Konsumi i vajit të ullirit në Shqipëri po shënon rritje nga viti në vit, mbështetur kjo edhe nga një sezon i mbarë i prodhimit të ullinjve. Prodhimi i vajit të ullirit këtë vit u rrit në 7500 tonë, ndërsa importi i vajit ishte 1200 tonë. Konsumi mesatar për frymë rezultoi 3.4 kilogramë. Shqipëria ka rreth 4 milionë rrënjë ullinj në prodhim, shifër kjo pothuajse e barabartë me vitin 2009 dhe rendimenti i prodhimit për rrënjë nga viti në vit ka shënuar rritje. Rendimenti i ullinjve është shumë i luhatshëm në varësi të kushteve atmosferike. Ndodh që një vit, rendimenti të jetë 8 kilogramë për rrënjë, ndërsa një vit tjetër, dy herë më shumë. Vlora, Fieri dhe Berati janë qarqet me numrin më të madh të ullinjve në prodhim në vend. Fieri dhe Vlora kanë nga 1 milion rrënjë, pasuar nga Berati me 779 mijë rrënjë. Në Shqipëri ka 133 fabrika të vajit të rafinuar, nga të cilat 129 janë të vogla dhe kanë një apo dy punëtorë të deklaruar. Fabrikat e vogla e bëjnë të vështirë krijimin e markave dhe reklamimin e tyre, gjë që e kthen vajin në një produkt pa shumë vlerë të shtuar. Shqipëria eksportoi vetëm 16 tonë vaj ulliri, ose 0,2 për qind të prodhimit të saj vitin e kaluar. Eksporti i këtij produkti është në kufijtë e së pamundshmes për shkak të standardeve shumë të larta të vendosura nga Bashkimi Evropian, i cili është njëkohësisht edhe konsumatori më i madh në botë. Ndërkohë, preferenca e konsumatorëve duket se anon nga prodhimi i vendit. Importet e Shqipërisë janë vetëm 1.200 tonë vaj, ose 13 për qind të konsumit. Tregu botëror i vajit të ullirit dominohet nga Greqia, Italia e Spanja, të cilat përfitojnë nga rregullat e Bashkimit Evropian mbi standardet dhe sigurinë ushqimore, por që në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse shmangin konkurrencën e mundshme nga vendet e tjera të Mesdheut, që kanë traditë po kaq të gjatë. Ulliri është një produkt që ofron mundësi për vlerë të shtuar të konsiderueshme, ndryshe nga shumë produkte bujqësore, çmimet e të cilave me pakicë janë jo shumë më të larta se sa kostot e prodhimit. Që nga kontrolli mbi ullinjtë, të cilat mund të jenë mbjellë shekuj më parë, te përpunimi nëpër fabrika vaji, ambalazhimi dhe marketingu, tregu i vajit është sa joshës për nga fitimet, aq edhe i vështirë. Në Shqipëri ekzistojnë me mijëra fermerë që kanë nën pronësi numër të kufizuar ullinjsh. Fermerët shpesh parapëlqejnë ta mbajnë vajin për vete si një konservues vlere ushqimore për periudhën e dimrit, për shkak se ka mbi 8.500 kilokalori për litër (kilokaloritë e nevojshme për konsumin e njeriut për katër ditë). Ndërsa grumbullimi i ullinjve, veçanërisht në vitet kur rendimenti për rrënjë është shumë i ulët, është një proces i vështirë dhe i kushtueshëm. Rregullat e Bashkimit Evropian kërkojnë që vaji të përpunohet sa më shpejt. Nga çasti i vjeljes deri te përpunimi duhet të kalojnë 2-3 orë, përndryshe niveli i aciditetit rritet më shumë sesa normat e lejuara. Kjo gjë detyron që fabrikat e vajit të ullirit të jenë të vogla dhe të vendosura sa më pranë ullishtave të jetë e mundur.