5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024


Shpjegimet e një doktori: Pse nuk funksionon transplanti i zemrës së derrit tek njeriu?

Më të lexuarat

Muhamed Mohiudin e pranon se po bëhen eksperimente vetëm tek rastet e pashpresa

Nga Jessica Mouzo, El País

Një derr fluturues me pelerinën e një superheroi në shpinë, u projektua për disa sekonda në ekranin gjigant në auditorin e spitalit Sant Pau në Barcelonë. “Ata thoshin se ksenotransplantet do të funksiononin kur derri të fluturonte. Dhe tani derrat po fluturojnë… ”- thotë kirurgu i transplanteve Muhamed Mohiudin (lindur në Hiderabad, Indi, 59 vjeç) në përfundim të konferencës shkencore që drejtoi disa javë më parë.

Në vitin 2022, ekipi i tij realizoi transplantin e parë në botë të këtij lloji me pacientin Dejvid Benet, dhe e përsëriti atë vitin e kaluar me Lorenc Foset. Mjekët arritën ta transplantonin organin e kafshës në të dyja rastet dhe t’ua zgjasin jetën të dy burrave, por vetëm për një kohë të shkurtër: të dy vdiqën disa javë më vonë.

Gjithsesi, për ekspertët kjo histori është shpresëdhënëse mbi atë që mund të bëhet. Teknika ishte e realizueshme: një zemër derri mund të rrihte në gjoksin e një njeriu. Ksenotransplanti – transplantimi i organeve apo indeve nga kafshët tek njerëzit – është shfaqur si një alternativë përballë mungesës serioze të donatorëve në nivel globale.

“Në Shtetet e Bashkuara, 150.000 njerëz janë në pritje për një transplant. Çdo 80 minuta, dikush vdes nga mungesa e një organi”- deklaron Mohiudin, që ishte në Barcelonë me rastin e 40-vjetorit të transplantit të parë të zemrës në Spanjë. Spanja është një nga vendet kryesore në botë për sa i përket donacioneve dhe transplanteve. Vitin e kaluar u kryen 6000 procedura, dhe deri më 31 dhjetor, 4794 persona ishin në listën e pritjes për të marrë një organ.

Mohiudin i ka kaluar tre dekadat e fundit duke studiuar ksenotransplantet. Ai thotë se mjekët mësuan shumë nga përvojat e tyre me dy pacientët, dhe nënvizon faktin se që të dy ishin shumë të sëmurë, dhe me thuajse asnjë shans për të mbijetuar për një kohë të gjatë.

Gjatë një interviste për El País, kirurgu konfirmoi se do të vazhdohet me këto procedura pavarësisht nga kompleksiteti teknik dhe problemet etike që ka shkaktuar kjo çështje: nga kërcënimi i refuzimit të organit të kafshës nga trupi i njeriut, tek rreziku i mundshëm të futjes së virusit të kafshëve tek njerëzit që aktivizohen ose futen në ADN-në e tyre, deri tek debati i vazhdueshëm në lidhje me të drejtat e kafshëve.

A është gati ekipi juaj për ksenotransplantin e tretë të zemrës?

Po, po përpiqemi të gjejmë një pacient të mirë. Dhe po mundohemi të kuptojmë se si mund të përmirësohemi, bazuar në ato që kemi mësuar nga dy transplantet e para.

Cili është objektivi i ksenotransplantit? Një furnizim i madh me organe?

Po. Sapo kjo procedurë  të jetë e suksesshme dhe të ketë një mbijetesë të qëndrueshme afatgjatë, atëherë mund t’ia ofrojmë këtë shumë njerëzve që nuk munden të bëjnë një transplant me zemër njerëzore. Cilido që ka nevojë për një zemër apo ndonjë organ tjetër – sepse nuk është vetëm zemra, mund të përdoren edhe organe të tjera nga derrat – do të jetë në gjendje të marrë një organ dhe të mos presë në radhë për një kohë të gjatë.

Pse zgjodhët organet e derrit?

Derri nuk është shumë i afërt me njerëzit, si majmunët babunë apo shimpanzetë. Por duhet të kalojë shumë kohë para se një majmun të arrijë në madhësinë e njeriut. Po ashtu, majmunët vuajnë nga sëmundje si HIV (AIDS), që mund të transmetohen tek njeriu. Për këtë arsye nuk i përdorim ata.

Në rastin e derrave, me aftësinë tonë për të modifikuar gjenin, ne mund ta bëjmë shpejt atë për të reduktuar rrezikun që trupat e të transplantuarve të refuzojnë organin. Dhe këta derra rriten shumë shpejt. Brenda një viti, rriten në një madhësi që do të ishte e përshtatshme për njerëzit e rritur.

Në cilën fazë është kjo teknikë?

E gjithë puna e mëparshme është bërë me kafshët, dhe tani kemi filluar me njerëzit. Ne duhet t’i kapërcejmë ato dallime dhe të përpiqemi ta mbajmë zemrën funksionale për një periudhë të gjatë kohore. Pacientët që i nënshtrohen kësaj procedure janë shumë të sëmurë. Nëse asaj i nënshtrohet një pacient që nuk është dhe aq i sëmurë, rezultati do të jetë më i mirë.

Dhe cili është objektivi përfundimtar? Të kursejmë kohë me organet e kafshëve derisa të kemi një organ njeriu për të transplantuar, apo të jetojmë deri në fund të jetës këto organe kafshësh?

Kur flisni për një periudhë të shkurtër kohore, kjo quhet fazë tranzitore. Me disa nga organet, si për shembull mëlçia, mund të kalojnë për një periudhë të shkurtër kohe, dhe më pas ata marrin një organ tjetër. Në rastin e zemrës, nëse ajo punon mirë, mund ta lësh në trupin pacientit derisa të dështojë.

Por nëse ndërkohë gjeni një zemër tjetër njerëzore, atëherë mund ta shkëmbeni atë. Por transplanti është shumë i vështirë, dhe sa herë që e nxjerr atë zemër dhe e vendos sërish, ka ndërlikime të tjera. Prandaj është më mirë, që nëse zemra është në rregull, ta lini derisa të dështojë, dhe pastaj të vendosni një zemër tjetër derri ose një zemër njeriu, nëse është e disponueshme.

Ju transplantuat zemrat e derrit në dy pacientë, Dejvid Benet dhe Lorenc Foset. Që të dy vdiqën. Si interpretohet kjo në terma shkencorë?

Ne po mësojmë se çfarë po ndodh tek këta pacientë. Të gjitha eksperimentet e mëparshme janë bërë me majmunë babunë të shëndetshëm. Ata nuk kishin asnjë sëmundje. Ne i kryem transplantet dhe mësuam prej tyre. Por këta pacientë ishin shumë, shumë të sëmurë.

Pra, tani po mësojmë si të ndryshojmë regjimin tonë të barnave, çfarë ndryshimesh shtesë duhet të bëjmë, dhe çfarë të mos përdorim tek këta pacientë për të mbajtur zemrën gjallë për periudha më të gjata kohore. Gabimet që bëmë tek pacienti i parë, nuk i përsëritëm, përkundrazi u përmirësuam me pacientin e dytë. Ky do të jetë një proces hap pas hapi.

Çfarë nuk shkoi si duhet në ato dy raste?

Mendojmë se antitrupat që janë të pranishëm në sistemin tonë njerëzor, mund të sulmojnë dhe vrasin organin. Kjo është ajo që mendojmë se ka ndodhur edhe në këto dy raste.

A jeni në gjendje ta kontrolloni refuzimin? Si mund të përmirësohen gjërat?

Edhe me transplantin e zemrës nga njeriu tek njeriu ndodh e njëjta gjë. Fillimisht kur u kryen transplantet e zemrës midis njerëzve, zemra nuk mbijetoi për një kohë të gjatë. Por më pas dolën barna të reja që e frenuan shumë mirë atë refuzim. Pra, ne mendojmë se do të jemi në gjendje ta bëjmë këtë edhe më zemrën e derrit, pasi ka shumë ilaçe që funksionojnë shumë mirë tek kafshët, por që nuk janë të miratuara për njerëzit. Një ditë, këto barna do të miratohen edhe për njerëzit, dhe do të jenë në gjendje të frenojnë shumë mirë refuzimin e organit nga trupi.

Një nga rreziqet apo temat e diskutueshme rreth kësaj teknike, është futja e viruseve të reja në popullatën njerëzore. Transplanti i zemrës së Benet përfshiu edhe një virus derri. A ka shumë rrezik që të ndodhë kjo në të ardhmen?

S’ka asnjë provë që këto viruse mund t’i infektojnë njerëzit. Ata mund të infektojnë derrat në rast se aktivizohen. Agjencitë tona rregullatore, duan që ne të monitorojmë pacientin për sa kohë që ai jeton dhe të vazhdojmë të kontrollojmë jo vetëm ata, por anëtarët e familjes së tyre dhe cilindo me të cilën janë në kontakt, për t’u siguruar që ky virus të mos aktivizohet dhe të mos infektojë njerëzit.

Cilat janë boshllëqet e mëdha të njohurive në këtë fushë?

Edhe pse e dinim që këta pacientë mund të mos jetojnë gjatë, ne donim që ata të jetonin të paktën gjashtë muaj, sepse majmunë babunë që kemi në laborator, jetojnë nëntë muaj ose më shumë. Ne donim të zbulonim ndryshimin midis asaj që mësuam mbi modelet e kafshëve përkundrejt asaj që mësuam nga modelet njerëzore, dhe të përpiqemi t’i kapërcejmë këto dallime. Antitrupat janë një nga gjërat që nuk kontrollohen mirë tek pacientët e sëmurë, sepse nuk mund t’u japim mjaftueshëm ilaç për të shmangur refuzimin e organit, sepse ilaçi krijon edhe problemet e veta.

Ju vetë do të bënit transplantim të një organi kafshe, nëse do t’ju duhej? Për shembull një zemër derri…

Kjo është pyetja që më bëjnë shumë njerëz. Por kur pyet një person të shëndetshëm nëse do të bënte një transplant të zemrës së derrit, ai mund të thotë jo. Por nëse unë arrij në një fazë në të cilën kam nevojë për transplantim zemre, dhe nuk kam asnjë mjet tjetër për të jetuar, dhe nëse unë ndjej se ajo kafshë mund të më shpëtojë jetën, atëherë ndoshta do të pranoja.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit