1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024


Shfaqja e murtajës në SHBA, ç’dihet për rastin e fundit të infeksionit

Më të lexuarat

Sëmundja që në Mesjetë korri 25 milion jetë në Europë

Autoritetet shëndetësore amerikane deri më tani nuk kanë bërë të ditur gjendjen e pacientit apo si është infektuar, por paralajmërojnë se bëhet fjalë për një sëmundje potencialisht vdekjeprurëse që transmetohet nga brejtësit dhe pleshtat dhe që në mesjetë vrau miliona njerëz.

Sipas të dhënave nga shërbimet epidemiologjike në SHBA, gjashtëmbëdhjetë njerëz vdiqën nga murtaja në 20 vjet, ku viktima e fundit u regjistrua vitin e kaluar në jugperëndim të Kolorados.

Në të vërtetë, murtaja te njerëzit është shumë e rrallë, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), me një mesatare prej shtatë rastesh të infeksionit në vit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) regjistron 1,000 deri në 2,000 raste të murtajës çdo vit, kryesisht në zonat rurale të Afrikës, Azisë, Amerikës së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Simptomat përfshijnë fillimin e papritur të etheve dhe të dridhurave, dhimbje koke të forta, dhimbje muskujsh, të përzier, të vjella dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

Bakteret e murtajës zakonisht transmetohen nga brejtësit dhe pleshtat te njerëzit duke kafshuar, prekur ose gërvishtur lëkurën e kafshëve të infektuara. Ajo gjithashtu mund të transmetohet te njerëzit duke thithur pikat e pështymës nga një person ose kafshë e infektuar.

“Ne i këshillojmë qytetarët që të mbrojnë veten dhe kafshët e tyre nga murtaja”, tha zyrtarja e departamentit të shëndetësisë në Pueblo, Alicia Solis.

Kjo është arsyeja pse zyrtarët shëndetësorë rekomandojnë që banorët të mbrojnë shtëpitë e tyre nga brejtësit dhe të shmangin kontaktin me kafshët e ngordhura.

Për shembull, kafshët shtëpiake duhet të trajtohen rregullisht kundër pleshtave dhe të mbahen në ambiente të mbyllura ose me zinxhir.

Gjithashtu, infeksionet e pleshtave te kafshët shtëpiake duhet të trajtohen menjëherë dhe të dërgohen te veterineri nëse ato sëmuren.

Vlerësohet se në mesin e shekullit të 14-të, murtaja ose Vdekja e Zezë vrau 25 milionë njerëz në Evropë. Prej kohësh besohej se transmetohej nga minjtë, derisa një raport i vitit 2018 nga universitetet e Oslos dhe Ferrarit tregoi se morrat dhe pleshtat ishin kryesisht përgjegjës për përhapjen e sëmundjes te njerëzit.

Sëmundja mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, por rreth gjysma e rasteve përfshijnë pacientë midis moshës 12 dhe 45 vjeç, sipas CDC.

Nëse nuk trajtohet, murtaja ka një shkallë vdekshmërie prej 30 deri në 60 përqind, por ky tregues i zi bie në më pak se pesë përqind nëse sëmundja zbulohet herët dhe trajtohet me antibiotikë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit