0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Shpenzimet ushtarake globale shënuan rekord të ri në vitin 2022

Më të lexuarat

Shpenzimet ushtarake në Evropë u rritën me 13 për qind në vitin 2022, ndërsa shpenzimet ushtarake të Ukrainës arritën rritjen më të lartë vjetore prej 640 për qind

Shpenzimet ushtarake globale arritën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave prej 2,24 trilionë dollarë në vitin 2022, duke u rritur me 3,7 për qind nga viti i kaluar, ndërsa Evropa shënoi rritjen më të madhe në bazë vjetore të shpenzimeve ushtarake në të paktën 30 vjet, transmeton Anadolu.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI), shpenzimet ushtarake në Evropë shënuan rritje me 13 për qind në vitin 2022 krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa kryesisht u dominua nga shpenzimet ruse dhe ukrainase.

“Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake globale në vitet e fundit është një shenjë se ne po jetojmë në një botë gjithnjë e më të pasigurt”, tha Nan Tian, studiuese e lartë nga Programi i Shpenzimeve Ushtarake dhe Prodhimit të Armëve në SIPRI.

“Shtetet po forcojnë forcat ushtarake në përgjigje të një mjedisi të përkeqësuar të sigurisë, të cilin ata nuk parashikojnë se do të përmirësohet në të ardhmen e afërt”, tha Tian.

Evropa Qendrore dhe Perëndimore shpenzoi 345 miliardë dollarë vitin e kaluar, duke tejkaluar për herë të parë shpenzimet e vitit 1989 në përfundim të Luftës së Ftohtë.

Shpenzimet ushtarake të Finlandës regjistruan rritjen më të madhe me 36 për qind, e ndjekur nga Lituania me 27 për qind, Suedia me 12 për qind dhe Polonia me 11 për qind.

“Pushtimi i Ukrainës pati një ndikim të menjëhershëm në vendimet për shpenzimet ushtarake në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Kjo përfshinte plane shumëvjeçare për të rritur shpenzimet nga disa qeveri”, tha Diego Lopes da Silva, një studiues i lartë pranë SIPRI-t.

Ai theksoi se është e arsyeshme të pritet që shpenzimet ushtarake në Evropën Qendrore dhe Perëndimore të vazhdojnë të rriten në vitet në vijim.

Shpenzimet ushtarake të Rusisë u rritën me rreth 9.2 për qind vitin e kaluar, duke arritur në 86.4 miliardë dollarë, kurse Rusia u ngjit në vendin e tretë nga vendi i pestë për nga shpenzimet ushtarake. Shpenzimet ishin ekuivalente me 4,1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të Rusisë për vitin 2022, nga 3,7 për qind të PBB-së sa ishte në 2021.

Shpenzimet ushtarake të Ukrainës arritën në 44 miliardë dollarë në vitin 2022.

“Me 640 për qind, kjo ishte rritja më e lartë vjetore e shpenzimeve ushtarake të një vendi të regjistruar ndonjëherë në të dhënat e SIPRI-t. Si rezultat i rritjes dhe dëmit të lidhur me luftën në ekonominë e Ukrainës, shpenzimet ushtarake arritën në 34 për qind të PBB-së në vitin 2022, nga 3,2 për qind në 2021”, thuhet në deklaratë.

– SHBA shpenzuesi më i madh ushtarak në botë

Shpenzimet ushtarake amerikane arritën në 877 miliardë dollarë në vitin 2022, 0,7 për qind më shumë se një vit më parë.

Shpenzimet amerikane përbënin 39 për qind të totalit të shpenzimeve ushtarake globale, duke u renditur në krye të renditjes.

“Rritja e shpenzimeve ushtarake të SHBA-së në vitin 2022 u shkaktua kryesisht nga niveli i paprecedentë i ndihmës financiare ushtarake që i dha Ukrainës. Duke pasur parasysh shkallën e shpenzimeve të SHBA-së, edhe një rritje e vogël në përqindje ka një ndikim të rëndësishëm në nivelin global të shpenzimeve ushtarake”, tha Tian.

Sipas të dhënave, ndihma ushtarake e SHBA-së për Ukrainën arriti në 19,9 miliardë dollarë në vitin 2022, shuma më e lartë e ndihmës ushtarake që ka dhënë ndonjë vend për një përfitues të vetëm që nga Lufta e Ftohtë.

Kina radhitet pas SHBA-së si shpenzuesi i dytë më i madh ushtarak me 292 miliardë dollarë vitin e kaluar, 4,2 për qind më shumë krahasuar me vitin 2021. Shpenzimet ushtarake të vendit janë rritur për 28 vite radhazi, sipas SIPRI-t.

Shpenzimet ushtarake të Japonisë u rritën me 5,9 për qind në vitin 2022, duke arritur në 46 miliardë dollarë ose 1,1 për qind të PBB-së së saj. Shpenzimet ushtarake të vitit të kaluar ishin më të lartat në Japoni që nga viti 1960, të nxitura nga strategjia e sigurisë kombëtare e cila u publikua vitin e kaluar.

India dhe Arabia Saudite ishin shpenzuesit e katërt dhe të pestë më të mëdhenj ushtarak vitin e kaluar me 81,4 miliardë, respektivisht 75 miliardë dollarë.

– Shpenzimet ushtarake të vendeve anëtare të NATO-s u rriten me 0,9 për qind

Sipas SIPRI-t, rritja reale e shpenzimeve ushtarake globale vitin e kaluar u ngadalësua për shkak të ndikimit të inflacionit, i cili regjistroi nivelin më të larta në dekada në shumë vende.

Vitin e kaluar u regjistrua një rritje prej 0,9 për qind në shpenzimet ushtarake të anëtarëve të NATO-s, duke arritur në 1,23 trilion dollarë.

Britania e Madhe parapriu me shpenzimet më të larta ushtarake në Evropën Qendrore dhe Perëndimore me 68,5 miliardë dollarë, ndërsa rreth 2,5 miliardë dollarë nga ky total ishin ndihma financiare për Ukrainën.

Shpenzimet ushtarake të Türkiyes ishin 10,6 miliardë dollarë në vitin 2022, duke treguar një rënie prej 26 për qind nga viti 2021.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit