-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Shqipëria dhe Kosova solidarizohen me Türkiye-n pas tërmetit shkatërrues

Më të lexuarat

“Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata”, shkruan Begaj

Zyrtarët e lartë të Shqipërisë dhe Kosovës kanë reaguar për tërmetin shkatërrues në Türkiye, duke shprehur solidaritetin me shtetin dhe popullin turk, transmeton Anadolu.

Në rrjetet sociale, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj shkruan se është thellësisht i trishtuar nga tërmeti shkatërrues që goditi Türkiye-n dhe Sirinë këtë mëngjes.

“Unë dhe shqiptarët qëndrojmë pranë njerëzve të prekur dhe familjeve që humbën të dashurit e tyre në këtë tragjedi të tmerrshme. Mendimet dhe lutjet tona të sinqerta janë me ata”, shkruan Begaj.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në rrjetet sociale shkruan se janë të pikëlluar nga pasojat e tërmetit shkatërrues në Türkiye-n juglindore. “Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, i shpreh dhimbjen dhe solidaritetin tim Presidentit të Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiye-s, Mustafa Şentop”, shkruan Nikolla.

Për tërmetin, ka reaguar edhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, e cila në rrjetet sociale shkruan: “Lutjet tona shkojnë për viktimat e tërmetit tragjik që goditi Türkiye-n dhe Sirinë sot duke shkaktuar qindra viktima. Në këtë moment të vështirë ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Türkiye-n në çdo mënyrë që mundemi”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në rrjetet sociale shkruan se shpreh solidaritet të plotë me njerëzit në Türkiye.

“Zemra ime është me gjitha komunitetet e prekura nga tërmeti shkatërrues në Türkiye. Ngushëllimet më të thella për të gjitha jetët e humbura dhe uroj një shërim të shpejtë për të gjithë të prekurit. Solidaritet i plotë me njerëzit e Türkiye-s. Kosova është gati të ofrojë mbështetjen e nevojshme përfshirë përmes FSK-së”, shkruan Osmani.

Sipas të dhënave paraprake nga autoritete turke, të paktën 284 persona kanë humbur jetën dhe 2.323 të tjerë janë plagosur në 10 provinca që u goditën nga tërmeti shkatërrues në pjesët jugore të Türkiye-s të hënën në mëngjes.

Tërmeti ka shkaktua qindra viktima dhe të plagosur edhe në Siri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit