4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Shqipëri- pasojat e konfliktit në Ukrainë: Reformat zhvillimore, shpëtimi i vetëm

Më të lexuarat

Eksperti për energjinë, Lorenc Gordani ka folur në një intervistë ekskulzive për Telegrafin për krizën e energjisë në Shqipëri dhe rajon dhe për pasojat e konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

Ai ka thënë se konflikti pritet të prekë të gjithë Evropën sepse gazi që vjen nga Rusia dhe energjia në përgjithësi mbetet komponenti kryesor i zhvillimit ekonomik.

Sipas të dhënave të fundit, Bashkimin Evropian importon mesatarisht 40% të gazit nga Rusia.

Kjo e shtyn ekspertin të thotë se sanksione të lidhura me fushën e energjisë kundër Rusisë nuk do të ketë sepse ato rrezikojnë vet Evropën.

Gordani ka shtuar se edhe pa influencën e konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë, bota përballet me një rritje të madhe të çmimeve të energjisë për shkak të rezervave të ulëta të naftës dhe gazit dhe kërkesës së lartë të ekonomisë botërore për energji pas ngadalësimit që pësoi gjatë periudhës së pandemisë.

Lexo po ashtu:
LIVE: Dita e pestë e agresionit, delegacioni ukrainas mbërrin për bisedime me Rusinë – Putinit ‘nuk i kanë dalë matjet ashtu siç planifikonte’
LIVE: Dita e pestë e agresionit, delegacioni ukrainas mbërrin për bisedime me Rusinë – Putinit ‘nuk i kanë dalë matjet ashtu siç planifikonte’
“Çmimet e larta të gazit kufizuan edhe blerjen e gazit për depozitim nga vendet e mëdha. Kjo është përkthyer në nivele të ulëta të rezervave”, ka shtuar eksperti i energjisë.

Gordani ka thënë gjithashtu se sapo filloi konflikti në Ukrainë, çmimi i gazit u rrit menjëherë me 30% sipas bursës së Holandës.

“Të gjitha këto zhvillime në skenarin e përgjithshëm lënë vend për shumë dilema për të ardhmen e ekonomisë botërore”, ka theksuar Gordani.
Duke folur për efektet që këto zhvillime mund të kenë në Shqipëri, Gordani u shpreh se rritja e çmimit të gazit natyrorë në tregjet ndërkombëtare sjell rritje të çmimit të importit të energjisë elektrike në Shqipëri.

Ai ka përmendur edhe faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në lehtësimin ose përkeqësimin e situatës energjetikë në vend të lidhura me motin duke qenë se Shqipëria prodhon sasinë kryesore të energjisë nëpërmjet hidrocentraleve dhe burimet të tjerë të ripërtëritshme që po ashtu kanë varësi ndaj kushteve klimatike.

Në këto kushte, Gordani ka theksuar se bie poshtë parashikimi që rritja e çmimeve do të normalizohet në mesin e këtij viti.

“Tashmë për faktorë të ndryshëm por edhe pas krizës së Ukrainës, çmimet e energjisë në bursa parashikohet të vazhdojnë të rriten gjatë gjithë këtij viti por dhe vitin tjetër, ndërkohë që nuk dihet qartë se kur mund të normalizohen”, shton Gordani.

“Kjo situatë do të influencojë shumë në tregun e brendshëm. Shqipëria ka importuar tradicionalisht 200 milionë euro energji, ndërsa rritja e çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtare me 5 deri në 6 herë e rrit vlerën e importit të energjisë në Shqipëri në rreth 1 miliard euro”, ka shtuar eksperti.

Lexo po ashtu:
Vazhdon rënia e ekonomisë së Rusisë, rubla zhvlerësohet në nivel rekord
Vazhdon rënia e ekonomisë së Rusisë, rubla zhvlerësohet në nivel rekord
Gordani e shikon të vështirë mbajtjen e çmimit të pandryshuar në vend për shkak të pamundësisë së buxhetit për të siguruar energji por edhe për të subvencionuar rritjen e çmimeve sidomos për bizneset.

“Parterët ndërkombëtar prej një kohe të gjatë kanë këmbëngulur për konsolidimin financiar dhe ka pasur plane masash se si do të liberalizohet tregu i energjisë në vend”, ka thënë Gordani.

Ai ka nënvizuar se reforma për liberalizmin e tregut të energjisë është parë si faktorë kryesor për stabilitetin financiar dhe uljen e barrës në buxhetin e shtetit.

“Megjithatë, ndihma shtetërore për sektorin e energjisë dhe me pak për sektorin e ujit ka arritur në shifra marramendëse dhe kjo ndihmë është veçse një pikë uji në krahasim me shumën që buxhetit do ti duhet për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë në të ardhmen”, shprehet eksperti.

Gordani ka marrë shembullin e Kosovës dhe vendeve të tjera në rajon të cilat sipas tij kanë hequr dorë nga subvencionet.

“Qeveria e Albin Kurtit ka lënë të kuptohet që në këtë situatë krize ka vetëm tre mënyra për përballimin e saj: fonde për subvencionim, që nuk i kanë, rritja e tarifave ose ndërprerje të energjisë.”

Sipas Gordanit, situata e energjisë në vend nuk është parë me logjik ekonomike.

“Duket sikur institucionet shtetërore në vend kanë rënë në gjumë dhe mendojnë se kjo është një situatë kalimtare”, ka shtuar ai.

Eksperti për energjinë e sheh zbatimin e reformave si të vetmen mënyrë për përballimin e kësaj situate.

“Reformat nuk janë vetëm kusht për integrimin evropian, por janë çështje të stabilitetit ekonomik të vendit”, ka theksuar Gordani.

“Unë parashikoj që kjo situatë ku shteti mbulon ose amortizon rritjen e çmimeve në energji nuk do të vazhdoj gjatë”, ka thënë eksperti, duke shtuar se kriza është globale dhe e vetmja mënyrë për të përballur këto situata është zbatimi i politikave zhvillimore.

Gordani shton se mosveprimi çon në konsumim të rezervave dhe mundësive shtetërore dhe atëherë shkohet në skenarin e Kosovës ku u desh ndërprerja e energjisë për të përballuar situatën.
“Duke u munduar të ulë varësinë ndaj kushteve klimatike dhe importit, Shqipëria duket të synoj që të ndihmoj konsumatorin familjar që të prodhoj vetë energji”, ka shtuar Gordani.

Eksperti ka marrë si shembull Italinë fqinje që me lehtësi fiskale dhe mundësi kreditimi ndihmon familjet që të investojnë në panele diellore dhe matës të eficencës energjetike.

“Kjo duhen bërë edhe për bizneset sepse bizneset janë pa orientim për momentin. Politikat për mësimin dhe orientimin e biznesit drejt energjisë nga burimet e ripërtëritshme janë të nevojshme”, ka bërë të ditur Gordani.

Ndihma me subvencione nga shteti nuk është zgjidhje, ka thënë Gordani, duke shtuar se institucionet shtetërore duhet t’i ndihmojnë bizneset me garanci sovrane ose politika të tjera për t’i shtyrë drejt eficencës energjetike.

Në vitin 2021, Rusia shiti rreth 100 miliardë dollarë naftë dhe gaz në Evropë, sipas William Jackson, një ekonomist në Capital Economics.

Gazprom furnizoi rreth një të tretën e gazit të Evropës në vitin 2020, sipas Bloomberg.

Ndërkohë që Gjermania, ekonomia më e madhe në Evropë, mbështetet tek Rusia për më shumë se gjysmën e gazit të saj.

Kujtojmë se importet e gazit nga Rusia drejt Evropës po vazhdojnë rregullisht. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit