Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike organizohet në Tiranë në datat 25-27 nëntor nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e dhjetëra studiuesve
Në Shqipëri ka filluar punimet Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike, i cili organizohet për disa ditë me radhë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me pjesëmarrjen e studiuesve nga vende të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë e hapjes të organizuar në Tiranë ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Shqipërisë, përfaqësues të institucioneve të kërkimit shkencor nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera, si dhe studiues.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se studiuesit albanologë janë mbledhur bashkë për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të mësuar nga njëri-tjetri.
“Edhe unë mendoj se jashtë çdo diskutimi, gjuha, historia, kultura, identiteti dhe qytetërimi shqiptar do t’ju jenë përjetësisht mirënjohës. Por edhe shteti shqiptar, duke e ditur mirë se ju i jeni kushtuar albanologjisë pa asnjë kusht, pa asnjë kërkesë reciprociteti, pa asnjë detyrim palësh, e ndien për detyrë të nderojë punën dhe kushtimin tuaj”, tha Nikolla, duke iu drejtuar studiuesve pjesëmarrës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, në fjalën e tij përshëndetëse tha se e konsideron një nga arritjet më të rëndësishme të këtij kuvendi që në të janë të përfaqësuara të gjitha shkollat, qendrat dhe njësitë e studimeve albanologjike, të cilat sipas tij gjatë dekadave të fundit janë fuqizuar dhe shumëfishuar që nga Australia, Kina, Japonia dhe Evropa.
“Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike është për ne ngjarja më e rëndësishme shkencore. Kanë kaluar dekada nga koha kur në Tiranë janë organizuar evente të ngjashme me të. Shprehim kënaqësinë që albanologjia sot ka një gjeneratë të re studiuesish të ditur, që kanë lidhur jetën e tyre me gjuhën, historinë dhe qytetërimin shqiptar”, theksoi Gjinushi.
Akademik Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se albanologjia që nga fillimet dhe deri më sot ka bërë një rrugë të gjatë zhvillimi, sipas tij, duke njohur gjithnjë zgjerim të fushave të studimit, pasurim të metodave të hulumtimit dhe rezultate shkencore të qëndrueshme.
“Sot studimet albanologjike përbëjnë indin themelor të identitetit tonë, vlerat më të qëndrueshme dhe arritjet tona më të mëdha në fushën e njohjes dhe të dijes”, tha Kraja.
Kuvendi Ndërkombëtar i Studimeve Albanologjike organizohet në Tiranë në datat 25-27 nëntor me pjesëmarrjen e dhjetëra studiuesve shqiptarë dhe të huaj. Sipas organizatorëve, eventi që ka në fokus arritjet më të fundit në fushën e shkencave albanologjike, gjithashtu synon të krijojë rrjetin e shkollave, qendrave dhe individëve që merren me albanologji në të gjithë botën.