2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shqipëri: Avokati i Popullit kërkon të penalizohet fjala e lirë

Më të lexuarat

Avokati i Popullit kërkon të penalizohet fjala e lirë

Prej më shumë se një viti Avokati i Popullit Igli Totozani së bashku me institucionin që ai përfaqëson ka filluar një veprimtari të ethshme në dobi të komunitetit LGBT. Ne duam t’i vëmë në dukje të gjithë opinionit publik, se disa pseudoprobleme po amplifikohen pa të drejtë nga disa drejtues institucionesh, duke i bërë të shfaqen si çështje alarmante, që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, duke i ngritur në nivelin e kritereve të domosdoshme për vazhdimin e rrugës së Shqipërisë në proceset integruese për në Bashkimin Evropian, e duke eklipsuar problemet e vërteta të shoqërisë shqiptare. Ne shprehim indinjatën tonë të thellë në lidhje me qëndrimet e mbajtura së fundi nga ana e institucionit të Avokatit të Popullit, e në mënyrë të veçantë nga titullari i këtij institucioni, z. Igli Totozani në lidhje me të ashtuquajturin problemi i homofobisë. E theksojmë, në mënyrë të veçantë nga titullari i institucionit pasi vërejmë një ekses të pajustifikuar nga ana e tij, në lidhje me këtë çështje. Interesimi dhe vëmendja e jashtëzakonshme e z. Totozani në lidhje me sa më sipër kalon edhe parashikimet më largpamëse të “shtresës” që ai mëton të mbrojë, çka nuk është vërejtur tek paraardhësi i tij, a thua se pararendësi i tij, të cilin ka zëvendësuar nuk e ka kryer detyrën e tij siç duhet në këtë aspekt. Nga ana tjetër nuk kemi vërejtur asnjë reagim nga institucioni i Avokatit të Popullit në lidhje me diskriminimin që i është bërë vajzave myslimane për shkak të veshjes që ato mbartin. Në parashtrimin e objeksioneve tona për këtë problem tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare do të nisemi nga premisa morale, familjare dhe fetare, të cilat përbëjnë shtyllat ku ngrihet kombi ynë.
Sistemi i të drejtave dhe lirive themelore është tashmë një sistem i konsoliduar, për sa i përket identifikimit të këtyre të drejtave e lirive si dhe parimeve që udhëheqin mbrojtjen e tyre jo vetëm në vendet evropiane, por edhe në vendin tonë. Orientimi seksual, më tepër sesa një zgjedhje personale, nuk ka përbërë kurrë një të drejtë të denjë për të qenë pjesë e katalogut të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Për më tepër, një orientim seksual i panatyrshëm, përbën një kërcënim të hapur për moralin publik si pjesë qenësore e interesit publik. Ata që duan ta paraqesin moralin si një kategori relative dhe të ndryshueshme gabojnë rëndë pasi harrojnë origjinën hyjnore të tij. Arsyet tona në këtë drejtim janë me origjinë sa shkencore aq edhe sociale. Fenomeni “LGBT” është sa i kundërnatyrshëm, aq edhe degradues për moralin e shoqërisë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, edhe pse e konsideron shkelje të së drejtës për një jetë private të qetë (e parashikuar në nenin 8 të Konventës), kriminalizimin e orientimit të ndryshëm seksual, kurrë nuk i ka detyruar shtetet anëtare për t’iu akorduar të drejta të tjera, krahas asaj për të pasur një orientim të ndryshëm seksual, individëve “LBGT”. Integrimi në Bashkimin Evropian nuk varet nga marzhi më i madh apo më i vogël i të drejtave që iu jepen kësaj kategorie, por nga prioritete të tjera shumë herë më të rëndësishme e për të cilat duhet të punojmë të gjithë së bashku. Ne duhet të bëhemi pjesë e familjes evropiane si shqiptarë, me moralin, fenë dhe traditat tona pasi duke pasur respekt për veten do të kenë edhe të tjerët respekt për ne. Tëhuajsimi nuk sjell veçse humbje të identitetit dhe nëpërkëmbje.
Ajo që përbën konstatimin më shqetësues është fakti se nga ana e Avokatit të Popullit synohet të shkelet një nga të drejtat më themelore të njeriut, liria e shprehjes. Duke e ngritur në nivelin e veprës penale propagandën anti “LGBT”, synohet t’iu mbyllet goja të gjithë atyre që përpiqen të argumentojnë antihumanizmin e fenomenit në fjalë.
Një kërkesë për dënimin e të gjitha shprehjeve të papërshtatshme ndaj individëve “LBGT” synon në radhë të parë të ndalojë të gjithë ata predikues fetarë, që kanë për qëllim të ndërgjegjësojnë besimtarët për rrezikun që i kanoset moralit të shoqërisë nga fenomene devijante. Kjo na kujton të shkuarën e errët komuniste, ku predikuesit fetarë u ndaluan me ligj të flisnin për Zotin. E pohojmë me ndërgjegje të plotë; fenomeni “LGBT” ka një gjykim të qartë tek të gjitha fetë, të praktikuara nga populli shqiptar, se është një fenomen plotësisht i papranueshëm.
Forumi Musliman i Shqipërisë është i angazhuar që të koordinojë përpjekjet e tij edhe me Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, me komunitetet e tjera fetare si dhe me parti politike me një peshë të caktuar në arenën politike shqiptare në lidhje me këtë problem.

Forumi Musliman i Shqipërisë/www.fmsh-al.org/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit