18.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

“Shkatërrimi krijues” si protestë ndaj stabilitetit asfiksues – Selami Xhepa

Më të lexuarat

“Shkatërrimi krijues” si protestë ndaj stabilitetit asfiksues
Selami Xhepa

Në veprën e tij Kapitali, Karl Marksi kishte shkruar se “shkatërrimi i dhunshëm i kapitalit nuk vinte nga marrdhënjet që buronin nga jashtë sistemit, por si një kusht për ruajtjen e vetvetes”. Domethënë, shkatërrimi kapitalit ishte një nevojë e brendshme për lulëzimin e sistemit kapitalist. Por, ekonomisti që do të bëhej Profeti i Inovacionit, ishte austriaku Joseph Schumpeter me librin e tij Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia (1942). Në këtë vepër ai do të përkufizonte për herë të parë termin e shkatërrimit krijues si një proces ku teknologjia dhe inovacioni krijojnë mënyra të reja të të bërit të gjërave, duke zhdukur të vjetrën. Që sistemi të përmirësohet, disa gjëra duhen shkatërruar – është mesazhi i veprës së tij. Biznese, produkte, industri, mënyra prodhimi dhe sisteme organizimi zhduken dhe specie të reja lindin. Inovacioni teknologjik në epokën tonë vetëm se e ka përshpejtuar këtë proces, duke ja shkurtuar dhe më shumë jetën të vjetrës. Aq shumë e ndjeshme është kjo shpejtësi e përmbysjeve të mëdha sa edhe bota e para viteve 2000 në shumë drejtime duket histori.

[Po hap një parantezë: ka një diskutim interesant në librin Antifragile: Things that gain from disorder të Nasim Taleb lidhur me faktin se kush e ka pagëzuar emrin “shkatërrim krijues”. Sipas Taleb, ishte Niçe tek Lindja e Tragjedisë që e ka përdorur në referencë të Dionisit, të cilin e quante “krijimtarisht shkatërrues” dhe “shkatërrimtar krijues”. Dy forcat që vihen përballë në këtë vepër janë ato apolloniane dhe dionisiane: njëra simbol i të qenit i matur, i balancuar, racional, mishërim i arsyes dhe vetpërmbajtjes; tjetri është i errët, i thellë, i egër, xanxar, i vështirë për tu kuptuar, i dalë nga rrathët periferik të vetvetes. Niçe, sipas Talebit, kishte kuptuar se rritja e dijes – dhe e gjithçkaje tjetër – nuk mund të vijonte pa forcat dionisiane.]

Shembulli që sjell Schumpter është ai i hekurudhës në Illinois Central Railroad. Sa më shumë që hekurudha zgjerohej aq më shumë rritej prodhimi i trenave, zgjerohej gama e mallrave që transportoheshin me hekurudhë, lindnin qytete dhe zona të reja të banuara. Por kjo u shoqërua me zhdukjen e disa formave të sistemeve bujqësore në Midwest. Një mënyrë e tërë jetese u shkatërrua; puna në fermë u shndërrua nga një traditë historike e të ushqyerit të familjes, në një industrializim të aktivitetit bujqësor. Në fakt nëtëgjithë botën e zhvilluar sot bujqësia nuk përbën më mënyrë jetese, por thjesht një degë të industrisë. Këto cikle të hopit teknologjik ndeshën në çdo pesëdhjetë apo njëqind vjet. Nëse bumi ekonomik i shekullit të 19-të i dedikohet industrisë tekstile, hekurit, qymyrit dhe motorit me avull; bumi i mesit të shekullit të 19 i dedikohet çelikut dhe ndërtimit të hekurudhave; ai i fillimit të shekullit të njëzet i dedikohet prodhimit të makinave dhe energjisë; ky i shekullit ku kemi hyrë i dedikohet ICT dhe industrive të lidhura me të.
Schumpeter ishte një ekonomist shumë i shquar dhe që arriti të ndërtojë një teori po aq madhore sa dhe Marksi. Por, nëse Marksi shihte klasën punëtore në qendër të krijimit të vlerës në ekonomi dhe proletariatin si agjentin që do të ndryshonte historinë e shoqërisë nëpërmjet revolucionit proletar, Schumpeter shihte sipërmarrësin në qendër të sistemit ekonomik kapitalist dhe progresit shoqëror. Aq i drejtë ka qenë ky parashikim i Schumpeterit, sa në librat e sotëm të biznesit historia (figurativisht) do të ndahet sipas një kalendari që ndan periudhën historike para dhe pas Bill Gates. Motivi që qëndron pas rendjes drejt inovacionit është vullneti për të krijuar një perandori të vetën, nënvizon Schumpeter. “Ata nuk janë persona delikat apo fin; shpesh ata janë shumë të vrazhdë, por duan ta sulmojnë botën në një mënyrë të caktuar. Aventurierët e dikurshëm, kapitalizmi i shndërroi në shpirtëra kalkulues”.

Në një shkrim të Lawrence Summers dhe DeLong të para pak kohësh shkruhet se “ekonomia e të ardhmes me gjasa do të jetë‘schumpeteriane’”, ku motori i krijimit të pasurisë do të jetë inovacioni. Pikërisht prej këtej udhëhiqet rritja ekonomike dhe pasurimi kombeve. Normat e fitimeve në bizneset inovatore janë të ngjashme me fitimet monopoliste dhe për pasojë ato krijojnë industri me fitime lukrative. Produktet sot janë më shumë ide se kosto materiale dhe për pasojë mundësia për krijim monopolesh natyrore është shumë e lartë – deri sa një inovacion tjetër ta shkatërroj atë produkt. Prandaj sot kemi probleme shumë më të vështira nga pikëpamja e rregullimit të industrive. Vetëm disa ditë më parë Google u ndëshkua nga Komisoni Europian për abuzim në tregun e reklamave.Pak operatorë sot dominojnënë industritë farmaceutike, të teknologjive të komunikimit, etj. Shumë debate zhvillohen sot, për shembull, lidhur me dëmet që i sjell një euro e fortë ekonomisë së sotme europiane. Për shkak se në raport me dollarin apo monedhat e tjera botërore euro kishte ruajtur një vlerë shumë të lartë përgjatë gjithë viteve 2000, disa ekonomist kanë fajësuar pikërisht euron e fortë si shkak të dobësive të ekonomisë europiane. Por, në fakt, eksportet gjermane kanë shënuar ritme rritje shumë të larta në të gjithë sektorët; Gjermania ka vazhduar të jetë eksportuesi më i madh botëror pas Kinës. Arsyeja? Produktet gjermane janë produkte që bazohen në teknologji inovative dhe për pasojëçmimet e tyre nuk janë të ndjeshme në raport meçmimine parasë.

Duke dëshmuar para Kongresit, ish Guvernatori legjendar i FED, Greenspan thoshte se, “përshpejtimi i dukshëm i procesit të shkatërrimit krijues që ka shoqëruar industritë inovative dhe qëështë reflektuar në zhvendosjen e kapitalit nga industritë e dështuara në ato që kanë arritur në caqet e teknologjisë, ka qenë i jashtëzakonshëm”. Por, mikroprocesori, fibra, lazeri, teknologjitë e satelitit dhe optike dhe teknologjitë e informacionit për të cilat bënte fjalë Greenspan gati një dekadë më parë, sot ngjajnë industritë saturuara dhe gjenerata të reja teknologjish të inteligjencës artificiale janë në aplikime gjithnjë e më masive.

Pikërisht prej këtej merr shkas edhe ajo që thonëSummers dhe DeLong; ata e ngrejnë shqetësimin në kontekstin e rritjes sekulare në të cilin ndodhet sot ekonomia botërore, një rritje e ngadaltë problematike. Rritja schumpeteriane nuk është gjë tjetër vecse një rritje e udhëhequr nga industritë e reja inovative, të cilat duke gjeneruar norma të larta fitimi do të ushqejnë dhe më shumë inovacion. Industritë me norma të larta fitimi, nixitin një proces të rritjes së çmimeve të letrave me vlerë duke nxitur një rritje të investimeve. Nga ky proces burimet ekonomike do të rialokohen dhe më me forcë nga industritë ineficiente drejt industrive të reja. Me fjalë të tjera, procesi i inovacionit do të jetë dhe më tronditës nga pikëpamja e stabilitetit ekonomik në vitet që vijnë.

Procesi i inovacionit është njëherësh dhe burim i destabilitetit në ekonomi prandaj dhe ekuilibri ekonomik për të cilin flitet në modelet e teorisë ekonomike në fakt është thjesht një fotografim momental i gjendjes së ekonomisë; gjendja e natyrshme e saj është destabiliteti. Tronditjet që krijojnë teknologjitë e reja në botën ekonomike dhe sociale, e prishin qetësinë dhe gjendjen statike. Në vitin 2009, një programues kompjuterash, Garret Camp, themeloi kompaninë UberCab që do të krijonte një model krejt të ri në biznesin e shërbimit taksi. Sot më shumë se 100 milionë persona përdorin këtë formë shërbimi, i cili duke aplikuar një politikë dinamike të formimit tëçmimit, krijon kursime për përdoruesit por edhe racionalizon burimet ekonomike, që nga karburantet, konsumin e makinave, etj.

Sigurisht që kjo ka dëmtuar interesat biznesit tradicional të shërbimit taksi që në vitet që vijnë mund të tkurret akoma dhe më shumë. IBM nuk do të kishte mbetur në treg nëse nuk do ta kishte kuptuar në momentin e duhur të largohej nga biznesi i vjetër dhe krijimit të linjave të reja të biznesit. IBM do të ishte haruar siç janë harruar emra dikur të famshëm si Compaq, MCI Worldcom, Pan Am, Kodak etj.

Schumpeter na përcjell dhe një mesazh tjetër të rëndësishëm me veprën e vet: mekanizimi i inovacionit nëpër laboratorët e korporatave, rrezikon të zhduk sipërmarrësin, dhe për pasojëdhe suksesin mbi të cilin qëndron triumfi i kapitalizmit. Profesori i Harvardit Clayton Christensen pohon se ajo që ndodhi në Japoni, ishte pikërisht ajo që Schumpeter kishte paralajmëruar. Megjithatë, evidencat e deritanishme janë kundër kësaj hipoteze. Kapitalizmi dhe sipërmarrja, shpirti sipërmarrës dhe aventurier i biznesit janë zgjeruar edhe më shumë. Numri i start ups që veprojnë në industritë e reja inovative janë në rritje në të gjithë botën e zhvilluar dhe brezi i ri që vjen i familjarizuar me këto teknologji, gjeneron ide edhe më ‘të çmendura’ se ato që janë zhvilluar. Sidoqoftë, rreziku i rutinizimit tëinovacionit duhet kuptuar si një thirrje për të krijuar dhe mbështetur një infrastrukturë të përshtatshme për sipërmarrje në mënyrë që procesi i shkatërrimit krijues të mos pushoj.

Dhe në fakt këtu merr shkas dhe shqetësimi që dëshiroj të ngrejë në këtë shkrim: mungesa e sipërmarrjes inovatore e manifestuar në strukturat ekonomike problematike për vendin tonë. Po e shtjellon pak më hollësisht këtë çështje.

Brezi më i moshuar ishte mësuar të shihte krijimin e një industrie të rëndë me oxhaqe të larta që tymosnin qytetet. Mbi to shkruhej me gërma të mëdha “Tymi është simboli i triumfit tonë”, duke përcjellë kështu idenë e krijimit të një industrie të rëndë si bazë për modernizimin e vendit. Por sot, oxhaqet dhe tymi janë thjesht simbole të katastrofës mjedisore, ndërsa ekonomia që nuk nxjerr më tym dhe që nuk ka uzina dhe fabrika masive, prodhon 4 herë më shumë mallra dhe shërbime, ndërsa të ardhurat për frymë sot janë dyfishuar nëçdo dekadë që prej rënjes së sistemit komunist. Oxhaku që ishte simbol i protestës së bujqësisë së zhdukur, sot është gjithashtu simbol i protestës ndaj degradimit mjedisor dhe ndotjes, fenomene që duke shkaktuar ndryshimet klimatike në përmasa shqetësuese, po shndërrohen në kërcënim për vetë të ardhmen e planetit tonë.

Përtej këtij ndryshimi të madh strukturor pozitiv për ekonominë tonë, risitë teknologjike dhe organizative dhe inovacioni në ekonomi nuk kanë arritur të krijojnë tronditjen e madhe të sistemit dhe ndryshimin e status quo-s. Statistikat tregojnë se eksportet e produkteve me bazë teknologjike nga vendi ynë pothuajse nuk ekzistojnë; investimet e firmave shqiptare në teknologji dhe know how dhe përdorimi teknologjisë për modernizimin e praktikave të organizimit dhe drejtimit të biznesit, janë shumë modeste. Indikatorët e konkurueshmërisë që masin shkallën e sofistikimit teknologjik të bizneseve dhe inovacionin që botohen në Raportin Global të Konkurueshmërisë, e rendisin vendin tonë në fund të listës. Bizneset e mëdha të vendit vazhdojnë të mbeten të orientuara drejt aktiviteteve tregtare, të tregut të ndërtimeve dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore të vendit, por nuk kemi firma që veprojnë në fushat e zhvillimit të teknologjive apo edhe në aplikime të caktuara inovative të teknologjive ekzistuese. Duket se në Shqipëri ka ndodhur vetëm procesi shkatërrues i së vjetrës, por akoma nuk kemi krijuar një raport familjar me industritë dhe ekonominë e dijes së epokës sonë.

Si vjen protesta e sotme në raport me ekonominë? Mendoj se është një mospranim i një ekuilibri të dobët institucional të krijuar përgjatë viteve dhe shprehje e nevojës për të krijuar një ambient të ri, me institucione funksionale, veprim të shtetit ligjor dhe rregullave të një konkurence të ndershme në treg. Do të ishte një kosto më e madhe për shoqërinë nëse në emër të një stabiliteti asfiksues ekonomik, protesta qytetare do të fashitej. Revolta e studentëve ka sjellë një debat të ri për një riformatim të arsimit të lartë; revoltat e fermerëve do të detyrojë qeverinë të gjejë një balancë më të drejtë në raportet e interesave të fermerëve, tregtarëve dhe konsumatorëve; protestat e mjedisorëve kanë detyruar qeverinë të prapsohet nga një sërë projektesh me impakt mjedisor; protestat politike nuk ka dyshim se do të sjellin një përmirësim të sistemit politik në vend dhe krijimin e një kuadri të ri institucional ku sipërmarrja private të zhvillohet në një normalitet të ri. Një ekuilibër i ri më i lartë institucional do të shfaqet që të mund të krijojmë premisa të reja pozitive për të nxitur një shpirt të ri të shkatërrimit krijues.

Meqenëse agjenti kryesor i ndryshimit që kam përdorur në këtë shkrim është sipërmarrësi shkatërrues, po e mbyll me nevojën emergjente që ka shoqëria jonë për të nxitur krijimin e shpirtit sipërmarrës. Bota sot është e mbushur me likuditet. Ajo që mungon për ta shndërruar atë në projekte janë idetë inovatore dhe individët që kanë jo vetëm talent, por dhe që marrin përsipër rreziqet. Propozimi i Taleb që bota duhet të ketë një ditë në kalendarin e vet që të quhet Dita e Sipërmarrësit më duket shumë e gjetur, si dhe motivi që shoqëron këtë propozim:

Shumë prej jush do të përfundojnë në dështim, të parespektueshëm dhe në varfëri, por ne ju jemi mirënjohës për rreziqet që keni marrë dhe sakrificat që keni bërë për hir të rritjes ekonomike të planetit dhe të nxjerrjes së njerëzve nga varfëria. Ju jeni burim i antifraxhilitetit. Kombi ynë ju është mirënjohës.


Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit