Mufid Yuksel
Takimi ose njohja e parë e osmanëve me shqiptarët zgjatet gjer para Luftës së Kosovës, në periudhën kur Timurtash Pasha zhvilloi fushata në tokat shqiptare, duke filluar nga zona e Dibrës në vitin 785 h /1383.
Veçanërisht pas Luftës së Kosovës, në periudhën e Sulltan Bajazitit, zonat jugore të Shqipërisë hynë nën kontrollin e Shtetit Osman, kurse në kohën e Mehmet Çelebiut, disa bejlerë shqiptarë pranuan Islamin. Disa krahina, si Përmeti, Mirdita e Dukagjini, ishin nën administrimin e princërve të vegjël shqiptarë. Në këtë periudhë, nuk njihet ekzistenca e një sundimtari të fuqishëm në zonë. Beu i parë shqiptar i njohur si mysliman ishte Jakup Beu, biri i Teodor Muzakës, sundimtarit të Përmetit. Ndërkaq, edhe pse u organizuan marshime dhe sulme të ndryshme për në tokat shqiptare, qoftë me ushtarë nën komandën e Timurtash Pashës, qoftë nën komandën e Isa bej Evrenozit, vendosja e osmanëve në këto troje u bë me marshimet e Sinan Pashës në vitin 1431. Duke filluar nga koha e Mehmet Çelebiut, realizohet edhe shkrimi i historisë së zonës. Defteri historik i vitit 835 h /1432 (Defter-i Sancak-ı Arvanid / Defteri i Sanxhakut të Shqipërisë) është dokumenti më i vjetër që kemi në dorë mbi këtë çështje. Kjo datë është koha kur osmanët u vendosën në këtë zonë.
Kur Shqipëria u mor plotësisht në fillim të periudhës së Muratit II, princi Gjon Kastrioti ia deklaroi sulltanit osman vartësinë dhe, për t’ia treguar besnikërinë, katër djemtë i dërgoi për t’u arsimuar në Sarajet e Edirnesë, që ishte në atë kohë kryeqendra e osmanëve.
Atëherë, djali më i vogël dhe më energjik ndër katër vëllezërit, Gjergj Kastrioti, i pëlqeu sulltan Muratit II dhe meritoi shumë komplimente të tij. Ashtu si vëllezërit e tjerë, si mysliman, mori emrin Skender. Duke e mbajtur atë mes vëllezërve, Murati II tregoi kujdes të veçantë për arsimimin dhe edukimin e tij.
Gjergj Kastrioti u ngjit në rangun e sanxhakbeut në moshë të re. Kur ishte 25 vjeç, i vdiq i ati që atë kohë ishte sundimtar në Krujë. Atëherë, Skënderbeu i kërkoi sulltanit postin e të atit. Mirëpo, meqë dëshironte ta sillte në pozita më të rëndësishme (ndoshta ta bënte më vonë kryevezir), sulltan Murati II dërgoi një person tjetër në sanxhakun e Krujës. Skënderbeu u prek shumë nga ky trajtim dhe kërkoi rrugët e shpagimit. Atë kohë, ndërsa sulltan Murati II merrej me austriakët dhe ushtria osmane ndodhej për fushatë në Moravë, Skënderbeu ndodhej në efektivin e ushtrisë. Dhe, ndërsa bënte plane dezertimi, u muar vesh fshehtazi me disa persona dhe përgatiti një ferman (dekret) të falsifikuar.
Më në fund, Skënderbeu u largua fshehtazi nga ushtria dhe shkoi në Krujë. Aty, së bashku me persona të mbledhur rreth tij, mori në dorëzim kalanë e Krujës me dekretin e falsifikuar dhe vrau ushtarët që ndodheshin brenda. Pastaj organizoi marrëveshje kundër osmanëve në bashkëpunim me venedikasit, hungarezët dhe serbët.
Kryengritja e Skënderbeut që vazhdoi për një kohë të gjatë, e preokupoi shumë shtetin osman në këtë gjeografi. Veçanërisht sulltan Mehmeti II shpenzoi shumë kohë dhe përpjekje për ta eliminuar këtë shqetësim që i preokupoi osmanët për më shumë se 25 vjet. Skënderbeu sundoi gjatë kësaj periudhe duke i vënë Krujën dhe Shkodrën nën vartësi të Venedikut. Këto vite, si në periudhën e Muratit II, ashtu edhe të Sulltan Mehmetit II, Fatihut, kaluan vazhdimisht në luftë me osmanët. Kështu, Skënderbeu shërbeu si barrierë për osmanët në Adriatik në emër të Venedikut dhe Papatit.
Më në fund, pasi luftoi për 25 vjet kundër osmanëve, Skënderbeu u detyrua ta linte luftën. Pas Shkodrës, u mor edhe Kruja nga vetë sulltan Fatihu. Fatihu i mori vetë në dorëzim çelësat e Krujës (883 h /1478). Skënderbeu u tërhoq në Lezhë për të bërë një jetë të izoluar gjer në vdekje (1468).
Dy nipër të Skënderbeut u kthyen në Stamboll në kohën e sulltan Sulejmanit të Madhërishëm, u bashkuan me osmanët dhe u bënë myslimanë. Njëri prej tyre mori emrin Skënderbej dhe u ngjit gjer në detyrën e kryeargjendarit. Kryeargjendari Skënderbej ndërtoi një shkollë fillore afër xhamisë dhe medresesë së Zall Mahmud Pashës në Ejup dhe një çezmë që ndodhet poshtë xhamisë Ajvansaraj Koruxhu Mehmet Çelebi në breg të haliçit. Epitafi i çezmës me arkitekturë të Arkitekt Sinanit, i zhdukur në vitin 2004, kishte datën 975 hixhri/1567, si më poshtë:
Drita Islame 50-34
Acâyib hayra girdi simkeşbaşı skender Beğ
Döküp sîm u zeri bu şeşmesâra urdı bünyanı
Një bamirësie të çuditshme i hyri kryeargjendari Skenderbej:
Derdhi argjend e flori, ngriti në këmbë lotuesin si çezmë;
Binâsı sedd-i İskender suyu âb-ı hayât oldı
hayât-ı sermedî buldı hızırveş nûş iden ânı
Ndërtesë iu bë prita Skender, uji iu bë eliksir
Si hizri, jetë të pasosur gjeti kur e bëri pije atë
Safâ-yı tab’la sâ’i bunun itmâmı târihin
Didim bulmuş skender aynıyle âb-ı hayvânı
Plotësimi i gëzimit të vulës me përpjekjen, e thashë
Datën; e kish gjetur Skenderi ujin e gjëllesës së njëjtë.
Vdekur më 990 hixhri/1582, Skënderbeu është varrosur në rrethinat e Ejup Sulltanit.
Kurse në vend të shkollës së shembur nga vajza e Mustafait III, Shah Sulltan, janë ndërtuar gjithashtu prej saj Shkolla Shah Sulltan dhe Çezma Publike, që ekzistojnë edhe sot. Kurse epitafi i çezmës poshtë xhamisë Ajvansaraj/Koruxhu Mehmed Çelebi, e cila nuk ekziston sot, është grabitur dhe ndodhet në gjendje rrënoje. Skenderbej (i riu), ngaqë kishte krushqi me familjen e Dukagjinasve, në disa burime bibliografike, si Gjenealogjia Osmane, është shënuar gabimisht edhe si Dugacinzâde (princ Dukagjinas).
Pas eliminimit të kryengritjes së Skënderbeut, tokat shqiptare hynë plotësisht nën administrimin osman. Dy vëllezër nga princat Dukagjinas, që sundonin në Prizren dhe përreth, erdhën në Stamboll në periudhën e sulltan Fatihut dhe morën emrat Ahmed dhe Mahmud. Nga këta, Mahmudi vdiq në moshë të re, kurse Ahmedi shërbeu si vezir dhe vali. Një varrezë familjare e Dukagjinasve ekziston akoma në Ejup ngjitur me Shkollën Shah Sulltan dhe Çezmën Publike (sebil).
Përktheu: Mithat Hoxha