1.9 C
Pristina
Friday, November 29, 2024

Shkup, mbahet ligjërata “Një shekull nga njohja e Islamit në Hungari”

Më të lexuarat

“Në kohën kur jemi dëshmitarë të krimeve të tmerrshme që padrejtësisht i atribuohen fesë Islame dhe kur si kundërpërgjigje kemi rritje të islamofobisë, mendoj se të gjithë ne duhet të mësojmë nga gjeneratat e kaluara”

SHKUP (AA) – Në hapësirat e Universitetit Kolegji Amerikan në Shkup, në kuadër të hapjes së bibliotekës në nder të prof. Gáspár Bíró (1958-2014), u mbajt ligjëratë nga drejtori i Qendrës për Studime Fetare në Universitetin e Budapestit, Dr. Balázs Déri, i cili duke nderuar të ndjerin prof. Gáspár Bíró, deklaroi se Hungaria është shteti i parë jo-islamik që njohu fenë islame, me ligj të veçantë të publikuar më 30 mars të vitit 1916, raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në këtë ligjëratë ishte edhe kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFI), Sulejman Rexhepi, i cili theksoi se prof. Gáspár Bíró gjatë tërë jetës së tij ishte i përkushtuar për avancimin e të drejtave të njeriut. Ai theksoi se është kënaqësi e madhe të përkujtohet fakti se Parlamenti Hungarez një shekull më parë njohu fenë Islame si një fe të veçantë.

“Në kohën kur jemi dëshmitarë të krimeve të tmerrshme që padrejtësisht i atribuohen fesë Islame dhe kur si kundërpërgjigje kemi rritje të islamofobisë, mendoj se të gjithë ne duhet të mësojmë nga gjeneratat e kaluara, përfshirë edhe nga anëtarët e Parlamentit Hungarez të vitit 1916”, deklaroi Rexhepi.

Rexhepi porositi se e ardhmja e kësaj bote mund të ndërtohet vetëm me mirëkuptim reciprok, dialog, tolerancë, me njohjen e kulturave dhe qytetërimeve të ndryshme, si dhe me përpjekje të përbashkëta kundër së keqes. “Zoti i Plotfuqishëm kur krijoi botën tonë dhe jetën në të, urdhëroi që të jetojmë në harmoni, të mos krijojmë diferencë, të njihemi për të mirë dhe të duhemi”, u shpreh Rexhepi.

Në Universitetin Kolegji Amerikan në Shkup, hapet bibliotekë në nder të prof. Gáspár Bíró

Në hapësirat e Universitetit Kolegji Amerikan në Shkup, në praninë e ministrit shtetëror për Diplomaci Kulturore dhe Shkencore pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Hungarisë, István Íjgyártó, u hap biblioteka në nder të prof. Gáspár Bíró (1958-2014), i cili ka ligjëruar të drejtë ndërkombëtare dhe politikë në Universitetin e Budapestit, si dhe ka qenë përfaqësues special i Kombeve të Bashkuara për Sudanin.

Aktiviteti u organizua nga Ambasada e Hungarisë në Shkup dhe Universiteti Kolegji Amerikan-Shkup, universitet i cili në vitin 2010 nderoi me titullin “Honoris Causa” prof. Gáspár Bíró-n për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e universitetit dhe për arritjet e tij në shkencat politike, në përparimin e të drejtave të njeriut dhe në mbrojtjen e pakicave. Bíró ka mbajtur ligjërata të shumta nëpër universitete të botës, përfshirë edhe në Universitetin Kolegji Amerikan në Shkup.

Në hapjen e bibliotekës ministrit shtetëror hungarez, István Íjgyártó, tha se prof. Bíró ishte një profesor i njohur në Hungari, ndërsa këtu në Shkup ai ka ndarë njohuritë dhe aftësitë e tij. “Ne absolutisht e vlerësojmë këtë akt të Kolegjit Amerikan me emërimin e bibliotekës me emrin e profesorit të nderuar. Mirëmbajtja e kësaj trashëgimie është një kontribut i rëndësishëm për të gjeneruar këtë shkollë prestigjioze”, u shpreh Íjgyártó.

Prof. Gáspár Bíró ishte mik i përkushtuar i Maqedonisë. Kolegët e tij dhe diplomatët lartë i vlerësojnë përpjekjet e tij në fazat e hershme të njohjes ndërkombëtare të Maqedonisë, si dhe kontributin e tij për thellimin e marrëdhënieve bilaterale mes Hungarisë dhe Maqedonisë.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit