-1 C
Pristina
Thursday, December 9, 2021

Modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel, gjithçka nga vizita e Lajçakut në Kosovë

Më të lexuarat

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të enjten pasdite është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Në këto takime krerët shtetëror dhe përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ka folur për mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel.

Derisa krerët shtetëror kanë theksuar se epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, Lajçak ka thënë se takimet Kosovë-Serbi duhet të prodhojnë rezultate pozitive.

​Kurti dhe Lajçak flasin për mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti, në orët e pasdites të së enjtes ka pritur në takim Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Siç njoftohet, në takim u diskutua për dialogun dhe bisedimet e deritanishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Po ashtu folën për kohën, mundësitë dhe modalitetet e takimit të ardhshëm në Bruksel”.

“U zotuan për komunikim dhe kontakte të rregullta, si dhe koordinim të vazhdueshëm”.

Tutje në takim u tha se paqja e qëndrueshme, stabiliteti afatgjatë dhe siguria rajonale e kanë shumë të rëndësishme raportin dhe marrëveshjen e ardhshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti rikonfirmoi gatishmërinë e Kosovës për të përparuar drejt integrimit evropian. Ndërsa Lajçak shprehu mbështetjen e tij për agjendën evropiane të Kosovës.

Lajçak: Takimet Kosovë-Serbi për dialogun duhet të prodhojnë rezultate pozitive

Emisari Special i BE-së Miroslav Lajçak, në një prononcim për media pas takimit me Kurtin tha se është duke vazhduar përgatitja e takimit në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, por se dëshiron rezultat nga ky takim.

Por Lajçak nuk dha ndonjë datë konkrete se kur mund të ndodhë takimi i radhës, duke thënë se ai dëshiron që takimet Kosovë-Serbi të japin rezultate.

“Kjo është edhe arsyeja pse jam këtu. Nuk ka të bëjë vetëm me takimet, por edhe rezultatet. Këtë javë unë kam takuar dy herë kryeministrin Kurti dhe kam biseduar me presidentin Vuçiq, por nuk kishte rezultate pozitive të këtyre takimeve. Ambiciet tona janë të ndryshme në këtë moment dhe nuk ka të bëjë vetëm me organizimin e takimit, por edhe me një marrëveshje dhe kjo është arsyeja që ne po punojmë në këtë drejtim”, u shpreh Lajçak.

I pyetur se çfarë pret nga takimet e radhës Kurti-Vuçiq, diplomati sllovak tha se nuk dëshiron të spekulojë.

“Dialogu do të vazhdojë, sepse është i rëndësishëm dhe ne kemi një vullnet të mirë. Ne vetëm duhet të sigurohemi që takimi do të prodhojë rezultate të mira”, tha Lajçak.

Ai tha se vizita e tij në Kosovë ka të bëjë me përgatitjet e plota për takimin e radhës në Bruksel, por nuk dha ndonjë datë të saktë se kur mund të ndodhë kjo.

Në takim me Lajçakun, Osmani: Epilogu i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten mbrëma ka pritur në takim të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me të cilin diskutuan zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Presidentja Osmani theksoi se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin. Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit presidentja Osmani theksoi po ashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.

Nga ana tjetër, Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit