1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Shqipëri, mbahet tubim kundër parregullsive të procesit zgjedhor në KMSH

Më të lexuarat

Sipas Forumit Musliman të Shqipërisë, tubimi mbahet në kuadër të sensibilizimit të besimtarëve muslimanë dhe opinionit publik për “manipulimin që po iu bëhet zgjedhjeve për organet përfaqësuese të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”

Me thirrjen e Forumit Musliman të Shqipërisë është organizuar një tubim para selisë së Komunitetit Musliman të Shqipërisë (KMSH), kundër parregullsive të procesit zgjedhor për organet përfaqësuese të KMSH-së, institucion që kontrollohet nga organizata terroriste FETO, raporton Anadolu.

Sipas organizatorëve, tubimi paqësor mbahet në kuadër të sensibilizimit të besimtarëve muslimanë dhe opinionit publik për “manipulimin që po iu bëhet zgjedhjeve për organet përfaqësuese të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”, si këshillave të xhamive, këshillave të Myftinive dhe Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së.

Pjesë e tubimit me moton “Të largohen uzurpatorët gylenistë nga Komuniteti Musliman” ishin dhjetëra besimtarë muslimanë dhe aktivistë, të cilët protestuan me pankarta me mbishkrimet “Stop uzurpimit institucional të KMSH-së nga gylenistët”, “Ndal presionit dhe intimidimit të hoxhallarëve”, “T’i rikthejmë KMSH-së vlerat e traditës identitare e gjithëpërfshirëse”, “Ndal shkeljeve statutore dhe farsës zgjedhore në Komunitetin Musliman të Shqipërisë” dhe “Komuniteti Musliman i Shqipërisë, peng i një sekti puçist”.

Kryetari i Forumit Musliman të Shqipërisë, Fisnik Kruja, gjatë fjalës në tubim tha se me keqardhje është vënë re ndër vite se KMSH është mbyllur gjithmonë e më shumë në vetvete rreth një grupi të caktuar njerëzish, “duke shkelur parimin e gjithëpërfshirjes dhe demokracisë së brendshme mbi të cilat ai është themeluar”.

“KMSH, për të ardhur keq, është kthyer në një institucion gjithmonë e më sektar duke vendosur në krye njerëz që i përkasin vetëm një sekti apo grupimi, siç është ai i hizmetit, apo ndryshe të njohur edhe si gylenistë. Kjo e vërtetë vihet re në tërësinë e kryesisë së KMSH-së dhe në emërimet e vazhdueshme të myftinjve dhe imamëve të ndryshëm, të cilët vërtiten në orbitën e simpatizantëve dhe ithtarëve të Lëvizjes Gylen”, tha ai.

Kruja shtoi se uzurpuesit gylenistë të KMSH-së kanë ardhur në krye të tij përmes infiltrimit, kamuflimit dhe përdorimit të konjukturave politike dhe financiare duke shfrytëzuar dobësinë dhe apatinë e drejtuesve të dikurshëm, dhe “duke injoruar pothuajse të gjithë potencialin e ngritur fetar, intelektual dhe dinjitar përfaqësues që komuniteti i besimtarëve posedon”, sipas tij “duke instaluar në zemër të institucionit njerëz pa kredenciale intelektuale, kontribuuese dhe fetare, por që iu përgjigjen urdhrave dhe direktivave të grupimit të tyre transnacional”.

“Për më shumë se një dekadë drejtuesit gylenistë të KMSH-së nuk kanë bërë asgjë për të përmirësuar gjendjen financiare të imamëve, të cilët në shumicën e rasteve paguhen me ‘rroga’ mizerabël prej 50 dollarësh dhe shumica e tyre nuk janë të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore. Në të njëjtën kohë, për të njëjtën arsye ata nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të aktivizuar xhamitë e shumta, të cilat për mungesë imamësh ka vite që nuk funksionojnë. Drejtuesit aktualë gylenistë të KMSH-së kanë dëmtuar rëndë sistemin arsimor islam të medreseve duke mbyllur disa prej tyre dhe duke shitur njërën prej godinave më të mëdha vakëf, në favor të shoqatës gyleniste Sema, e cila vetëm e administronte këtë medrese”, tha Kruja.

Kruja theksoi se “puçi institucional” nga gylenistët shqiptarë në krye të KMSH-së mban peng marrëdhëniet me Kryesinë e Çështjeve Fetare të Türkiyes, që sipas tij “refuzon të bashkëpunojë me ta pikërisht për faktin se ata drejtuesit e KMSH-së refuzojnë të distancohen nga ky grupim që shkaktoi tentativën e përgjakshme të mposhtur për grusht shtet në Türkiye më 15 korrikut të vitit 2016.

Kruja tha se Forumi Musliman i Shqipërisë kërkon me forcë që drejtuesit e KMSH-së t’i japin fund uzurpimit të paligjshëm të institucionit dhe t’ua kthejnë atë besimtarëve muslimanë shqiptarë, ashtu siç u takon.

Juristi dhe aktivisti Floriar Arapi foli për disa nga shkeljet e KMSH-së, si shkeljet dhe parregullsitë e procesit zgjedhor në KMSH, duke theksuar se në shumë xhami nuk janë zhvilluar zgjedhjet për këshillat e xhamive, imamët kanë caktuar vetë anëtarët e këshillit të xhamisë pa bërë zgjedhje dhe myftitë kanë thirrur policinë me pretekstin se mund të ndodhin trazira.

Anëtarë të Forumit Musliman të Shqipërisë, aktivistë dhe besimtarë të shumtë kanë pohuar se ka parregullsi në këtë proces zgjedhor, si të këshillave të xhamive, këshillave të Myftinive dhe Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së.

Sipas forumit, në këto përzgjedhje nga imamët dhe drejtuesit e myftinive ka mbizotëruar fryma e përzgjedhjes selektive sipas miqësive dhe bashkëpunimeve të dyshimta, se procesi nuk ka qenë i hapur dhe kandidaturat nuk janë bërë më herët publike. Forumi shton se kandidatët janë përzgjedhur për shkak të miqësisë dhe jo të meritokracisë apo kontributit të dhënë prej tyre në komunitet apo përreth xhamisë.

/aa/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit