3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Shija e rrallë e gjërave të thjeshta

Më të lexuarat

Mëngjes. Qielli i pastër blu. Dielli i plotë dhe i ngrohtë. Hap dritaren. E di. Kjo është një nga ato ditët që njeriu duhet ta jetojë me të gjitha shqisat.

Mbyll sytë. Degjon cicërimat e zogjve dhe fëshfërimën e gjetheve. Ndjen erën e lehte të të ledhatojë e, teksa bën kështu, të heq gjumin, meraqet, ankthet. Fillon dhe nuhat. Erën e tokës. Të pemëve. Dhe fillon të shkosh nëpër mend të gjitha llojet e mundshme të shijeve për të gjetur ato që i shkojnë kësaj dite.

Jo gatime kulinarike. Gatime të thjeshta që i ngelen besnike tokës që i prodhon.

1. Patate ne tave

Patatet qërohen, lahen, thahen, priten në formën e dëshiruar (jo shumë të trasha), spërkaten me kripë, vaj ulliri, hapen në tave, hidhet rozmarine e freskët, futen në furrën e parangrohur në 220°C, piqen derisa të marrin një ngjyrë të arte deri në të kuqërremtë.

2. Qofte

(Për 4 persona) 500 – 700gr mish i grire, 1 qepë e grire në rende, 1 hudhër e shtypur, 1 patate (e qëruar dhe pastruar) e grire në rende, 2 vezë, tule të 2 feta buke të thërmuara imët (lagini paksa por kullojeni mire ujin). Përziejeni mire.

Shtoni kripë, piper të zi, majdanoz, koper, mendër (mentë) të gjitha të prera hollë. Përziejeni mirë. Më e mira do të ishte ta linit këtë përzierje për disa orë të qetë, që shijet të fillojnë dhe të shkrijnë tek njëra-tjetra; por bëhen të mira edhe kur gatuhen shpejt e shpejt. Formoni me masën toptha apo peta të cilësdo madhësi që ua do qejfi. Rrotulloni në miell dhe vërini të skuqen në një tigan të madh me vaj ulliri të nxehur mire deri sa mishi të jetë pjekur tejpërtej. Kombinoni me patatet.

3. Sallatë me domate

Qofte me patate ndoshta do të mjaftonte, por është paksa e thatë dhe minimaliste. Një sallatë me domate do të ishte kompensatori më i mirë. Domate të pjekura, por jo qulle, pritini në formën që ju dëshiron estetika juaj ose sipas estetikës së gjyshes. Grini një qepë hollë, shtypni një hudhër, hidhini të dyja në një filxhan me vaj farash kungulli (në se nuk e keni përdorni vajin e ullirit) dhe uthull. Lerini të flenë pak bashkë. Para se ta hani sallatën e domateve spërkatini ato me përzierjen e filxhanit.
Për pak më shume tangërllik, pritni djathë të bardhë në copa të vogla, zbukurojeni me feta vezësh të ziera mirë dhe me kopër.

Ju bëftë mirë!

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit