhamed a.s.:”Unë nuk jam urdhëruar të zhbiroj zemrat e njerëzve, as tu hap barkun.” Kjo thënie profetike, është kushtetuta morale në ndërveprimin me njerëzit.  Nëse myslimanët do e vinin në praktikë, nuk do të kishim asnjë mysliman që merret me të metat e njerëzve, asnjë autor që shkruan libra e artikuj me të cilët demaskon dhe publikon jetët private.
I mjeri ai njeri që është i ngarkuar me gjynahe e të meta, e megjithatë, kjo nuk i bën përshtypje fare, por merret me gjynahet dhe të metat e të tjerëve. Një person, vajti tek një burrë i mençur dhe i tha:”Pasha Zotin e kam parë filanin duke bërë filan gjynah…” Burri i mençur e ndërpreu dhe i tha:”Mjaft, se akoma nuk jam penduar për gjynahet e mia, jo më të mbaj dhe gjynahet e filanit.”
Dikush përfoli një person të tretë, në mexhlisin e Rebi ibnu Hajthem, i cili e ndërpreu dhe i tha:”Kujto agoninë e vdekjes!”
O ju që kërkoni të metat dhe gabimet e miletit, jeni të dështuar dhe të falimentuar! O ju që eksploroni gjynahet e të tjerëve, pasojat do të jenë të dhimbshme! Ne si myslimanë e kemi obligim që nëse shohim një të metë të dikujt, të mbyllim sytë e veshët, të bëjmë sikur nuk e pamë, ose më e shumta, ti ofrojmë një këshillë të sinqertë.
Njeriu i lig është i dashuruar me gjurmimin e mangësive dhe shkarjeve të njerëzve, ai ngazëllehet sa herë që konstaton një të metë tek tjetri. Ai kërkon ligësinë, pasi të tillë e ka dhe zemrën.
Imam Ahmed ibnu Hanbel, thoshte:”Të mbyllësh sytë ndaj një të metë të dikujt, është 9/10 e moralit.”
Sikur të ndjekim këtë metodë në injorimin e të metave të gruas, fëmijës, mikut dhe njerëzve, do të bënim një jetë të lumtur. Ndërsa, nëse të gjitha aftësitë tona mendore dhe fizike i vëmë për të zhbiruar të metat e të tjerëve, vaj halli për ne. Kështu, ne jetojmë tek gabimet dhe jeta e tyre, jo tek e jona.
Dail Karnixhi thoshte:”Kam një dosje në sirtarin e zyrës, të cilën e kam titulluar:”Idiotësitë që kam bërë”, ku shënoj çdo gabim dhe idiotësi që kam bërë. Këtë e bëj me qëllim që me kalimin e kohës, ta kapërcej dhe të mos e përsëris.”
Sufjan thoshte:”Kam tridhjetë vite që luftoj me veten për ta braktisur një gjynah, megjithatë, e vazhdoj luftën me të njëjtin ritëm.”
O njeri i mirë! Merr një letër dhe në të shkruaj listën e gjynaheve dhe gabimeve të tua, të cilën ta lexosh herë pas here. Lidhur me gabimet dhe të metat e njerëzve, unë të qetësoj se nuk ka për të ndodhur që të hysh me ta në varr e tu kërkosh llogari. Askush nuk do të të vendosë tek juria e diskutimit të gjynaheve dhe të metave të njerëzve Ditën e Kiametit. Nga ana tjetër, unë të siguroj se ke për të dhënë llogari një për një, për përgojimin që u ke bërë njerëzve dhe për publikimin e të metave të tyre. Ai që e ka shtëpinë prej xhami, nuk ka përse të qëllojë me gurë shtëpitë e të tjerëve. Mjaft u more me të tjerët, merru me veten! Mos u bëj si ai që s’kishte asnjë tregues devotshmërie, e megjithatë i këshillonte njerëzit të jenë të devotshëm! Mos u bëj doktori që shëron dynjanë, ndërkohë që ka harruar veten!
Ai marangoz që shkon e rregullon dyert e botës, ndërkohë që dera e shtëpisë së tij është e thyer dhe në pikë të hallit, është injorant dhe idiot. Ai rrobaqepës që u qep rrobat njerëzve, ndërkohë që të vetat i ka të shqyera, është mendjelehtë. Ai që dylbinë e ka drejtuar nga të metat e njerëzve, duke harruar të metat e veta, është torollak.
Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit